E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët debatojnë akuzat kundër Kunderës

Nga Dan Bilefsky, “The International Herald Tribune”

Duket se jeta imiton artin në një dramë që po trazon Republikën Çeke: akuza se Milan Kundera, një nga shkrimtarët më të njohur të Evropës Lindore, kur ishte 21 vjeç, ka denoncuar një agjent të shërbimeve perëndimore te policia komuniste çeke.

Denoncimi rezultoi në 22 vjet burg për agjentin Miroslav Dvoracek, përfshi edhe punë të rëndë në një minierë uraniumi.

Në romanin e parë të Kunderës, “Shakaja”, një satirë e dhimbshme e Çekosllovakisë staliniste të viteve ‘50, personazhi kryesor, Ludovik Jahn, një komunist i vendosur, përjashtohet nga partia dhe përzihet nga universiteti, pas denoncimit nga shoku i tij Pavël. Për shkak të sensit të humorit që zotëron, Ludoviku u dërgua të punonte në minierë.

Pak vetë mund të mos e kenë vënë re paralelen në një rrëfim moral të kohëve moderne, të ndërthurur me temat e preferuara të Kunderës, tradhtinë dhe denoncimin.

Akuza - e botuar të hënën (e kaluar) në të përjavshmen politike çeke “Respekt” - ka nxitur një debat kombëtar dhe kërcënon, sado padrejtësisht, të shkatërrojë reputacionin e një shkrimtari që ka kërkuar prej një kohe të gjatë të rrijë i vetmuar, i shkëputur nga arti i tij dhe vendlindja.

“Kundera është përpjekur gjithmonë të fshihet dhe të largohet nga personazhet e veprave të tij, por tani ai është kthyer vetë në një personazh, i dalë nga librat e tij - dhe po manipulohet nga fati”, - tha Petr Tresnak, një nga autorët e artikullit të “Respekt”.

Kur u botua artikulli, Kundera, një i vetmuar i famshëm, i cili ka jetuar në Francë që nga viti 1975, i mohoi me forcë akuzat, duke e denoncuar historinë si “vrasje të një shkrimtari”.

Megjithatë, akuzat kanë shkaktuar një rrymë të fuqishme kundër Kunderës, një ish-komunist që u shndërrua në kritik i ashpër i regjimit, në një vend që e ka vlerësuar atë me dyzim për një kohë të gjatë.

Që kur emigroi në Francë, pasi u përjashtua nga Partia Komuniste dhe iu ndalua vepra, ai nuk ka pranuar të botonte vepra në Çeki. Gjatë vizitave të rralla, thonë miqtë e tij, ai udhëton në mënyrë anonime. Ai nuk kishte dhënë intervistë për një çerek shekulli - deri javën e kaluar.

“Zbulimi se Kundera ka denoncuar dikë, shihet nga çekët si një hakmarrje për bindjen e tyre se ai i ka tradhtuar ata prej vitesh”, - tha Peter Bilek, një profesor i letërsisë krahasuese në Charles University, në Pragë.

“Shkrimtarët disidentë janë përpjekur ta zhvlerësojnë atë si dikush që shkruan pornografi intelektuale për lexues perëndimorë mediokër.”

Bilek tha se shumë vetë në komunitetin e disidentëve e kanë konsideruar bestsellerin e Kunderës “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, një tradhti përqeshëse, për shkak të trajtimit të një kirurgu disident që rifillon jetën e re si pastrues xhamash hamshor. Romani, botuar zyrtarisht këtu në Çeki vetëm pak vjet më parë - më shumë se 25 vjet pas botimit të tij të parë në Francë - shiti vetëm 10 mijë kopje.

Akuzat se Kundera ka qenë informator i janë shtuar obsesionit kombëtar në lidhje me bashkëpunimin (me Sigurimin) gjatë 41 viteve të sundimit komunist. Republika Çeke, sot anëtare e NATO-s dhe BE, është ndër ekonomitë më të suksesshme të ish-bllokut sovjetik. Megjithatë, shumë vetë këtu nuk duan ta rivizitojnë të shkuarën.

Si ilustrim për skizofreninë që ndjen Evropa Lindore nga ekzaminimi i marrëdhënieve me komunistët e përbuzur gjerësisht, për akuzat ndaj Kunderës, shumë akademikë dhe kritikë e kanë përcjellë me mosaprovim artikullin e revistës “Respekt”.

