E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Berisha sërish kryetar i PD? Asgjë s'është e pamundur

Kryetarja e Kuvendit thotë se s'ka menduar të tërhiqet ndonjëherë nga politika. E pyetur për Bamir Topin në PD: "Askush nuk është i pazëvendësueshëm"
Për Topin
Unë mendoj se Topi ka pasur një kontribut në PD dhe qenia e tij si nënkryetar i partisë ka qenë një peshë jo e vogël, po besoj gjithashtu se s'ka njeri të pazëvendësueshëm as në parti, as në institucione, apo dhe media. Sado që dikush të jetë fenomen, nuk mund të besohet se është i pazëvendësueshëm, qoftë në lidershipin e organizatave të ndryshme, apo në fushën e biznesit. Ky është një proces rotacioni.
Për klanet
Unë do jem e hapur me ju. Unë jam nënkryetarja e grupit më të madh politik që është sot në Shqipëri dhe që e ka emrin Partia Demokratike. Çdo koment tjetër do ishte i tepërt. Çdo tentativë tjetër, do ishte një marrëzi dhe luftë kundër vetes.
"Një anëtar, një votë"
Thjesht është një nen statutor dhe është zbatim statutor. Si do ecë kjo gjë, unë nuk e di: nëse do qëndrojë në këtë nivel, apo do ndryshojë tërësisht në raport me organizimin e partive te EPP-së, pjesë e të cilit ne jemi. Por, ky proces mund të kalojë dhe në një model tjetër, siç është ai amerikan. Të gjitha rastet mund të jenë të aplikueshme, janë demokratike, por kjo është një çështje që do ta vendosë Kongresi.
"Asgjë s'është e pamundur". Kjo ka qenë përgjigja e Kryetares së Kuvendit dhe nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, kur është pyetur nëse kryeministri Sali Berisha mund të synojë për një mandat të tretë si kryetar i PD-së, vitin e ardhshëm, kur do të zhvillohet Kuvendi i PD-së. Gjatë një interviste për Televizionin "Ora", Topalli shpjegoi se parimi "një anëtar, një votë" do të aplikohet sipas përcaktimit të statutit, pra vetëm për nëndegët, dhe ai nuk ka të bëjë me përllogaritjeje se do të aplikohet për forumet drejtuese të PD-së në përfundimin e mandatit të dytë të qeverisës, që mund të përkojë me tërheqjen e Berishës nga partia, dhe në këtë mënyrë mbetet e hapur gara mes saj dhe Bamir Topi për kreun e partisë. Nënkryetarja e PD-së ka komentuar edhe largimin e Topit nga parti drejt Presidencës dhe është shprehur se, nuk ka njeri të pazëvendësueshëm në parti.
Kohët e fundit keni ndërmarrë nisma për ndryshimin e pamjes së Kryesisë së Kuvendit dhe sallës së seancave plenare...
Kjo sallë ku jemi, ka qenë salla ku bëheshin plenumet e Komitetit Qendror. Në radhë të parë, ndryshimet i kam bërë me idenë që të zhduk simbolikën që kjo godinë sillte në memorien e gjithsecilit. Këtu merreshin vendimet më të egra, më të pamëshirshme, më mizore, këtu "pushkatoheshin" njerëz. Kjo është arsyeja e parë, që duhet të zhduk çdo gjë nga ajo që ky institucion përfaqësonte. E dyta, është çështje imazhi. Këtu hyjnë personalitetet më të larta të vendeve të tjera, kryetarë parlamentesh, kryeministra, presidentë etj., dhe impakti i parë është ai që ti prek që në hyrje. Është edhe prestigji i shtetit, i zyrës, i Kuvendit. Me të drejtë ne diskutuam përpara për çështje thelbësore. Nuk them se imazhi nuk ka pjesën e vet por pjesa e parë është pjesa thelbësore dhe në raportin mes imazhit dhe asaj që është esenciale, unë vlerësoj këtë të fundit, me një peshë specifike më të rëndë. Unë dua të jemi seriozë qoftë në atë që shohim, qoftë në atë që është shteti dhe esenca e punës së Kuvendit.
Kë do veçoni nga takimet dhe personalitetet që keni takuar?
