E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Të tretët debitorë ndaj Albpetrol, 90 mln $ borxhe

Në vazhdimësinë e auditimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar dy kallëzime penale për 7 drejtues anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Njësisë së Prokurimit, si dhe për 5 persona anëtarë të Komisionit Teknik të Kolaudimit pranë shoqërisë Albpetrol sh.a.
 

Teksa vë në dukje se auditimi ka marrë në shqyrtim periudhën nga 31/12/2010 deri më 30/3/2012” me objekt “Auditim i veprimtarisë ekonomiko financiare, ligjshmërisë dhe rregullshmërisë”, KLSH thekson se kompanitë e treta i kanë Albpetrol sh.a detyrime në vlerën e 90 milionë dollarëve.
 

Duke mbetur në këtë pikë, listën e debitorëve ndaj kësaj shoqërie e kryeson ARMO SHA, me shumën 5,374,445,691 lekë.
Nisur nga kjo problematikë, KLSH ka kërkuar 33 masa organizative lidhur me angazhimin nga METE në cilësinë e pronarit të ALBPETROL, një njësie të posaçme me specialistë të fushës për të ndjekur në vazhdimësi, saktësimin dhe evidentimin e detyrimeve debitore që kanë të tretët ndaj Albpetrol edhe pas privatizimit të shoqërisë, për zbatimin e të gjitha rrugëve ligjore për vjeljen e këtyre detyrimeve.
 

KLSH ka kërkuar gjithashtu edhe angazhimin e një grupi të posaçëm me specialistë të fushës për të vlerësuar situatën reale në të cilën ndodhen kompanitë që operojnë në bazë të Marrëveshjeve Hidrokarbure në përputhje me Programet e Zhvillimit dhe objektivat e përcaktuara në këto Marrëveshje.
 

Raporti i plotë i KLSH-së vijon si më poshtë:
Drejtoria e Marrëveshjes Hidrokarbure, Auditimi i Brendshëm, strukturat drejtuese të Albpetrolit (Drejtori i Përgjithshëm dhe Këshilli Mbikëqyrës), Agjencia e Kombetare e Burimeve Natyrore dhe METE ka treguar pafuqishmeri totale ne zbatimin dhe monitorimin e Marrëveshjeve Hidrokarbure, e cila vjen si pasoje e mangesive te theksuar në hartimin dhe miratimin e programeve të zhvillimit ekonomiko-financiar të paraqitura nga kompanitë e huaja, si edhe në drejtim të monitorimit dhe ndjekjes periodike të plotësimit të detyrave nga organet e mesiperme.

- Administrata e Albpetrolit nuk ka mundur të ushtrojë autoritetin që ka për vlerësimin dhe zhvillimin e zonave të kontratave, duke pranuar dhe miratuar në vazhdimësi të gjitha kërkesat e bëra, të cilat në përgjithësi kanë qenë nga viti në vit me devijime të theksuara nga marrëveshjet dhe planet përkatëse të zhvillimit, si dhe monitorimi i tyre pothuajse ka qene inekzistent.

Në total detyrimi i kompanive që operojne në bazë të Marrëveshjeve Hidrokarbure deri në fund të muajit Prill 2012 është në vlerën 38 199 500 USD .

“Bankers Petroleum Albania Ltd”, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në zonën e kontratës Patos-Marinëz,

- Në total detyrimi i Bankers Petroleum Albania Ltd për vitin 2011 deri në fund të muajit Prill 2012 është në sasinë 60 442 tonë (37 383 tonë deri në fund të 2011+ 18 464 tonë për 3- Mujorin e I-rë 2012), që nëse do ta llogarisim me çmim shitje mesatar(sipas çmimit të shitjes në ankande rreth 500USD/ton) detyrimi për Albpetrolin nga kjo kompani llogaritet në vlerën 30 221 000 USD.

“Stream Oil&Gas Ltd”, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në zonat e kontratës: Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Heka, si dhe Delvinë.

