“Kushtet për Shqipërinë të rëndësishme, por sigurisht janë edhe të arritshme”

Komisioneri për Zgjerim Olli Rehn u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve
Sipas mendimit tuaj, a do të përbëjë problem situata politike për përgatitjen e Pyetësorit, sikurse e përmendët më parë, si pjesë e kriterit politik, a do të ndikojë kjo në shtyrjen e dërgimit të Pyetësorit?
Qëllimi i përgatitjes së opinionit është të vlerësojë, të analizojë nëse një vend është gati për të filluar bisedimet për anëtarësim me BE-në. Dhe për këtë qëllim, vendi duhet të përmbushë kënaqshëm kriterin politik. Natyrisht, nëse bojkoti parlamentar do të vazhdojë më gjatë, ai do të ketë një ndikim negativ në analizat për kriterin politik dhe kështu do të kishte një ndikim negativ në mundësitë për garantimin e statusit të kandidatit nga BE-ja.
Në dritën e votimit të ditës së nesërme (sotme) në Parlamentin Evropian në lidhje me cështjen e vizave, a mund të na konfirmoni sot nëse Mali i Zi dhe Serbia i kanë arritur standartet e mbetura dhe a është realiste të thuhet se edhe Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina munden që deri në Korrik 2010 të përfitojnë të njëjtin regjim vizash si edhe tre vendet e tjera të Ballkanit?
Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë i ka plotësuar standardet që në verën e kaluar ndërkohë që Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë një punë shumë të mire për arritjen e këtyre standardeve dhe sipas vlerësimit të Komisionit, Mali i Zi dhe Serbia i plotësojnë kushtet për një kalim të sigurt dhe pa problem për udhëtimin pa viza për qytetarët e këtyre vendeve. Kushtet e mbetura për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, janë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë, janë sigurisht të arritshme. Në rastin e Shqipërisë, nëse Qeveria e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëherë Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Sigurisht që kjo varet nga Komisioni i ardhshëm por unë do të ushtroj gjithë ndikimin tim si kandidat për Komisoner për të siguruar që ky objektiv të arrihet sapo të jenë plotësuar kushtet.
Komisoner, ju thatë se ju po prisni së shpejti mandatin nga Këshilli për aplikimin për të i dhënë një AVIS për aplikimin e Shqipërisë. A do të jeni ju që do të merreni me aplikimin e Shqipërisë apo një Komisioner tjetër?
Me sa kuptoj, vendet anëtare e kanë diskutuar këtë çështje në COREPER dhe ka një shans të mirë që vendimi teknik për t’i kërkuar Komisionit që të përgatisë AVIS do të merret nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë, në Nëntor. Ka një shans të mirë për këtë dhe unë do ta mirëprisja këtë sepse koha tashmë ka ardhur. Ne do të fillojmë sipas procedurave tona normale të përgatisim Opinionin. Me këtë dua të them se unë nuk do t’a përgatis këtë vetë gjatë periudhës së Krishtlindjeve, prandaj sipas mendimit tim, kjo do të bëhet nga Komisioni i ardhshëm dhe sigurisht Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në Komisonin e ardhshëm është ai që do të ngarkohet për përgatitjen e opinionit mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE.