KLSH-ja denoncoi shitjen e tokës pronarit të “Taivanit” nga Edi Rama

Dossier/ Në vëmendje të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama
Shitja e truallit publik, konkretisht te Parku “Rinia” në qendër të Tiranës, denoncohet i shkelje e rëndë, jo vetëm nga dokumentet që vetë Bashkia e Tiranës ka “qepur” me nxitim, por edhe nga kontrollet dhe konstatimet e institucioneve përgjegjëse shtetërore.
Në një raport të tij, të datës 4 korrik 2008, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), konstaton shkeljen e rëndë që ka bërë Bashkia e Tiranës, me truallin që nuk është pronë e saj, por që ia ka shitur pronarit të “Taiwan”-it, Bensik Sula. “Në zonën kadastrale 8380 është regjistruar kontrata e shitjes së truallit pronë publike me sipërfaqe 1310 m2, e shitur nga Bashkia e Tiranës dhe e blerë nga Shoqëria ‘Taiwan’ sh. p. k., duke mos qenë e regjistruar më parë në regjistrat e hipotekës, në emër të shitësit Bashkia e Tiranës, si dhe në kundërshtim me nenin 28 të Ligjit Nr. 9235, datë 29 07. 2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’”, vëren dhe bënë të ditur KLSH-ja në raportin e saj, abuzimin e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, megjithëse ky abuzim i radhë si Bashkisë së Tiranës, është denoncuar edhe publikisht, ende as pas konstatimit të KLSH-së, mësohet se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zbardhjen e këtij skandali.
Përpos kësaj, mësohet se kjo pronë që pretendohet se i përket Besnik Sulajt, është e bllokuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Përkundër pretendimeve të pronësisë së sipërfaqes së Parkut “Rinia” nga ana e Bashkisë së Tiranës, mësohet se kjo sipërfaqe, vetëm në vitin 2006, i është kaluar në pronësi kësaj bashkie, ndërsa ajo nga ana e saj kishte guxuar ta shiste pa e pasur të sajën.
Abuzimi i Bashkisë së Tiranës denoncohet më së miri edhe nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 834 i datës 13 dhjetor 2006, ku qeveria i ka kaluar Parkun “Rinia”, Bashkisë së Tiranës, si Pjesë e Inventarit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore.
Ndërkohë, në bazë të nenit 6, të Ligjit nr. 8743, datë 22. 02. 2001 “Për pronat e paluajtshme të Shtetit”, mësohet se, Bashka e Tiranës nuk ka të drejtë të shesë një pronë publike, që nuk e ka regjistruar në regjistrat e ZVRPP, (në përputhje me Ligjin nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”). Ndërsa mësohet se, çdo veprim në regjistër, që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të një pasurie të paluajtshme , bëhet kur akti ose vendimi gjyqësor që e konstaton atë, është regjistruar më parë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Regjistrimi i fitimit apo i kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të njohura ose të fituara me anë të ligjit, vendimit gjyqësor, apo aktit administrativ bëhet nga ZRPP, në zbatim të nenit 38, të Ligjit nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pas verifikimit të plotë të elementëve të formës dhe përmbajtjes së aktit përkatës, që njeh ose përmban fitimin e së drejtës së pronësisë , për efekt të plotësimit të kushte vetë regjistrimit, të përcaktuara në nenin 193 të Kodit Civil.
LIGJ
Nr. 9235, datë 29. 07. 2004
PËR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONËS
Neni 28
Dispozitë kalimtare
Për tokat që janë në pronësi të shtetit, organet kompetente të administratës publike ndalohen të lidhin kontrata posedimi a pronësie me të tretë deri në përfundim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Trashëgimtarët e familjes Mezini pretendojnë pronësinë e Parkut “Rinia”
Gjykata u ka njohur të drejtën e pronësisë, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ua njihte
Ndërsa Edi Rama, shet toka të bashkisë, pa qenë ato pronë e kësaj njësie administrative, trashëgimtarët e familjes Mezini, prej 16 vjetësh enden në dyert e gjykatave, për t’i njohur këtë pronë të pretenduar prej tyre, ku është sot Parku “Rinia”. Kur ka ndodhur që gjykatat ju kanë dhënë të drejtë, ka qenë Zyra e Regjistrimit të Pasurive që nuk ka pranuar t’ua regjistrojë pronën...
Dhe kalvari vazhdon...
Së fundmi trashëgimtarët e familjes Mezini, kanë çelur gjyqin e radhës, për njohjen e pronësisë mbi Parkun “Rinia”...
Familja Mezini pretendojnë se kanë trashëguar nga të parët e saj, pronën prej 28940 m2 te Parku “Rinia”, që para vitit 1910. Dokumentet nga arkivi si edhe harta e austriakëve në vitin 1914, harta e viti 1937 dhe harta e vitit 1980, apo edhe planimetria e siguruar nga ndërmarrja. Gjeologji-Gjeodezi, së bashku edhe me një sërë vendimesh të formës së prerë të gjykatave e provojnë pretendimin e pronësisë mbi këtë sipërfaqe toke, të trashëgimtarëve të familjes Mezini.
Deri në vitin 1949, kjo pronë njihej dhe administrohej nga familja Mezini.
Pas miratimit të Ligji nr. 7698 “Për Kthimin Dhe Kompensimin e pronave, ish-pronareve”, në 15 prill të vitit 1993, familja Mezini fillon procedurat ligjore për njohjen e kësaj sipërfaqe të “Parkut “Rinia” si pronë e tyre.
Një gjyq i çelur nga familja Mezini në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, me vendimin e tij nr. 1956, të formës së prerë të datës 18 mars 1996, u njeh të drejtën mbi sipërfaqen e parkut “Rinia”, trashëgimtarëve të familjes Mezini.
Pas këtij vendimi fillon kalvari i zvarritjeve për njohjen e pronës trashëgimtarëve të familjes Mezini.
Familja Mezini i bënë kërkesë Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Bashkinë e Tiranës.
Në datë 8 gusht 1996, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Bashkinë e Tiranës, me vendimin nr. 659, ju kthen përgjigje trashëgimtarëve të familjes Mezini, ku nuk ju njeh pronën, që ata pretendonin, sepse nuk plotësonte kushtet e ligjit nr 7698, “Për Kthimin Dhe Kompensimin e pronave, ish-pronareve” dhe VKM nr. 301, datë 14. 06. 1993.
Ndërsa gjykata e Rrethit të Tiranës, në 4 gjyqet e veçanta i njihte të drejtën e pronësisë, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk i njihte këto vendime të formës së prerë dhe gjykimet vazhdonin në 3 të tillë në Apel dhe 3 të tjerë,në Gjykatën e Lartë, për t’u rikthyer edhe 3 herë të tjera në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
Prej muajit mars të këtij viti, trashëgimtarët e familjes Mezini kanë riçelur një gjyq. Ndërsa janë zhvilluar 4 seanca gjyqësore, seanca e radhës është lënë, pas një jave, në 19 nëntor 2009, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.