E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Shkeljet në Ministrinë e Bujqësisë, dëmi 14 mln lekë

Autori i Lajmit: red.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm ekonomik prej 14 709 312 lekë në zbatimin e projektit "Menaxhim i Burimeve Ujore (PMU) në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Projekti është financim i Bankës Botërore, Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, OPEC, dhe Qeverisë Italiane, në shumën 36.2 milionë USD, dhe ka pasur si qëllim rritjen e prodhimit bujqësor nëpërmjet sigurimit të shërbimeve të ujitjes, zbatimin e skemave të ujitjes dhe kullimit, nëpërmjet fuqizimit institucional, si dhe uljen e rrezikut të dështimit të digave e të përmbytjeve, nëpërmjet riparimeve të infrastrukturës.
Deklarata e Moravës
Zëdhënsi i KLSH, Edvin Morava, bëri të ditur dje se nga kontrolli i ushtruar gjatë muajve mars-maj 2008 në zbatimin e projektit "Menaxhim i Burimeve Ujore në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, u konstatuan shkelje të ligjshmërisë në fushën e prokurimeve, të pagave, të të ardhurave dytësore dhe të punimeve civile, të shoqëruara me një dëm ekonomik në vlerën e 14 709 312 lekëve.
Masat
Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara në zbatimin e këtij projekti, KLSH ka kërkuar që të arkëtohet vlera e dëmit ekonomik të lartpërmendur, ndërsa për personat shkaktarë, përkatësisht për Drejtorin e Projektit është rekomanduar masa ‘largim nga puna’, për Drejtorin e Departamentit të Menaxhimit të Tokës dhe Ujërave në MBUMK ‘largim nga shërbimi civil’, ndërsa për 5 anëtarë të stafit të PMU-së janë kërkuar masa të tjera disiplinore. Zëdhënësi Morava tha, se për shkeljet e konstatuara në fushën e prokurimeve të shërbimit të supervizionit, është përgatitur materiali për kallëzim penal ndaj drejtorit të PMU-së dhe drejtorit të Departamentit të Menaxhimit të Tokës dhe Ujërave në MBUMK.

Ky lajm është publikuar: 23/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›