Parregullsitë mësohen sot
Ka përfunduar të martën rinumërimi i 40 për qind të votave të përgjithshme nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, respektivisht 760 kutive, rreth të cilave dyshohej se mund të kishte manipulime.
Parregullsitë e gjetura në këtë proces, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do t’i evidentojë të mërkurën paradite në raportin e vet dhe do t’ia dorëzojë Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.
“Të mërkurën e marrim raportin dhe rekomandimet nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj do të mbajmë mbledhje për shqyrtim të raportit. Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e QNR’së, do të veprojë edhe KQZ’ja, por pa i pasur rekomandimet dhe raportin nuk mund të paragjykojmë çfarë do të bëhet”, ka deklaruar të martën, për Express, Valdete Daka, kryetare e KQZ’së.
Burime të gazetës në QNR bëjnë të ditur se parregullsitë më të mëdha kanë të bëjnë me votat ndërmjet kandidatëve të partive, ndërsa parregullsi në votat ndërmjet partive nuk ka në atë masë sa të rrezikohet procesi zgjedhor.
Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peqani ka njoftuar të martën se paralelisht me procesin e rinumërimit, është bërë edhe futja e të dhënave në bazën e të dhënave dhe auditimi.
Edhe Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim, koalicion ky që ka monitoruar procesin e rinumërimit, ka thënë se ky proces ka ecur mbarë.
“Procesi i rinumërimit të këtyre 40 për qind të rinumërimit të votave, ka shkuar drejt. Në bazë të monitoruesve që ne i kemi atje, nuk ka pasur ndonjë parregullsi që do ta kishim veçuar. Ka pasur parregullsi krejt të vogla e teknike, ku për 40 për qind të votave që janë rinumëruar, nuk është konsideruar se është dëmtuar procesi”, ka thënë Selmanaj.
Sipas tij, nga të gjeturat e QNR’së, KQZ’ja vështirë se do mund të marrë ndonjë vendim për përsëritje të votimeve në ndonjë vend.
“Në bazë të asaj që ne kemi vërejtur aty, nuk na jep shumë shpresë që ndoshta edhe në ndonjë vendvotim të përsëriten zgjedhjet. Nuk ka pasur parregullsi të natyrave të mëdha, të cilat mund ta çojnë ndonjë vend në rivotim edhe një herë, apo edhe për ta ndryshuar vendimin e KQZ’së”, ka thënë Selmanaj.
Ndërkohë, KQZ’ja po bën përgatitjet e fundit për përsëritjen e zgjedhjeve në Drenas, Skenderaj, Deçan dhe në dy vendvotime, një në Lipjan dhe tjetri në Malishevë.
Për këtë proces të rivotimit , KQZ ka marrë një vendim edhe për kohën e zhvillimit të fushatës zgjedhore për këto komuna. Në vendim thuhet se periudha e fushatës zgjedhore do të fillojë më 5 janar dhe do të përfundojë më 7 janar në mesnatë.