E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH nënshkruan marrëveshje me Konkurrencën

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Marrja e masave për të ndalur në kohë partneritetin privat që deformon konkurrencën dhe dëmton qytetarët, do të jetë në fokus të dy institucioneve kyçe në vend, siç janë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës. Krerët e dy institucioneve, Bujar Leskaj dhe Lindita Lati, nënshkruan ditën e djeshme një marrëveshje, e cila sanksionon pikat e bashkëpunimit mes dy palëve në shërbim të qytetarëve. Kështu, sipas marrëveshjes, KLSH merr përsipër të njoftojë Autoritetin e Konkurrencës për të gjitha ato raste kur gjatë auditiveve që kryhen has praktika të administratës, koncesioneve apo prokurime që mund të japin efekt negativ në konkurrencë. Nga ana tjetër, edhe Autoriteti i Konkurrencës në marrëveshje merr përsipër që në rastet kur kryhen hetime dhe kontrolle dhe has në praktika të gabuara të administratës që cenojnë interesat pasurore të shtetit, të njoftojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në fjalën e tyre dje para nënshkrimit të memorandumit, drejtuesit e institucioneve e kanë vlerësuar këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme, sidomos në aspektin e detyrimeve që marrin përsipër palët. Kjo marrëveshje pritet që të pasohet edhe nga aktivitete të përbashkëta të të dyja institucioneve në shërbim të uljes së shkeljeve të administratës dhe dëmit të saj, dhe nga ana tjetër ndalimin në kohë të praktikave abuzive që deformojnë konkurrencën. Vetëm pak kohë më parë KLSH-ja nënshkroi një memorandum me një tjetër institucion të rëndësishëm, siç është Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës marrëveshjen e fundit e nënshkroi vetëm një muaj më parë me Drejtorinë e Markave dhe Patentave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›