Ata e kanë sfiduar vërtetësinë e raportit të policisë si falsitet për ta zbuluar atë si informator dhe i kanë akuzuar autorët, të cilët kanë punuar ngushtë me Institutin e Studimit të Regjimit Totalitar i mbështetur nga qeveria, për ekzagjerim të fakteve.

Jiri Pehe, një sociolog çek i njohur dhe drejtor u degës së universitetit të Nju-Jorkut, tha se akuzat e kishin polarizuar shoqërinë çeke në dy kampe: ata që e shikojnë Kunderën si një kokë turku morale për shkak të bashkëpunimit të vetë atyre me komunistët dhe ata që e shikojnë artikullin si një akt i tradhtisë çeke, motivuar nga xhelozia prej suksesit të Kunderës.

Ai tha se çekët kanë një histori të gjatë të baltosjes së heronjve, përfshi ish-presidentin Havel, i cili udhëhoqi Revolucionin e Mëndafshtë që rrëzoi komunizmin në vitin 1989, por ende vazhdon të urrehet nga shumë bashkatdhetarë të tij.

Pehe tha se artikulli dhe debati ishin simptoma të një trendi më të gjerë për të ndëshkuar ata që kanë bashkëpunuar me komunizmin në emër të një bindjeje të gabuar se është e shëndetshme për demokracinë. Në vend të nxisë kujtesën historike, tha ai, gjykimi i nxituar shpesh kërcënon të shkatërrojë të pafajshmit.

Çekët ishin ndër të parët që bënë ligjin në vitin 1991, duke i ndaluar nga jeta publike ata që u zbuluan si agjentë ose informatorë në dosjet e Sigurimit. Ligji, u shpreh Pehe, kishte frenuar dhjetëra-mijëra qytetarë, të cilët mund të kenë bashkëpunuar kundër dëshirës.

“Realiteti është se regjimi totalitar u ndërtua në një mënyrë të tillë që 99 për qind e popullsisë bashkëpunuan në një mënyrë apo në një tjetër, dhe rasti i Kunderës i ndihmon të ndihen më të pafajshëm - ata janë figurat pozitive, ndërsa ai një nga të këqijtë”, - tha Pehe.

Shumë historianë e konsiderojnë dokumentin të pamjaftueshëm. Polici që përmendet në raportin e policisë sekrete, i cili identifikon Kunderën, ka vdekur, ndërsa dokumenti nuk ka firmë të Kunderës.

Por instituti, i ngritur këtë vit nga qeveria çeke e djathtë për të mbledhur dhe botuar dosjet e periudhës komuniste, e mbrojti raportin.

“Në lidhje me saktësinë dhe vërtetësinë e dokumentit nuk janë ngritur dyshime të arsyeshme”, - tha Vojtech Ripka, kreu i departamentit të dokumenteve në institut. “Ne nuk bëjmë gjueti shtrigash dhe nuk gjuajmë figurat publike, përfshi Kunderën, dosja e të cilit u zbulua rastësisht”, - theksoi ai.

Ripka tha se zbulimi doli në dritë, kur Adam Hradilek, që punon për institutin, ndeshi dosjen e Kunderës, ndërsa kërkonte për historinë e Iva Militka, një e afërme e moshuar e Hradilek, e cila kishte fajësuar veten për një kohë të gjatë në lidhje me burgosjen e Dvoracekut.

Sipas dosjes së policisë të botuar në faqen e internetit të institutit, më 14 mars 1950, Kundera informoi policinë për praninë e Dvoracekut në Pragë. Dvoraceku kishte dezertuar nga ushtria çeke dhe ishte arratisur në Gjermani pas grushtit të shtetit komunist, ku ishte rekrutuar nga një rrjet shërbimesh amerikane.

Ripka tha se kërkimi për Hradilekun tregonte që Dvoracek kishte vizituar një shoqe shkolle dhe kishte lënë valixhen në apartamentin e saj. Ajo i tregoi të dashurit të saj dhe burrit të ardhshëm, Miroslav Dlask, i cili i tregoi më tej Kunderës.