Pjesa e Albpetrol si detyrim kontraktor tërhiqet në natyrë dhe për vitin 2011 dhe 3-mujorin e I-rë 2012 Stream Oil &Gas i detyrohet Albpetrolit në sasinë 13,488.15 tonë naftë dhe kondensat dhe 4,827,311 Nm3 gas, sasi e cila nëse do ta llogarisim me çmim shitje mesatar të naftës brut(sipas çmimit të shitjes së ankandeve rreth 500USD/ton) detyrimi për Albpetrolin nga kjo kompani llogaritet në vlerën 6 744 075 USD për naftën dhe për gazin 2.4 milion USD. I gjithë ky detyrim ka ardhur si pasojë dhe e paaftësisë së Albpetrolit për të siguruar vend-depozitat e naftës, problem i cili nuk ka gjetur zgjidhje.

Kompania “Sherëood International Petroleum, Ltd”, për “Zhvillimin dhe prodhimin e naftës në vendburimin Kuçovë”.

Pjesa e Albpetrol si detyrim kontraktor tërhiqet në natyrë dhe në fund të vitit 2011 dhe 3- mujorit të I-rë 2012 Sherëood i detyrohet Albpetrolit në sasinë 433.78 tonë naftë, sasi e cila nëse do ta llogarisim me çmim shitje mesatar të naftës brut(sipas çmimit te shitjes se ankandeve rreth 500 USD/ton) detyrimi per Albpetrolin nga kjo kompani llogaritet në vlerën 216 890 USD për naftën.

Kompania “IEC Visoka Inc” Për Zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Visokë.

Pjesa e Albpetrol nga kjo kompani tërhiqet në natyrë dhe në fund të vitit 2011 dhe 3- mujorit të I-rë 2012 IEC Visoka i detyrohet Albpetrolit në sasinë 686.2 tonë naftë dhe një detyrim prej 1350 tonë që ka marrë në momentin e dorëzimit të vendburimit, dhe në total IEC Visoka i detyrohet Albpetrolit në sasinë prej 2036.2 tonë, sasi e cila nëse do ta llogarisim me çmim shitje mesatar të naftës brut(sipas çmimit të shitjes së ankandeve rreth 500USD/ton) detyrimi për Albpetrolin vetëm nga kjo kompani është në vlerën 1 018 100 USD për naftën.

2. Në zbatimin e ligjshmërisë në fushën e prokurimeve,

- Autoriteti kontraktor nuk ka zbatuar procedurën e hapur në të gjitha kontratat, duke përdorur procedurën me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës, pa ekzistuar kushtet dhe rrethana e veçanta të përcaktuara në nenin 33 të Ligjit për Prokurimin Publik.

- Studimi i vlerës së kontratës nuk është i saktë, pasi në përcaktimin e fondit limit nuk janë harmonizuar metodat e vendosura në aktet ligjore e nënligjore të prokurimeve, si çmimet e botuara nga INSTAT-i, çmime të tjera zyrtare, të njohura nga institucionet përkatëse,

-Në hartimin e dokumenteve të tenderit, nuk janë dhëne argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri për kualifikim.

- Anulimi i procedurave të prokurimit nga autoriteti kontraktor, pa analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë për shkaqet subjektive që vërehen në procedurat e anuluara.

3. Zbatimi i kontratës me objekt blerje “Autosondë me kullë 30 ton” me vlerë të kontratës 47 640 000 lekë me TVSH.

Kontrata është realizuar me 17 muaj (510 ditë) me vonesë, pa aplikuar kamatëvonesa. Autosonda e blerë nuk është sipas kërkesave të parashikuara në kontratë, as me kilometrazh zero, as me tre akse aktivë (1 para dhe 2 mbrapa), por vetëm me një aks aktiv të pasmë, në kundërshtim me specifikimet teknike. Mungesa e dy akseve shkakton kufizimin e funksionimit të saj në terrene të vështira natyrore, të fuqisë dhe kapacitetit të saj motorrik, si dhe dobisë së saj.

