E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërfytyrohet Tirana,Laçi është në Evropë



Leonard Karaj

Tirana humbet sërish ndaj Vllaznisë, teksa kanë përfituar Laçi dhe Shkumbini për ta parakaluar në renditje. Fitore mbijetese edhe për Flamurtarin në Kavajë. Bardheblutë nuk njihen më si skuadër. Humbja e djeshme në “Selman Stërmasi” tregon se rezultatet negative të javëve të fundit nuk kanë ardhur vetëm nga arbitrat sikundër është pretenduar nga një pjesë e mirë e futbollistëve të kësaj skuadre. Dje u pa në fushë një ekip jo vetëm pa asnjë lloj motivimi për të fituar ndeshjen por totalisht edhe i shpërfytyruar. Pas golit të avantazhit të shënuar me penallti nga Muzaka u duk sikur Tirana do t’i largohej rezultateve negative por minutat e fundit të të dyja pjesëve rezultuan fatale për skuadrën që drejtohet nga futbollist-kapiteno-trajneri, Devi Muka.
Nga humbja e bardhebluve ka përfituar më së miri Laçi, i cili sheh për herë të parë në historinë e tij, Evropën. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica ka fituar në shtëpi, ndaj Apolonisë. Një Laç mjaft rezultativ, i suksesshëm dhe model, deri më tani, sa i takon lojës pa asnjë kompromis me askënd. Gjë që është shpaguar edhe me vendin e tretë në renditje, i cili, nëse do të ruhet deri në fund të garës, do të përbënte një event historik për skuadrën kurbinase. 30 minuta para kësaj ndeshje (13:30), në Peqin Shkumbinit do t’i mjaftonte një penallti e kthyer në gol nga Bakiu që të merrte tri pikë ndaj Teutës, duke kapur Tiranën në vendin e katërt, me pikë të barabarta (35). Ndërsa në Kavajë, Besa ka pritur Flamurtarin, i cili kishte nevojë jetike për pikë, të cilat i ka marrë të plota, falë një dygolëshi të Memellit, por nuk ka ndeshur në rezistencën e një skuadre që deri dje luftonte për titullin kampion, apo që mban vendin e dytë në klasifikim. Mesa duket, llogaritë e Besës në këtë ndeshje kanë qenë të sinkronizuara me ato të Daniel Xhafës, në luftën për kryegolashënues, kështu që vlonjati verdhezi nuk ka munguar të firmosë një gol edhe ndaj vendlindjes së vet. Gjithsesi, tetë javë nga përfundimi i këtij sezoni, veç enigmës së vendit të parë duket se ajo që do të mbajë më shumë në ankth tifozët do të jetë lufta për mbijetesë. Duke nisur që nga Vllaznia e vendit të 6-të (33 pikë) e deri tek Skënderbeu i vendit të 11 (30 pikë), gjithçka mbetet ende e hapur për skuadrën që do të bjerë direkt nga kategoria (Gramozi presupozohet si i pashpresë, me 22 pikë) dhe për dy të tjerat (vendet 9 dhe 10) që do të shkojnë në play-out.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›