KMDLNJ i kërkon Mustafës të ndërhyjë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i ka dërguar një letër të hapur kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, lidhur me problemin e (mos)ngrohjes së qytetarëve të Prishtinës.
KMDLNJ konsideron se çmimi i ngrohjes së qytetit është shumë i lartë, në krahasim me gjendjen ekonomike - sociale të pjesës dërrmuese të qytetarëve.
Sipas KMDLNj-së, ka disa vite që kjo ngrohtore nuk po arrin të ofrojë furnizim me ngrohje për qytetarët e Prishtinës, prandaj me anë të kësaj letra, ajo ka shprehur shqetësimet për gjendjen e furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës e posaçërisht për institucionet edukative, shëndetësore etj.
“Një gjendje e tillë për aq sa është e pashpjegueshme nga aspekti i mendjes së shëndoshë është edhe më e papranueshme në aspektin njerëzor. Dhe krejt kjo është pasojë e papërgjegjësisë së menaxhmentit të ngrohtores së qytetit ‘Termokos’”, thuhet në letrën, e cila iu është shpërndarë edhe medieve.
Këshilli thekson se ia drejton letrën kryetarit të Prishtinës, sepse sipas kornizës ligjore, Termokosin e menaxhon Komuna e Prishtinës.
“Për këtë arsye Z. Kryetar është e domosdoshme që të ndërmerrni masa për të gjetur zgjidhje për problemin e ngrohjes. Papërgjegjësia e kësaj ndërmarrje është njëkohësisht edhe papërgjegjësi e institucioneve mbikëqyrëse të Komunës së Prishtinës!”, thuhet me tej në këtë letër të KMDLNj-së, e cila apelon ndërhyrjen e të parit të Prishtinës në këtë çështje, e cila seriozisht rrezikon mirëqenien dhe shëndetin e qytetarit të Prishtinës.
“Komuna duhet të ndërhyjë jo vetëm për të ofruar ngrohje për qytetarë dhe institucionet publike por edhe për të ngritur kualitetin e shërbimit të kësaj ndërmarrjeje publike dhe sidomos duhet kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga menaxhmenti i saj”, thekson KMDLNJ.