Nuk është vënë në shfrytëzim investimi prej 94 105 494 leke për ndërtimin e Gropës ekologjike në fshatin Zharrëz. Toka mbi të cilën është ndërtuar gropa ekologjike është pronë e komunes Zharrëz dhe vazhdon të jetë. Ndërtimi është lejuar të kryhet mbi pronë, me

vendim të komunës Zharrëz nr. 33 datë 29.12.2010. Investimi nuk është vënë në eficencë prej muajit janar 2011, kohë në të cilën është marrë në dorëzim, kur ndërtimi i saj është kërkuar në kushtet e emergjencës, për shkak të ndotjes maksimale të zonës..

Për këtë, KLSH ka bërë kallëzim penal për 5 anëtarët e Komisionit Teknik të Kolaudimit H. Gj., D. Ç., V. N., V. Xh. dhe G. K. për mangësi në zbatimin e kontratës me objekt blerje “Autosonde me kullë 30 ton” me vlerë të kontratës 47,640,000 lekë me TVSH, në kushtet e parashikuara në nenin 248, të Kodit Penal për “Shpërdorim detyre”, si dhe për 7 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të Njësisë së Prokurimit P.S., S. K., Zh. N, B. C., A. M., D. F. dhe L. C. për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i ligjit nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodit Penal i Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse.

4. Gjendja e debitorëve dhe kreditorëve si dhe zbatimi i ligjshmërisë për inventarizimin e pasurisë:

Konstatohet se ARMO SHA është debitori më i madh kundrejt Albpetrol SHA me shumën 5,374,445,691 lekë. Kjo shumë përmban detyrimin për mos shlyerjen e detyrimeve kontraktore në vlerën prej 5 375 445 691 lekë si dhe kamat-vonesa në shumën 268 978 959 lekë.(per vitin 2011 shuma e llogaritur eshte 1 325 901 087 leke)

- Në listën e debitorëve rezulton se nuk janë përfshirë (njohur) në kontabilitet detyrimet në vlerë që rrjedhin për prodhimin paraekzistues dhe prodhimin që duhet të marrë Albpetrol SHA nga Marrëveshjet Hidrokarbure në vlerën e llogaritur prej 4,570,196,000 lekë.

- Albpetrol SHA, nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita) ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre ose 35.3%, janë në proces 186 ose 28.7% dhe janë jashtë procesit 36% e tyre ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë çertifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19% prej tyre (1041) dhe janë akoma pa dokumente pronësie 4439 të tjerë.

Për sa më lart, KLSH ka rekomanduar dhe kërkuar marrjen e masave, për sa vijon:

Ka kërkuar 33 masa organizative lidhur me angazhimin nga METE në cilësinë e pronarit të ALBPETROL SHA, një njësie të posaçme me specialistë të fushës për të ndjekur në vazhdimësi, saktësimin dhe evidentimin e detyrimeve debitore që kanë të tretët ndaj Albpetrol SHA edhe pas privatizimit të shoqërisë, për zbatimin e të gjitha rrugëve ligjore për vjeljen e këtyre detyrimeve.

-Angazhimin e një grupi të posaçëm me specialistë të fushës për të vlerësuar situatën reale në të cilën ndodhen kompanitë që operojnë në bazë të Marrëveshjeve Hidrokarbure në përputhje me Programet e Zhvillimit dhe objektivat e përcaktuara në këto Marrëveshje.

Ka kërkuar dhe rekomanduar masa për mbledhjen e detyrimit financiar, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit, të arkëtimit të vlerës 5,375,445,691 lekë, nga kompania ARMO, të arkëtimit të vlerës 38 199 500 USD nga kompanitë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, “Stream Oil&Gas, Ltd”, “Sherëood International Petroleum, Ltd”, IEC Visoka Inc.”, shumë e cila përbën detyrim financiar për

ALBPETROL SHA, e llogaritur për sasinë prej 76 339 ton naftë brut, prodhim i pa tërhequr nga kompanitë që operojnë në bazë të Marrëveshjeve hidrokarbure.

I ka kërkuar masa administrative Agjensisë së Prokurimeve Publike për 7 persona, referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara në procedurat e zhvilluara për vitin 2011, si dhe ka kërkuar masa disiplinore “Zgjidhje të kontratës së punës” për 2 drejtorë dhe “Vërejtje me paralajmërim për zgjidhje kontrate” për 3 drejtorë të tjerë të drejtorive të Albpetrol-it.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›