Dvoracek u arrestua, kur u kthye të merrte valixhen. Ai u dënua me 22 vjet burg dhe bëri 14, duke punuar në minierë uraniumi.

Ripka tha Hradilek ishte përpjekur të kontaktonte Dvoracekun, i cili tani jeton në Suedi, por ai nuk pranoi të fliste. “Dvoracek ka patur një atak zemre që atëherë dhe vazhdon të besojë se e tradhtoi Militka”, - tha Ripka.

Misteri u bë edhe më i ngatërruar këtë javë, kur Zdenek Pesat, një historian letërsie dhe ish-anëtar i Partisë Komuniste, i tha agjencisë çeke të lajmeve, CTK, se Dlasku i kishte thënë atij vite më parë se Dvoracekun e kishte denoncuar ai te policia sekrete, ka shumë mundësi, ngaqë nuk donte që e dashura e tij të ndëshkohej.

Pesat tha se emri i Kunderës nuk ishte përmendur. Ai tha se e ndjeu si detyrim të tregonte, pasi u implikua Kundera.

Tresnak, shkrimtar i artikullit të “Respekt”, këmbënguli se veprimi i dyshuar i Kunderës, nëse ishte i vërtetë, zhvishej nga fajësia morale, sepse ai spiunoi dikë gjatë viteve ‘50, një periudhë e shtypjes staliniste, kur komunistët kishin burgosur dhjetëra-mijëra kundërshtarë pa gjyq, kishin konfiskuar pronat dhe ndaluan fjalën e lirë.

Mirëpo, Tresnak, 32 vjeç, babai i të cilit është një disident i njohur, tha se botuesit e “Respekt” ishin përfshirë në një debat të dhimbshëm, nëse duhej ta botonin historinë e faqes së parë. Në fund, tha ai, revista vendosi ta botonte për të treguar heroizmin e Dvoracek, i cili rrezikoi jetën e tij të luftonte komunizmin, dhe të shfajësonin Militkan, e ndjekur nga faji se ajo ishte përgjegjëse për persekutimin e shokut të saj të fëmijërisë.

“Kjo histori nuk është vetëm për Kunderën, është historia e Republikës Çeke”, - tha Tresnak. “Njerëzit në këtë vend janë të habitur dhe të neveritur nga numri i madh i njerëzve që bashkëpunuan me regjimin - dhe ky është një shembull konkret i asaj që ndodhi.”

Ai tha se ishte tronditur nga përgjigjja e ashpër e Kunderës. “Nuk kam asnjë dyshim për fajësinë e Kunderës. Por reagimi i tij ishte aq i fortë, sa unë pyeta veten: Mos vallë kemi treguar me gisht një njeri të pafajshëm?” - tha ai.

“Ka shumë pak mundësi që ai të mos jetë i fajshëm - megjithëse nuk do të vija bast me jetën time - por qëndrimi i tij i fshehjes dhe mohimi rrezikon të ndrydhë një debat, për të cilin vendi ka shumë nevojë.”

Ivo Pondelicek, një seksolog i njohur dhe shok i Kunderës për 50 vjet, tha se Kundera që ai njeh nuk mund të denonconte njeri. Ai tha se në vitet ‘50, Kundera ishte komunist i bindur, por jo fanatik. Artikulli, tha ai, reflektonte xhelozinë për karizmën dhe suksesin e Kunderës.

“Milan Kundera ka qenë gjithmonë meditues - ai nuk ka qenë komunist fanatik - dhe e përjashtoj tërësisht mundësinë që ai mund të ketë denoncuar dikë në këtë mënyrë. Thjesht nuk i shkon për shtat sjelljes së tij. Njerëzit po projektojnë punën e tyre tek ai, por unë kurrë nuk e kam parë të jetë dikush i konsumuar nga fajësia apo pendesa.”

“Disa javë më parë, - tha Pondelicek, - Kundera kishte lënë një mesazh në telefonin e tij, ku thoshte: “Ata janë derra.”

Atë kohë, ai mendonte se Kundera iu referohej recensioneve kritike të një drame të tij që po vihej në skenë në Pragë. Tani që e kujton, ai beson se Kundera mund ta ketë kuptuar se anonimiteti i tij i ruajtur me kujdes ishte afër zhdukjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›