KMSH: Skeptik për realizimin e ndërtimit të xhamisë së re
Komuniteti Mysliman Shqiptar shprehet skeptik për realizimin e ndërtimit të xhamisë së re në kryeqytet, nismë kjo e marrë nga Bashkia e Tiranës.
Pas një mbledhje të gjatë, Këshilli i Përgjithshëm i këtij komuniteti ka deklaruar se xhamia nuk mund të ndërtohet pa u marrë leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i truallit ku do ngrihet ajo. Duke qenë se komuniteti ka në pronësi vetëm një pjesë të truallit ku do ngrihet xhamia, kërkon që të bëhet shpronësimi për sipërfaqen e mbetur .
Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, në 26 shkurt prezantoi pesë studiot arkitekturore fituese për ndërtimin e xhamisë së re "Andreas Pere Ortega Madrid", "Architecure, studio Paris", "Big Copenhagen", "Serach Amsterdam" dhe "Zaha Hadid Architecht", duke e vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm.
Ndërkaq, Komuniteti mysliman shprehet edhe kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare duke deklaruar se në formular duhet të hiqet vetëdeklarimi i etnisë dhe fesë. Komuniteti mysliman ka shpallur muajin prill, muajin e vlerave profetike.