E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Dakord me varrezat greke, por duhen nderuar çamët



Mentor Nazarko

Në një intervistë dhënë gazetarit Mentor Nazarko për emisionin "Antinomi" në TV Koha, Presidenti Bamir Topi flet për ngjarjet e fundit. Kreu i shtetit dënon ngjarjen në ushtrinë greke, kur një grup ushtarësh këndonin këngë fyese ndaj shqiptarëve, si dhe vlerëson reagimin e shtetit grek. Në këtë intervistë, Topi flet edhe për çështjen çame, duke deklaruar se ai e ka trajtuar këtë temë në takimet e tij bilaterale.
Po e nis me një pyetje të parë, që lidhet me mesazhet që vijnë nga politika e ditës. Opozita ka paralajmëruar protesta në datën 30 prill, ndërsa maxhoranca po i përgjigjet me një tjetër manifestim në datën 1 maj. Cili është mesazhi që ju doni të jepni nisur nga këto njoftime që vijnë nga politika?
Natyrisht nuk mund të ketë një mesazh eksplicit që vjen nga Presidenti për partitë politike, sepse çështjet janë të ndara, pushtetet janë të ndara, partitë politike kanë të gjithë hapësirën demokratike të nevojshme që të marrin vetë vendimet politike, të shprehin të gjithë taktikat politike, pra, do ta konsideroja si një element ekskluziv të partive politike. Mesazhi është që çdo lëvizje politike, duhet patjetër që të shkojë në interes të zhvillimit të standardeve të demokracisë, padyshim, të japë sensin e arritjeve dhe të progresit, qoftë dhe nëpërmjet një proteste. Dihet, qoftë nga eksperiencat botërore, qoftë nga eksperiencat shqiptare, qoftë nga eksperiencat personale, që të gjithë kemi protestuar në një moment. është një hapësirë lirie, e cila mund të shfrytëzohet në çdo moment të dhënë kur partitë politike apo individë të caktuar mendojnë që mund të protestojnë në mënyrë transparente, për të dhënë mesazhet e duhura publike.
Në përgjigjet e deritanishme, është e vështirë, flas për publikun me perceptim me kritika të forta për klasën politike në vend. Megjithatë ju jeni duke vuajtur si Institucion, duke vuajtur pasojat e krizës që është emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë në vendet vakante.
Ende jo për Gjykatën Kushtetuese sepse ende jemi në kohë, por për të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, vërtet ne po e ndiejmë dhe nuk është çështje që e ndien vetëm Institucioni i Presidentit. Institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim, që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër, në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah. Unë do të dëshiroja që ata të ishin të gjithë në sallë, sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë, dhe për pushtetin e tretë nuk janë jo një apo dy vjet, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra, po t'i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykatat, të cilët në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet. Dhe nëntëdhjetë vjet që realizohen si zgjedhje brenda një muaji, do të thotë që duhet të jetë një vëmendje e jashtëzakonshme.
Megjithatë vijmë te një çështje që është e prekshme tani, e një debati publik, që është marrëdhënia me Greqinë. Ju e keni ndjekur besoj, të ashtuquajturin manifestim të marinsave grekë, të cilët këndonin këngë raciste ndaj shqiptarëve. Raciste jo në fakt, por këngë të egra, antinjerëzore do të thosha, antishqiptare?
Ajo që unë mund të them tani në këtë moment, është që, më vjen mirë që ka reaguar Qeveria greke, nëpërmjet zërit eksplicit të Ministrit të Mbrojtjes, të Zëvendësministrit të Mbrojtjes, dhe patjetër ato i kanë dënuar, dhe ndjesa e kërkuar të dikton që të mos ta trajtojmë këtë temë, sepse zëra të çjerrur nacionalistë, zëra që nuk i shërbejnë një miqësie që është instaluar nëpërmjet institucioneve tona, aq më shumë midis dy vendeve që janë vende fqinje dhe anëtare të NATO-s, tregon që ky është një proces, i cili patjetër në linjën e dënimit moral, ndoshta dhe ligjor të këtyre zërave, është në kompetencën e institucioneve greke. E rëndësishme është që nga zërat më prominentë të politikës greke, ka ardhur ndjesë dhe një dënim i aktit të këtij kori të çjerrë për të rikthyer në disa situata, të cilat nuk është e nevojshme t'u rikthehemi midis dy vendeve tona.