Në drekën që kemi pasur me Presidentin Bush, kam pasur mundësi që për dy orë rrjesht të flas për një kohë të gjatë me të. Më ka bërë përshtypje se sa më i fuqishëm të jesh, sa më lidership të fortë të kesh, aq më i thjeshtë je, aq më njerëzor dhe tokësor duhet të jesh. Nuk e imagjinoja kurrë që mund të flisja me Presidentin e Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të ndihesha se po flisja me një mik apo një shok klase që mund ta kisha pasur në gjimnaz. Natyrisht, këto gjëra të impresionojnë. Ç'më ka impresionuar tjetër? Më kanë impresionuar shumë takimet që kam pasur në Gjirin Persik. Ndryshe nga ç'mund të kemi ne si perceptim dhe pa folur këtu për "bumin" ekonomik, për projektet, për faktin se ishin mendjehapur në zhvillimet ekonomike dhe për investimet jo pas 5 viteve por edhe pas 50 e 100 viteve.
Ju keni patur një takim me Hilary Klinton e cila ndoshta do të jetë gruaja e parë në postin e Presidentit të Amerikës. Fenomeni Theçer nuk është më i vetëm, e keni edhe ju këtë ambicje për të qenë Kryeministre apo Presidente?
Unë e ndjek me shumë interes fushatën e Hillari Klinton. Sigurisht për faktin se është një grua, kryesisht për faktin se më ka bërë shumë përshtypje takimi me të; një grua që kishte një siguri të jashtëzakonshme në vete për shkak edhe të eksperiencës së saj unike si një first lady, e cila ishte e angazhuar tërësisht në politikën amerikane, e cila sa herë që Shtetet e Bashkuara kishin probleme me Pakistanin apo me vende të tjera, ishte e dërguara speciale e Departamentit të Shtetit, një grua që kishte vendosur veten në qendër të debatit për reformën në drejtësi që edhe sot është tema e debatit kryesor pas asaj të luftës në Irak, që zhvillohet mes Obamës dhe Klintonit. Sigurisht që është ispiruese për çdo grua që do të sjellë një ndryshim në politikë. Unë, si Kryetare e Parlamentit nuk kam ndryshuar asgjë në axhendën time dhe jam shumë e kënaqur që kam mundësi që të përballem me sfidat që sjell dita. Jam shumë e kënaqur që kam arritur të kapërcej momente të vështira dhe jam shumë e kënaqur që në dy vite kemi bërë të mundur që edhe imazhi i Shqipërisë të ndryshojë. Duhen bërë përpjekje të gjithashme që të përmirësojmë këtë imazh dhe të tregojmë atë që ne në fakt jemi realisht."
Përsa i përket angazhimit tuaj si nënkryetare e PD-së. Pas 3 korrikut 2005, ju nuk jeni parë shpesh në selinë e PD-së?
Sigurisht që ndërtesa ka simbolikën e vet, por partia janë njerëzit dhe strukturat. Ne të gjithë jemi shpërndarë në bazë sepse ka qenë një rast për festuar datëlindjen e degëve në rrethe. Është në detyrën e çdo partiaku për të ndjekur të tilla aktivitete dhe sigurisht që pjesa e militantëve është haseti i Partisë Demokratike, dhe kjo pjesë është më shumë se AND-ja e saj, sepse PD-ja është një parti e madhe . Është një parti, e cila ka bërë udhëtim të gjatë 17-vjeçar dhe në këtë udhëtim ka bërë dhe ka mësuar shumë, është rritur dhe është konsoliduar.
Si i komentoni deklaratat e drejtuesve teknikë të partisë, se parimi i shpallur nga kryetari Berisha "një anëtar, një votë" do të zbatohet për degët lokale ndërsa për vetë kreun e PD në vitin 2013?
Më vjen keq, që këto deklarata nuk i kam ndjekur me kujdes personalisht, pasi kam qenë në udhëtime pune. Por, çështja e zgjedhjeve në parti është një proces dhe ka një afat të përcaktuar në statutin e PD-së, i cili parashikon që në fazë të parë të zhvillohen zgjedhjet për nëndegët dhe pastaj do të jetë Kongresi, ku do të vendoset se çfarë ndryshimesh ose jo do t'i bëhen statutit të ardhshëm. Thjesht është një nen statutor dhe është zbatim statutor. Si do ecë kjo gjë, unë nuk e di: nëse do qëndrojë në këtë nivel, apo do ndryshojë tërësisht në raport me organizimin e partive te EPP-së, pjesë e të cilit ne jemi. Por ky proces mund të kalojë dhe në një model tjetër, siç është ai amerikan. Të gjitha rastet mund të jenë të aplikueshme, janë demokratike, por kjo është një çështje që do ta vendosë Kongresi.
Realizimi i procesit të votimit "Një anëtar, një votë" ka lidhje me përllogaritjet mediatike të llojit se përfundon mandati i dytë qeverisës dhe është koha e tërheqjes së Berishës nga politika. Për rrjedhojë, gara mbetet e hapur mes jush dhe Topit për kreun e partisë?
