Qeveria përfundon përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian
Qeveria mbyll procesin e përgjigjes së 2284 pyetjeve dhe rreth 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të KE-së, të shpërndarë në 35 kapituj. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për Integrimin janë miratuar 5 kapitujt e fundit dhe më pas përgjigjet përfundimtare në gjuhën shqipe të 35 kapitujve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Fillimisht, KNI miratoi përgjigjet e 5 kapitujve të fundit të pyetësorit: Kriteri politik, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë; Kriteri Ekonomik, koordinuar nga Ministria e Financës; Politikat rajonale, koordinuar nga Ministria e Integrimit; Gjyqësori dhe të drejtat themelore, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë; Drejtësia, liria dhe siguria, koordinuar nga Ministria e Brendshme. “Ky është fundi i një maratone shumë të fuqishme. Zotërinj ministra, anëtarë të KNI, jemi mbledhur në takimin përfundimtar të përjavshëm, lidhur me përgjigjet e pyetësorit të KE-së. Ne, pas një periudhe prej 3 muajsh, finalizojmë procesin e përgjigjes së pyetjeve”, - ka deklaruar Berisha. Kryeministri njoftoi se materiali i përfunduar do të dorëzohet në javët e para të muajit prill në KE, duke shprehur bindjen që ky është një proces i parikthyeshëm, në të cilin qeveria ka vullnetin e hekurt për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe promovuar ato, gjithnjë sa më shpejt e sa më parë. “Do të ketë nevojë për sqarime të shumta, do ketë nevojë për riformulime, pasi duke qenë një gjuhë jetime, e bukur e mrekullueshme, shqipja nuk është se mund të prodhojë një anglishte identike me të Brukselit, pra, duhet të jemi të përgatitur edhe për gabime, apo paqartësi në përshkrime, të cilat ndonëse janë angazhuar përkthyesit më të mirë, prapë siç ndodh rëndom edhe shenjat e pikësimit mund të ndryshojnë mendimin. Pra, para se ky disk të niset drejt Brukselit duhet të bëjmë edhe një lexim, për të pasur sigurinë më të madhe në kuptimin e frazës, për t’u siguruar që terma apo vendosje nuk kanë ndryshuar kuptimin e asaj që kemi dashur të themi”, deklaroi Berisha.