E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet ikona e teatrit shqiptar Agim Qirjaqi



Izaura Ndoj

I jepet lamtumira një prej figurave më të njohura të kinematografisë shqiptare. Zemra e Agim Qirjaqit ndali në moshën 59 vjeçare. Dje në Teatrin Kombëtar janë kryer homazhet në nder të aktorit të mirënjohur Agim Qirjaqi. Kolegë të tij, miq, të afërm, por dhe mjaft qytetare i dhanë lamtumirën e fundit ikonës së teatrit. Kinematografia dhe arti shqiptar humbi aktorin që me rolet dhe kontributin e tij do të mbetet i pavdekshëm. Agim Qirjaqi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, duke u ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, kur kishte ende potenciale dhe fuqi për ti dhënë artit shqiptar. Kohë më parë aktori ishte shtruar në spital, ku pas analizave të kryera, mjekët konstatuan se aktori vuante edhe nga tumori në kocka. Po ashtu, edhe veshkat ishin rënduar së tepërmi nga azotemia. Kanë qenë sëmundjet ato që e mposhtën fizikisht, por veprat dhe rolet e tij do ti shërbejnë të gjithë brezave.
Kush është Agim Qirjaqi
U lind në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977. Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu fillon të japë mësim, mjeshtrin e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdon edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë. Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2 vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas herë kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit. Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fiton titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Filmografia/ Aktor

* Kronikë provinciale (2009)
* I dashur armik - (2004)....Ethem
* Parullat - (2001)....Drejtori i Shkollës
* Colonel Bunker - (1998)
* Dasma e Sakos - (1998)
* Viktimat e Tivarit (1996)
* Nata e dymbëdhjetë - teatër-komedi
* Misioni përtej detit - (1988)
* Stolat në park - (1988)
* Rrethi i kujtesës - (1987)
* Tela për violinë - (1987)
* Apasionata - (1983)
* Në prag të lirisë - (1981)
* Sketerre 43 - (1980)
* Radiostacioni - (1979)
* Dimri i fundit - (1976)
* Lulekuqet mbi mure - (1976)......Drejtori i Shkollës
* Rrugë të bardha - (1974)

Regjisor
* Dorina - (1979) (TV)

Teatër

"Familja e peshkatarit" e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)
"Hijet e natës" e Vedat Kokonës
"Komunstët" e Ruzhdi Pulahës.....Faslliu
"Orët e Kremlinit" e N.Pogodin

Regjisor/ Teatër
“Armiku i popullit” të Ibsenit
“Fando e Lis” të Arrabalit
“Këngëtarja tullace” të Ioneskos
“Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozmait
“Rikardi III-të” të Shekspirit

Çmime e Tituj
Çmimin “Aleksandër Moisiu” me dramën “Fando e Lis” të Arrabalit në Festivalin e Teatrove në vitit 1994 .
“Çmimin e I-rë” për rolin e Drejtorit në filmin “ Lulëkuqet mbi mure” për rolin e Drejtorit të shkollës tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”në Festivalin e II-të të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë prej datës 16 deri më 23 Prill 1976.
Medaljonin e Festivalit për rolin e Drejtorit të shkollës tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” në Festivalin e II-të të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë prej datës 16 deri më 23 Prill 1976.

Rama, mirënjohje aktorit të madh Agim Qirjaqi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje i pranishëm në homazhet e aktorit të njohur, Agim Qirjaqi, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë, pas një sëmundje të rëndë. Lideri i opozitës, e quajti një humbje të madhe vdekjen e aktorit, i cili ka interpretuar shumë role në skenat dhe filmat shqiptar, duke lënë pas një arkiv të çmuar për brezat që vijnë pas. “Detyrohem të gjej fjalë që në fakt janë shumë të vështira për tu gjetur, për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe njëkohësisht përmasën e një humbjeje siç është humbja e një artisti që ka lënë gjurmë në kujtesën e secilit dhe në kulturën tonë kombëtare”. Më tej Rama duke vlerësuar figurën e artistit Qirjaqi tha se, “Megjithatë, për shkak se kështu ndodh dhe se kështu është jeta, më ritakon të të rishpreh nga njëra anë keqardhjen e madhe për humbjen e madhe të këtij artisti të madh dhe nga ana tjetër shqetësimin që këto vende që po zbrazen në panteonin e kulturës së gjallë shqiptare dhe që po mbushin panteonin e kujtesës, duhet bërë çmos që të zëvendësohen me të tjerë. Mendoj se për brezin e ri dhe për brezat që vijnë të aktorëve dhe aktoreve, do të jetë më e lehtë pikërisht për shkak se aktorë si Agim Qirjaqi dhe të tjerë, që u ndanë përpara nga jeta përpara tij, kanë lënë pas një eksperiencë të çmuar që pa asnjë dyshim ju shërben si pikë referimi dhe atyre që japin mësimin e këtij arti të madh dhe atyre që e marrin këtë mësim-tha në fjalën e tij Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Topi mesazh ngushëllimi familjes së Agim Qirjaqit
Mesazh ngushëllimi nga presidenti i Republikës Bamir Topi për familjen e aktorit, regjisorit dhe pedagogut të njohur Agim Qirjaqi i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Kreu i shtetit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit Agim Qirjaqi. “Me hidhërim të madh mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Në këto çaste fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e të dashurit Agim, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!” thuhet në mesazhin e zotit Topi, të publikuar nga zyra e medias pranë presidencës. Presidenti vlerëson më tej figurën e Qirjaqit, si “njeriu, i cili ia përkushtoi jetën me altruizëm e profesionalizëm familjes, aktrimit si dhe vlerave më të spikatura qytetare”. “Duke qenë i bindur se i ndjeri Agim Qirjaqi, rolet dhe vepra e tij në tërësi do të vazhdojnë të mbeten përgjithmonë të gdhendura në piedestalin e skenës dhe kinematografisë shqiptare si dhe kujtesën e artdashësve, më lejoni edhe një herë të ndaj me ju dhimbjen e pa rrëfyer njerëzore!” – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të shtetit.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›