KLSH Shkelje ligjore nga Trajtimi i Studenteve Nr.1
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka propozuar kallëzim penal për Kryetaren e Këshillit Mbikëqyrës dhe dy anëtarë të tij, të subjektit Trajtimi i Studentëve Nr. 1, Sh.a. Tiranë Një propozim të tillë KLSH e ka argumentuar në faktet e mbledhura gjatë auditimit në këtë shoqëri me objekt “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomike financiare”.
Auditimi është kryer për periudhën 1/1/2010 deri më 31/12/2011.
Përmes njoftimit për shtyp mësohet se gjatë auditimit të kryer janë konstatuar dhe mangësi e parregullsi të ndryshme, ku ndër të tjera është faktuar se shoqëria nuk ka arkëtuar “detyrimet debitore” të cilat për vitet 2010-2011 rezultojnë në vlerën 102,619,770 lekë dhe nuk ka paguar detyrimet ndaj “furnitorëve e kreditorëve” gjendja e së cilës në fund të viteve 2010-2011 është përkatësisht 20,422,38 lekë dhe 25,794,021 lekë;
KLSH ka rekomanduar 35 masave organizative për Këshillin Mbikëqyrës dhe për Drejtorinë, duke përfshirë hartimin dhe miratimin e rregullores së brendshme të funksionimit; miratimin e strukturës organizative të funksionimit të shoqërisë nga Këshilli Mbikëqyrës; përmirësimin e metodologjisë së hartimit të programeve të zhvillimit ekonomiko-financiar, rishikimin e strukturës dhe pagave të punonjësve, duke parë mundësinë e uljes së numrit të punonjësve, për të arritur një nivel të pranueshëm të shpenzimeve; kryerjen e studimeve dhe analizave për aktivitetin e dhënies me qira të bujtinave për familjarët, me qëllim përmirësimin e treguesve të të ardhurave, si dhe veçimin nga vlera e qirasë të shpenzimet të energjisë elektrike e ujit të pijshëm, etj.
Mbi bazën e vlerësimit të gjetjeve të mësipërme dhe shkallës së përgjegjësisë të secilit punonjës, KLSH ka propozuar dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për Kryetaren e Këshillit Mbikëqyrës dhe 2 anëtarë të tij, si dhe i ka rekomanduar Prefektit të Qarkut Tiranë dhënien e masës disiplinore “Largim nga puna” për arkitekten, në cilësinë e përfaqësueses së Prefekturës së Qarkut Tiranë.
KLSH i ka rekomanduar Drejtorisë të Trajtimit të Studentëve Nr. 1 Sh.a., fillimin e procedurave për dhënien e masës disiplinore “Largim nga puna” për juristen e Shoqërisë, si dhe “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna” për Drejtoren e Departamentit Ekonomik, ndërsa i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik që të vlerësojë shkeljet e konstatuara dhe të marrë masat respektive administrative apo disiplinore për 7 punonjës, anëtarë të Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Shoqërisë.