Këto janë tregues i një lloj klime që ekziston te qarqe të caktuara, te qarqe ushtarake, por edhe unë jam i mendimit që ndjesa ishte e duhur.
Unë mendoj që në momentin e duhur ka një prononcim. është e panevojshme ta thellojmë.
Megjithatë, duket sikur kjo maxhorancë, nuk po i hyjmë në krahasim me maxhorancat e tjera, sikur e ka humbur sensin e reciprocitetit të marrëdhënieve me fqinjin tonë. Le të marrim p.sh. çështjen e varrezave. Fare mirë mund t'i kishte kërkuar palës greke, që krahas ngritjes apo pranimit të ngritjes së varrezave të ushtarëve grekë, të lejohej, të ngrihej një obelisk apo një mënyrë nderimi për viktimat e pafajshme, për gratë dhe fëmijët shqiptarë çamë, të cilët janë vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ju e konsideroni të arsyeshme këtë?
Besoj që çështja e politikës që ka të bëjë me varrezat e ushtarëve grekë, është një çështje e trajtuar prej vitesh në Parlament. Do të thosha që është në standardin e trajtimit të ushtarëve, të cilët kanë rënë në Shqipëri, edhe për kombet e tjera. Kjo merr një kuptim të veçantë, për shkak të marrëdhënieve specifike që ne kemi pasur në të kaluarën me Greqinë. Por besoj që gjëja e parë është në standardet e një politike që ne kemi ndjekur edhe me ushtarët anglezë.
Më falni, zoti President, është madhësia, numri i varrezave…
Unë ju thashë që nuk kam ndërmend të futem në elementë specifikë, por unë e shikoj plotësisht të arsyeshme që duhet të sjellim në vëmendje edhe problemin e nderimit të popullsisë çame, e cila është masakruar në një periudhë të caktuar të historisë. Sot, kur bëhet fjalë për të nderuar, duhen nderuar pikërisht ata të cilët kanë pasur një fat të keq nga politika të caktuara represive. Dhe kur vjen puna për të nderuar, duhet të ketë një barazvlefshmëri dhe jam plotësisht dakord që gjërat duhen parë në ekuilibër. Por, nuk shoh asgjë të keqe në atë vendim që ka marrë Parlamenti, sepse e shikoj si një çështje që është trajtuar me shumë kujdes. Për ta politizuar, pastaj mund t'i japim….
A e keni ngritur këtë çështje me cilësinë e Presidentit të Republikës?
Unë mund t'ju them se në takimet që kam pasur, në mënyrë të vazhdueshme, trajtohen. Këto çështje nuk janë tabu; përkundrazi, ne vazhdimisht e kemi parë çështjen e masakrës çame si një njollë të zezë në historinë e këtyre dy vendeve, të cilat sot janë tejkaluar nga pikëpamja politike, por ka mjaft çështje të karakterit juridik që do të trajtohen, sikurse është çështja e pronave, çështja e lëvizjes së lirë të popullsisë çame, të banesave të tyre. Për derisa sot flasim për një lëvizje të lirë, për njerëz që janë pa komplekse, gradualisht edhe politikat e së kaluarës do të shumohen dhe njerëzit do të shkojnë drejt një terreni më të lirë, qoftë edhe në rrafshin juridik.
Kur unë iu referova humbjes së sensit të reciprocitetit, e kisha fjalën për qëndrimet publike; për shembull, ne pamë në televizion, para pak kohësh, zotin Berisha në vitin 1992-1993 që fliste për rikthim të çamëve në shtëpitë e trojet e tyre; edhe nga protokollet e bisedimeve të atëhershme diplomatike, kishte kërkesa të kësaj natyre, kurse sot çështja duket sikur është reduktuar.
Ju më dhatë të drejtë, sepse edhe në të kaluarën ne kemi diskutuar haptazi për këtë çështje.
Ka qenë periudha 1992-1994...
Unë nuk mund të futem tani në analizën e asnjë institucioni apo individi për të parë dinamikën e shprehjeve, por e rëndësishme është që ai qëndrim që është mbajtur gjithmonë; çështja e intensitetit të shprehjes mund të jetë një çështje tjetër, por nuk besoj që të ketë nga asnjë individ në politikën e institucioneve të Shqipërisë devijim nga ai qëndrim që është mbajtur vazhdimisht.
(Marrë me shkurtime)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›