E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Çmimet për njësi, deri 778 për qind më të larta

 
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, konstaton se çmimet për artikujt e përdorur për nderimin e rrugës janë vendosur apriori
Rreth 38 milionë euro është dëmi i shkaktuar Buxhetit të Shtetit, vetëm nga çmimet për njësi të kontratës së ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo shifër është evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin që ka përpiluar pas hulumtimit që i ka bërë dokumentacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Duke analizuar pikërisht kontratën e lidhur midis DPRR-së dhe kompanisë "Bechtel-Enka", KLSH, në raportin e saj vëren se qeveria shqiptare ka pranuar çmime për artikuj të ndryshëm deri në 778 për qind më të larta sesa mesatarja e tyre, të përdorura nga DPRR në objekte të tjera të ngjashme. Kështu, ekspertët që janë marrë me hartimin e këtij raporti kanë bërë krahasimin e çmimeve për të gjitha zërat që kanë ngjashmëri të plotë me zërat e punimeve të aplikuara nga DPRR në segmentin Kalimash-Kukës-Morinë, si pjesë vijuese e aksit Rrëshen-Kalimash. Pavarësisht se kontrollin e ka kryer për 70 zëra, KLSH, në raportin e saj paraqet një tabelë të dhënash krahasuese vetëm për 20 prej tyre, çka nuk krijon mundësinë për të bërë një pasqyrë të plotë për çmimet e të gjitha materialet e përdorura. Ndërkohë, për 20 artikujt që përmban tabela e pasqyruar në faqen 22 të raportit, vihet re se çmimet e përdorura në kontratën për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash variojnë të jenë nga 19 për qind deri në 778 për qind më të larta se çmimet e përdorura nga DPRR e rrugëve për segmentin vijues të së njëjtës rrugë. "Çmimet e ofruara nga kontraktori janë disa herë me të larta se çmimet e miratuara nga DPRR për vitin 2006, që variojnë nga 18.9 për qind deri disa herë më të larta. Pra, si pasojë e moszbatimit të legjislacionit shqiptar vetëm për zëra, vlera e kontratës është rritur në masën e 37.4 milionë eurove",- shprehet KLSH në raportin e saj. Ndërkohë që nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe duke iu referuar të njëjtit raport, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se kontrata që është lidhur midis DPRR-së dhe "Bechtel-Enka" është lidhur në shkelje të Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe çmimet janë vendosur apriori. "Këto çmime nuk janë negociuar. Detyra për negocimin e këtyre çmimeve apo për udhëheqjen e negocimit të këtyre çmimeve në kontratë ka qenë e "Ecorys Group", kompanisë së paracaktuar nga ministri Basha për këto çmime",- u shpreh Braçe. Ndërkohë KLSH ka vërejtur shkelje edhe përsa i përket pikës së kontratës që i jep të drejtën e paradhënies në masën 19 përqindëve të të gjithë fondit limit të përdorur për ndërtimin e kësaj rruge kompanisë "Bechtel-Enka". Sipas raportit, kjo është bërë në kundërshtim me ligjin për prokurimet i cili lejon paradhënie vetëm në masën e 10 përqindëve të vleftës së kontratës. Shkelje janë evidentuar edhe përsa i përket kostos së tërthortë, tarifën e menaxhimit të projektit etj. Shkelja më e madhe ligjore dhe me dëmin më të madh ekonomik në të gjithë këto kontrata, sipas KLSH-së, ka të bëjë me detyrimet fiskale të kompanive të kontraktuara si për konsulencën, për projektimin, supervizimin, ashtu edhe për ndërtimin e rrugës. Sipas KLSH-së, DPRR ka nënshkruar një kontratë të paligjshme, pasi ka marrë përsipër që të paguajë të gjitha këto detyrime financiare, duke përjashtuar sipërmarrësin nga taksa e TVSH-së në masën 20 për qind të vlerës së kontratës, taksën prej 10 për qind mbi të ardhurat që realizon dhe taksën në burim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›