E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH, sulm Prokurorisë dhe gjykatave



nertila maho

Parregullsitë dhe shkeljet financiare të institucioneve shtetërore gjatë vitit të kaluar kanë shkaktuar një dëm me vlerë 7.3 miliardë lekë. Në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohen sektorët ku janë konstatuar këto shkelje, ndër të cilët rekord mban shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore. Problematike shfaqet situata edhe për fushën e tatimeve, prokurimeve publike, dogana, shpërblime, shpenzime operative dhe sistemin e pagave. Kryetari i KLSH-së, Robert çeku, shpjegoi dje para Komisionit të Ekonomisë se në total nga institucioni që ai drejton, gjatë 2009 janë realizuar plot 150 kontrolle nga 147 të planifikuar. Janë përgatitur dhe janë dërguar në organet respektive 62 propozime për ndryshime dhe përmirësime ligjore, nga të cilat janë realizuar 32. “Lidhur me llojet e kontrolleve për vitin e kaluar, struktura e tyre paraqitet si vijon: kontrolle ligjshmërie dhe vlerësuese 72, kontrolle për ligjshmërinë dhe rregullsinë 54, kontrolle financiare dhe certifikim llogarie 10, performance 5, kontrolle vlerësues 3 dhe tematikë 6.”
Problemet me Prokurorinë
Marrëdhënien e KLSH-së me Prokurorinë, çeku e përkufizoi dje si kritike, madje ai shprehu rezerva për formimin e dobët të prokurorëve në rrethe. “Gjatë vitit 2009, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në organet e prokurorisë nëntë kallëzime penale. Janë kallëzuar gjithsej 27 persona me një vlerë dëmi ekonomik 1.9 miliardë lekë. Nga përgjigjet që kemi deri më sot për të gjitha çështjet që i kemi dërguar prokurorisë, janë të gjitha në hetim”, tha çeku. Ai i vlerësoi lëvizjet nga ana e këtij organi si shumë të ngadalta, duke informuar se ka pasur raste kur prokurorë të rretheve i kanë pushuar çështjet e ngritura nga KLSH-ja me argumentime të dobëta profesionale. “Për këtë arsye kemi qenë të detyruar që të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Janë një numër i madh çështjesh të depozituara në këtë gjykatë. Për fat të keq nuk kemi një përgjigje edhe nga kjo e fundit”, vazhdoi çeku. Ai bëri me dije për ekzistencën e një marrëveshjeje me prokurorinë, e cila formalisht është zbatuar, por pjesa substanciale e saj lë për të dëshiruar, pasi nuk ka një harmonizim në bashkëpunimin e dy institucioneve.
Amnistia Fiskale
Interesit të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, për një amnisti fiskale, kreu i KLSH-së i ka konfirmuar qëndrimin e tij “pro”. “Disa vite më parë kam qenë një ndër ata që kam përkrahur amnistinë fiskale. Kam qenë jam dhe do të jem me idenë që në një vend në tranzicion si Shqipëria është e nevojshme një amnisti fiskale”, u shpreh çeku. I vetmi defekt në këtë mes, sipas tij, është që çdo ditë persona të ndryshëm japin mendime subjektive për këtë nismë fiskale dhe nuk ka një qëndrim të njëjtë. “Ka vende në botë që e kanë përdorur disa herë amnistinë. Por ajo që ngatërrohet në Shqipëri është fakti që akoma nuk kemi një definicion të saktë se ç’kuptojmë me të. Vë re me keqardhje që nuk ka një autoritet që të shpengojë se ç’është amnistia. Ajo që duhet bërë është që të vendoset definicioni për amnistinë dhe jo dëshira subjektive e të gjithëve”, u shpreh kreu i KLSH-së. Sipas tij, një amnisti duhet të jetë e ndërgjegjshme, ezauruese (bëhet vetëm një herë) dhe e ndershme, në mënyrë që të pranohet nga të gjithë që kjo është forma e vetme për të ricikluar paratë e ekonomisë gri në Shqipëri.

Dëmet ekonomike në sektorë

Shitje/Qira e pasurisë shtetërore 3.1 miliardë lekë.

Tatim-taksa 2.5 miliardë lekë,

Prokurimet publike 430 milionë lekë

Sistemi doganor 302 milionë lekë

Shpërblime 234 milionë lekë

Shpenzime operative 26 milionë lekë

Sistemi i pagave 22 milionë lekë

Sektorë të tjerë 566 milionë lekë

Totali 7.3 miliardë lekë

KallEzimet penale

Komuna Rrashbull
3 ZYRTARe

Komuna Luz i Vogël
2 ZYRTARe

Shërbimi Pyjor Lezhë
1 ZYRTAR

KESH sh.a
11 ZYRTARe

Tatimet Durrës
3 ZYRTARe

Tatimet Fier
2 ZYRTARe

Tatimet Korçë
5 ZYRTARe

Dëmi ekonomik 1.9 miliardë lekë

“Abuzimi me shpërblimet, të ndryshojë ligji”

Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah shkelje të një dëmi në vlerë 234 milionë lekë në fushën e shpërblimeve. Deputeti Shefedin Shehu e konsideroi këtë si një pikë që duhet të përbëjë shqetësim, ndërsa nga ana e kreut të KLSH-së ka ardhur një propozim. “është koha që të mendojmë për një ligj të veçantë. Mendoj se kjo pikë duhet të disiplinohet me një ligj dhe shumë thjesht mund të përcaktohet fakti kur jepet shpërblimi, në mënyrë që të mos lihet në gjykimin subjektiv të titullarit”, - tha çeku. Edhe pse sipas tij, kjo mënyrë abuzive nuk është në nivele të larta, prapë duhet parë me kujdes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›