E Diel, 1 Nëntor 2026

Naço: Albpetrol nuk ka sjellë asnjë fitim në buxhet

Nasip Naço

Ministri i Ekonomisë për qëndrimin kundër të opozitës: Luftë brenda llojit.

Kreu i METE: Privatizimi do ta bëjë më eficiente. Kontrata jonë, më e mirë se ajo e opozitës në 2004-n.

Qeveria mendon se privatizimi i Albpetrolit do ta kthejë atë në një kompani eficiente, e cila do të sjellë të ardhura në buxhet. Për ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nacip Naço, duket se kalimi te privati është e vetmja mënyrë që arka e shtetit të përfitojë ato para që ka vite të tëra që nuk i merr nga kjo kompani. Problemet që ka shfaqur kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës lidhen me numrin e lartë të punonjësve, eficiencën e munguar, ku prodhimi është shumë i ulët dhe, nga ana tjetër, një zinxhir me borxhe. Kompania Albetrol ka 4500 punonjës dhe nxjerr 58 mijë tonë naftë, ndërsa kompania tjetër në Patos-Marinzë, me 350 punëtorë, nxjerr rreth 600 mijë tonë në vit. Ky është dallimi dhe prandaj duam ti shesim, sepse për vite me radhë shteti nuk përfiton gjë në buxhet që ti investojë ato në rrugë apo hekurudha, që është shumë e rëndësishme, tha dje Naço. Lidhur me qëndrimin kundër të opozitës, ai e cilësoi atë si një luftë brenda llojit dhe jo si një qëndrim të unifikuar që lidhet direkt me Albpetrolin. Ai solli në vëmendje kontratën e vitit 2004, kur opozita e sotme, atëherë në qeveri, i kaloi një kompanie të huaj fushën më të madhe naftëmbajtëse në vend, Patos-Marinzën, me kushte të tilla që nuk sjellin përfitim në buxhet. Kreu i METE-s garantoi se marrëveshja që qeveria do të nënshkruajë për privatizimin e Albpetrolit do të jetë më e mirë se ajo e vitit 2004. Unë e lidh këtë me marrëveshjen që ka hedhur bazat në 2004-n. Nuk them se kanë gabuar apo kanë shkelur ligjin, por aq e kanë pasur njohurinë e tyre lidhur me marrëveshjet hidrokarbure dhe e kanë lidhur me ato kushte që nuk përfiton shteti shqiptar, tha Naço lidhur me marrëveshjen e lidhur nga opozita aktuale. Nga ana tjetër, ministri theksoi se menaxhimi i Albpetrolit duhet tu kalojë kompanive që kanë më shumë eksperiencë në sektorin hidrokarbur dhe vetë Shqipëria nuk e ka atë. Ne aq i kemi njohuritë tona në këtë fushë, dhe është Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve që e mbulon. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme, por tregu është i tillë dhe njohuritë tona janë të tilla që nuk kemi arritur dot të bëjmë një kontroll të saktë të tregut. Kjo është një nga arsyet që ne do tia shesim këtë të drejtë, nuk do tia falim, siç bëmë në 2004-n, kësaj kompanie që do të privatizojë Albetrolin, që të jetë e specializuar dhe të kontrollojë nëse investimet janë siç deklarohen nga kompanitë apo jo, tha Naço. Njëkohësisht ai theksoi se gjithë procesi i privatizimit do të jetë transparent. Aktualisht, konsulenti që po merret me gjithë këtë proces do të përmbyllë të gjitha detajet e të dhënave mbi bilancet dhe gjendjen e Albpetrolit dhe do të hartojë edhe kontratën përkatëse të privatizimit. Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi vetëm me votat e maxhorancës ligjet që sanksionojnë kalimin për privatizim të kompanisë së nxjerrjes së naftës.

Opozita, kundër privatizimit
Opozita ka mbajtur një qëndrim kundër privatizimit të Albpetrolit si gjatë debateve në komisionet parlamentare, ashtu dhe në Parlament. Sipas kësaj të fundit, Albpetroli po falet dhe se nafta që gjendet nën tokë ka vlerë që shkon në miliarda dollarë. Gjatë gjithë procesit, deputetët e PS theksuan se po shitet pasuria e shqiptarëve, dhe kjo me një çmim të lirë në kohën kur nafta në tregjet botërore po shënon çmime rekord.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›