E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Prokuroria nuk heton mbi çështjet e zbuluara

21/03/2012  Leskaj: Në një vit u zbuluan 7 milionë dollar dëme

Prokuroria është kthyer në një objekt sherri, prej kontrollorëve të institucioneve të tjera. Pas vërejtjeve të Ministrisë së Drejtësisë, apo dhe të ankesave të policisë, është dhe KLSH që akuzon për pezullim të njëanshëm të çështjeve. Edhe pse mes të dy institucioneve ka një marrëveshje bashkëpunimi, dje Bujar Leskaj tha se “kontrata” nuk zbatohet. Sipas tij janë të shumta rastet e evidentuara nga KLSH ku janë kryer shkelje ligjore në dëm të buxhetit të shtetit, të cilat janë denoncuar për hetim. Por Prokuroria ka marrë në shqyrtim vetëm një numër të vogël të tyre. Gjatë periudhës 2000-2011, për Leskajn rezulton një numër i madh kallëzimesh penale të dërguara nga KLSH në Prokurori, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë dërguar në proces gjykimi. Konkretisht vetëm 10% të rasteve të evidentuara nga KLSH. Numri i kallëzimeve që karritur kulmin e vet i përket viteve 2005-2006, ndërsa ka ardhur në rënie duke përfunduar në vitet 2010-2011 në një rënie drastike në nivelin minimal. Në vitin 2011 numri i kallëzimeve penale të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme është shumë e vogël, vetëm pesë. Sipas KLSH, ky është një numër tejet i vogël kallëzimesh duke e krahasuar me nivelin e zbulimeve të KLSH-së, të cilat nuk kanë pasur rënie të ngjashme me kallëzimet penale që ka kryer organi i akuzës. Sipas kryetarit Leskaj, bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve është vetëm formal, në kufijt e limitit të ligjit. Marrëveshja ndërmjet dy institucineve është kryer më 6 maj të vitit 2005, por me sa duket ka ngelur një marrëveshje në letër. Shkëmbimet ndërmjet KLSH dhe Prokurorisë kanë qenë të vakta dhe të kufizuara vetëm në komunikime formale në kufijtë e kërkesave minimale të ligjit. Kjo tregon se ka një rënie të cilësisë së ndërveprimit midis institucioneve. Mosbashkëpunimi i këtyre institucioneve është tejet i rrezikshëm për ekonominë e vendit. Pasi KLSH si detyrë parësore ka evidentimin e krimit ekonomik, korrupsionit dhe abuzimeve që mund të kryen me fondet e alokuara nga shteti apo nga donatorë të huaj. Mosdërgimi i të gjitha rasteve të evidentuara nga ky institucion në gjykatë nga Prokuroria përbën një rrezik që mund të kanoset në dëme më të mëdha se ai aktual që është rreth 7 miliardë lekë. Mosapelimi i të gjitha rasteve do të bëjë që të shtohen rastet e dëmeve ekonomike. I pyetur nga anëtari i PS, Erion Braçe, nëse këto vendime janë apeluar nga Prokuroria për mungesë provash, Leskaj pohoi të kundërtën. Sipas tij, rastet e evidentuara kanë qenë të mirëdokumentuara dhe nuk ka pasur mungesë faktesh. Në këtë mënyrë duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë organin e Prokurorisë për mosrespektim të marrëveshjes dhe shkelje të detyrimeve të saj si organ akuze. Për zgjidhjen e kësaj situate kryetari i KLSH tha se do të shtohet intensifikimi i marrëdhënieve me institucionin e Prokurorisë dhe do të jetë diçka prioritare në qëllimet për vitin 2012. Nga ana tjetër është kërkuar që vërejtjet e KLSH për pezullime nga detyra, apo dhe për dëmshpërblim të shumës së zbuluar si shkelje të ndiqen me prioritet nga institucionet përkatëse. Duke i dhënë frymë një klime të zbatimit ligjor, por dhe duke i dhënë shtysë të mirës publike. Numri më i madh i shklejeve ligjore të konstatura nga KLSH gjatë vitit 2011 ishin ato të prokurimeve publike, tenderimet dhe dhëniet në koncesion të aseteve dhe pronave shtetërore, si dhe në investimet në infrastrukturë. Shkeljet ishin konstatuar edhe në projektet e transportit. Në fund anëtarët e Komisionit aprovuan raportin vjetor të KLSH-së.

