Qeveria e Kosovës: Ndërhyrja ushtarake në Libi, akt human

Qeveria e Kosovës mbeshtet nderhyrjen ushtarake të forcave ajrore të disa nga shteteve te NATO-s mbi caqet ushtarake të diktatorit Muammar Gaddafi në Libi. Këto sulme i konsideron si akte në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut e më gjerë.
Nëpërmjet një deklarate per shtyp, qeveria ka vlerësuar se nderhyrja mbi pozicionet e diktatorit Gaddafi është akt human në mbrojtje të popullatës civile libiane, e cila kërkon largimin e diktatorit, liri, demokraci dhe prosperitet për popullin e Libisë.
“Kosova e ka të provuar rëndësinë e intervenimeve të natyrës së tillë në vitin 1999, kur NATO me sukses udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe, duke u përmbyllur me sukses çlirimi i Kosovës, por edhe rënia e diktatorit serb, Milosevic”, thuhet në deklarate.
Qeveria e Kosovës solidarizohet me shtetet që mbështesin nderhyrjen ajrore në Libi, përgëzon Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dhënien e së drejtës për intervenim dhe konsideron se “ky veprim është i drejtë, legjitim dhe i domosdoshëm” thuhet me tej.