KLSH, kallëzim penal në prokurori për skemën korruptive të Elvis Rroshit
Shkelje ligjore në bashkitë Kavajë e Kuçovë, të drejtuara nga PS
Rezultatet e auditimit të KLSH në disa njësi vendore konstatojnë shkelje të rënda ligjore në bashkinë e Kavajës dhe Kuçovës, në kryerjen e pagesave, procedurat e prokurimit publik dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, me pasojë një dëm ekonomik në vlerën 300 milionë lekë. Shkelje janë konstatuar nga auditimi i KLSH edhe në komunat Gjinar dhe Levan, përkatësisht në qarkun Elbasan dhe Fier. Për shkeljet dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, KLSH ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për “Shpërdorim detyre” për 20 punonjës
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë dje publik rezultatet e auditimit në Bashkitë Kavajë, Kuçovë, dhe në komunat Gjinar, Qarku Elbasan dhe Levan, Qarku Fier, gjatë të cilave ka vërejtur shkelje të rënda ligjore. Kështu ky institucion, ka depozituar në prokurori 4 kallëzime penale për 20 persona punonjës dhe ish-punonjës të këtyre bashkive dhe komunave. “Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kavajë, të përfunduar në fund të muajit mars 2013, krahas punës së bërë, KLSH ka konstatuar dhe mjaft parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 24,753,713 lekë. Për rrjedhojë, KLSH, ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë, në cilësinë e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, neni 258 i Kodit Penal, pasi kanë s’kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë në 8 tenderë me ofertë më të ulët, duke i shkaktuar një dëm ekonomik Bashkisë në vlerën 12,788,587 lekë, në kundërshtim me përcaktimet e parashikuara në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar. Për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH ka rekomanduar marrjen e 8 masave organizative; dhënien e masave administrative gjoba të niveleve të ndryshme, si dhe fillimin e procedurave për dhënien e masës “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës të Bashkisë, si Kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave dhe 5 anëtarë të tij; “Zgjidhje të kontratës së punës” për Kryeinspektorin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Kavajë, etj”, thuhet në njoftimin e KLSH. Ndërsa, “Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kuçovë, KLSH ka konstatuar mjaft të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit si në drejtim të administrimit material e monetar ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë në shumën 5,823,874 lekë, nga të cilat 2,803,111 lekë në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave për punë publike, 1,538,918 lekë në fushën e administrimit material e financiar dhe 1,481,845 lekë në fushën e urbanistikës. Për shkeljet e mësipërme dhe dëmin ekonomik të shkaktuar, KLSH ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për “Shpërdorim detyre”, për Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale dhe Përgjegjësen e Financës, si dhe Drejtorin e Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë. Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar 8 masa organizative; 12 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,823,874 lekë dhe 27 masa disiplinore, nga të cilat 1 masë “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e Shërbimeve të Transportit; 3 masa “Zgjidhje të kontratës së punës” për Drejtorin Ndërmarrjes Komunale, Përgjegjësen e Financës dhe Specialistin e Investimeve, 18 masa “Vërejtje me paralajmërim”, dhe 5 masa “Vërejtje me shkrim”, theksohet më tej
KLSH sqaron se, “Gjatë auditimit në Komunën Gjinar, Qarku Elbasan ka konstatuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publik. Sikurse, edhe gjatë auditimit në Komunën Levan, Qarku Fier, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, krahas punës së bërë, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore. Si pasojë e këtyre shkeljeve, buxhetit të Komunës i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8,868,913 lekë. Për shkeljet e mësipërme ka dërguar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 persona, përkatësisht ish-Kryetarin e Komunës në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara për 22 raste të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara dhe miratimin e dhënies të 17 leje ndërtimi për objekte biznesi në tokë arë; ish Sekretarin e KRRT të Komunës; ish-Përgjegjësin e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe tre anëtarë të Bordit, lidhur me marrjen e vendimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore të pandarë.