KMSH: Nuk patëm përfaqësues në juri
Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, e ka shpallur projektin fitues për ndërtimin e xhamisë së re, pa përfaqësues zyrtarë të Komunitetit Mysliman në jurinë që do të përzgjidhte studion fituese. Ndonëse, sipas Bashkisë së Tiranës, në jurinë e ngritur posaçërisht për këtë konkurs ishte edhe një përfaqësues i Komunitetit Mysliman, burime zyrtare nga KMSH bëjnë të ditur të kundërtën. “Nuk ka pasur përfaqësues zyrtarë të Komunitetit as gjatë prezantimit të projekteve të pesë studiove në garë dhe as gjatë shpalljes së studios fituese. Sikurse nuk ka pasur as në juri. Ne në fakt kërkuam me këmbëngulje që të kishim përfaqësues në juri, por kjo gjë nuk ndodhi”, - pohon drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Komunitetin Mysliman, Agron Hoxha. Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman nuk ka asnjë reagim qoftë pozitiv ose negativ për projektin e shpallur fitues nga Bashkia e Tiranës. “Deri tani nuk na ka ardhur asgjë zyrtare nga Bashkia e Tiranës lidhur me këtë projekt. Në momentin që do kemi diçka zyrtare do të kemi reagimin tonë për këtë çështje”, - ka sqaruar më tej Hoxha. Sipas Bashkisë së Tiranës, fituesi i projektit për xhaminë e re dhe muzen do të përcaktohej nga një juri e ngritur posaçërisht për këtë punë dhe që përbëhej nga 7 anëtarë, nga të cilët katër janë arkitektë të huaj dhe një shqiptar. Kryetari i kësaj jurie ishte kryebashkiaku Rama, ndërkohë që pjesë e saj do të ishte edhe një përfaqësues i Komunitetit Mysliman. Sipas Bashkisë së Tiranës, shtatë anëtarët e jurisë ishin: Edi Rama, Vedran Mimica, Peter Swinnen, Paul Böhm (Boehm), Enzo Siviero, Artan Shkreli dhe asnjë emër konkret për përfaqësuesin e KMSH, ndonëse u përfol se ishte nënkryetari i tij Gazmend Aga, por që sipas komunitetit nuk është e vërtetë.