Çelet panairi Ndërtime 2012, hapur për vizitorët gjatë tri ditëve
Ka çelur dje dyert në Tiranë panairi Ndërtime 2012, në të cilin marrin pjesë 100 firma të rajonit që operojnë në këtë sektor. Në ceremoninë e djeshme të hapjes mori pjesë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i cili përgëzoi biznesin për sipërmarrjet e kësaj natyre. Panairi Ndërtime 2012 është një shtysë shumë e mirë për ekonominë shqiptare dhe atë të rajonit. Unë kam nderin të ftoj të gjitha bizneset dhe investitorët shqiptarë që ta vizitojnë këtë panair, sepse është i rëndësishëm për të gjithë. Ministria jonë është e hapur për panaire dhe evenimente të tilla, të cilat forcojnë ekonominë. Nga ana tjetër, ftoj edhe publikun që të marrë pjesë në panair, pasi është një mundësi e mirë për të gjithë, tha Naço. Në ditën e parë të hapjes panairi pati vizitorë si nga ana e bizneseve të interesuara, ashtu dhe qytetarë të thjeshtë. Kompanitë pjesëmarrëse vijnë nga rajoni dhe më saktë nga Greqia e Maqedonia, dhe do të ekspozojnë për tri ditë pajisje dhe makineri nga më të ndryshmet, ndërkohë që emrat pjesëmarrës janë kompani lider. E veçanta e këtij panairi ka qenë edhe ajo e një lotarie që po zhvillohet. Kjo është një risi e sjellë në vendin tonë vetëm nga organizatorët e panairit. Vizitorët e parë kanë shfrytëzuar rastin duke tërhequr biletat e duke u bërë pjesë e shortit, i cili do të hidhet pasditen e së dielës. Një nga vizitorët fatlumë do të bëhet pronar i një shtëpie. Ai do të telefonohet nga organizatorët e panairit dhe sponsori, dhe do i komunikohet se është bërë pronar i një shtëpie.