Batutat në Komision mes mazhorancës dhe opozitës

Raporti, humor dhe ironi mes

deputetëve dhe kreut të KLSH

-Bujar Leskaj: Edhe Kryeministri më ka thënë personalisht që do të na japi një ambient të ri për KLSH

-Erion Braçe: A e ka thënë ai? Ka mbaruar si punë.

-Bujar Leskaj: E tha, por nuk bëri “ciu ciu”

-Bujar Leskaj: Duroni z.Braçe, ju jeni edhe njeri i kulturuar.

-Braçe: Nuk duroj sepse bëhet fjalë për 35 milionë dollar

-Bujalr Leskaj: Jo se jam nga Vlora, por mendoj se këtë punë e kam bërë mirë. Nuk jam nga Kuçi, por nga qyteti.

-Edmond Spaho: Edhe punën e parë kur u bëtë Kryetar i KLSH e nisët me Vlorën, me portin e Vlorës.

-Bujar Leskaj: Prandaj nuk më votove mua për t’u bërë Kryetar i KLSH, Erion?

-Erion Braçë: Ta kam thënë në mënyrë kofidenciale se përse nuk të votova.

-Bujar Leskaj: E di. Ju keni karrierë politike për të bërë. Unë jam i depolitizuar.

Dy kompanitë më problematike për ekspertët

“Albpetrol” dhe “OST” nuk kanë zbatuar kontratat

“Albpetrol” dhe “OST” e Tiranës i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 586 milonë lekë. “Albpetrol” prek 400 milionë lekë dëm pasi nuk ka respektuar kontratën që kompania kishte me ARMO-n. Moslikuidimi i detyrimeve që “Albpetroli” kishte për të furnizuar kompaninë ARMO me naftë bruto dhe gaz të lëngshmë dhe të hollë ka bërë një shkelje të kontratës dhe rrjedhimisht një dëm në arkën e shtetit. Nga ana tjetër Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike në qytetin e Tiranës ka shkaktuar 190 milionë lekë dëm. Vlera rezulton e dalë nga moslikuidimi i shërbimeve të kryera për trasmetimin e energjisë elektirike për periudhën nga privatizimi i OSSH deri më 15.12.2010. Vlera totale është rreth 586 milionë lekë. Këto janë shifra tepër të mëdha të shkaktuara nga dy kompani që zotërohen ende nga shteti, “Alpetrol” 100% pronë shtetërore, ndërsa në OSSH është aksioner.

Urbanistika

Dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit në fushën e urbanistikës për vitin 2011 kap vlerën e 900 mijë lekëve. Mosrespektimi i taksës së ndikimit të infrastrukturës, mosvjeljes së taksës 1% të investimeve, aplikimi i gabuar i kostos mesatare të ndërtimit dhe mosarkëtimi i gjobave për ndërtimet pa leje janë disa nga pikat që janë konstatuar më shpesh prej ekspertëve. Dëmet janë konstatuar në 13 bashki të vendit dhe në 4 komuna.

Prokurimet Publike

Prokurimet vazhdojnë të jenë problematike. Pas raportit të Avokatit të Prokurimeve, tani edhe KLSH pohon se ky sektor ka shkaktuar dëme ekonomike. Për vitin 2011, sipas KLSH, janë shkaktuar 1.4 milionë lekë dëm. Këto janë shkaktuar si pasojë e shkeljeve të procedurave të prokurimit publik dhe mosrespektimit të detyrimeve kontraktuale. Në kontrollin e ushtruar janë vërejtur rreth 469 procedura prokurimi të paregullta nga ky institucion.

Rrjeti teknologjik

Rrjeti i IT-së në ambientet e KLSH është tejet i armortizuar. Sipas Bujar Leskajt, procedura për të dixhitalizuar rrjetin e KLSH nuk mund të bëhen për momentin, pasi ambienti ku ndodhet ky institucion nuk i plotëson kushtet. Ai kërkoi që KLSH të spostohet në një godinë tjetër, më të përshtatshme ku institucioni të punojë në kushtet e duhura. Cilësia e kompjuterëve të KLSH është tepër e dobët dhe daton me prodhim të para 10 viteve.

Cilësia e stafit

KLSH nuk ka deklaruar vetëm shkeljet në institucionet e kontrolluara, por dhe në paaftësinë e stafit të vet. Sipas Leskajt, personeli ka problem në trajnimin e tyre. Gjatë vitt 2011, inspekorët janë trajnuar mesatarisht vetëm 2.1 ditë në të gjithë vitin me specialist të huaj. Ky është niveli më i ulët në rajon për trajnimin e inspektorëve. Nga vet institucioni punëtorët janë trajnuar 187 ditë në vit, por sërish në nivele të ulëta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›