Ju thatë vetë që janë spekulime mediatike. Absolutisht nuk kam dëgjuar gjë prej kolegëve, sepse kurrkush mund të vendosë çfarë do të ndodhë në kongresin e ardhshëm, dhe cila është ngjarja që do ndodhë në 2013-ën. Realisht i bie që të merremi me horoskopin dhe unë nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë, sepse nuk i kam besuar kurrë. Unë mendoj se mandatet mund të përsëriten, kjo është e mundshme dhe s'besoj se ka njerëz profetë që parashikojnë se ç'do ndodhë. Ajo që unë dëshiroj, është se në këtë periudhë ne po ecim mirë në proceset integruese, kjo është ambicia më e madhe dhe për këtë jam e sigurt, së pari e vetë Kryeministrit dhe më pas e gjithë zyrtarëve të tjerë".
Pra, Berisha mund të synojë mandatin e tretë?
Asgjë s'është e pamundur.
A ekzistojnë klane në PD, deklaratë që është dhënë dhe nga eksponentë të kësaj partie?
Kam dhjetë vjet që dëgjoj dhe lexoj që ka grupe, klane, por i lexoj dhe qesh, dhe kjo nuk më bën përshtypje. PD është më e bashkuar se kurrë, është parti në pushtet dhe ka një ndryshim të madh mes një partie që ka marrë riskun e drejtimit të vendit dhe të atyre që tentojnë të marrin pushtetin.
Përgjegjësitë e partisë në pushtet janë të mëdha dhe ajo do e masë veten me produktet e reformave dhe sa rezultate ka, se sa më shumë ka rritur rrogat, pensionet, nivelet e jetesës, përmirësimet, lehtësimet për biznesin dhe sfidat që ne kemi për integrimin e vendit. Është partia me e madhe në Shqipëri, ku ka diskutime konstante dhe në të kaluarën dhe kështu do të vazhdojë. Në 17 vjet ka tentuar të ndryshojë imazhin e saj. Dhe kjo është funksionimi dhe detyra e çdo partie. Dhe në këtë kuptim, nuk kam asnjë kundërshtim.
A keni ju një grupim, lob tuajin?
"Unë do jem e hapur me ju. Unë jam nënkryetarja e grupit më të madh politik që është sot në Shqipëri dhe që e ka emrin Partia Demokratike. Çdo koment tjetër do ishte i tepërt. Çdo tentativë tjetër, do ishte një marrëzi dhe luftë kundër vetes.
Me largimin e Bamir Topit si President, a është krijuar ndonjë boshllëk dhe nëse po, është plotësuar?
Unë mendoj se Topi ka pasur një kontribut në Partinë Demokratike dhe qenia e tij si nënkryetar i partisë ka qenë një peshë jo e vogël, po besoj gjithashtu se s'ka njeri të pazëvendësueshëm as në parti, as në institucione, apo dhe media. Sado që dikush të jetë fenomen, nuk mund të besohet se është i pazëvendësueshëm, qoftë në lidershipin e organizatave të ndryshme, apo në fushën e biznesit. Ky është një proces rotacioni.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Berishën dhe Topin?
"Marrëdhënie bashkëpunimi, të mira dhe konstante prej shumë vitesh. Sigurisht që ka diskutime dhe këto kanë qenë konstante që në '96, por ka luajalitet. Në politikë ka një princip. Kryetari i PD-së ka pranuar që unë të jem Nënkryetarja e partisë. Gjërat diskutohen kur është për t'u diskutuar dhe merren vendime që janë për t'u marrë, dhe më pas ecet me të njëjtin program. Partia kështu funksionon, prandaj është vendimmarrja brenda partisë dhe ajo që ne na bashkoi të gjithëve është platforma, programi si grup mazhorance, struktura, forumet partiake dhe qeveria, dhe kështu funksionon kudo. Atëherë kur nuk funksionon, ndodhin kriza, çarje dhe ne i kemi të kthjellëta ngjarjet që ndodhën me një parti tjetër. Jemi komplementarë dhe po të mos jesh komplementar, nuk jemi të suksesshëm në reforma, nuk ke efektivitet në punën e përditshme, nuk ke vendimmarrje dhe nëse s'ke vendimmarrje, je në stanjacion dhe çon vendin në krizë".
Kur keni menduar të tërhiqeni zonja Topalli?
Nuk e kam menduar ndonjëherë. Kalimtarë jemi në këtë botë, kalimtarë jemi dhe në politikë. Për sa kohë që jemi, duhet të jemi të vërtetë në vlerat në të cilat ne besojmë. Kjo është themelore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›