KNAUF në Tiranë me një ekspozitë

Në Ekspozitën Gjermane në Tiranë, stendat e kompanive janë rreshtuar njëra pas tjetrës. Një nga më të mëdhatë është ajo e "KNAUF"-it, e përfaqësisë së kësaj kompanie në Shqipëri. KNAUF është një grup, botëror kompanish prodhuese e furnizuese materialesh ndërtimi, që është lider në tregun evropian në prodhimin dhe tregtimin të sistemeve të thata të ndërtimit. "Knauf është një kompani gjermane 70-vjeçare, që ka mbi 100 fabrika nëpër botë", thotë Edlira Dakoli, shefe e sektorit të shitjeve të Knauf Tirana sh.p.k.. Tek na sqaron se përfaqësia e Knauf-it në Tiranë e ka filluar aktivitetin në Shqipëri që prej vitit 1995, ajo shprehet se, "Fabrika jonë më e afërt, ndërtuar më 1998, është ajo në Dibër të Madhe të Maqedonisë," thotë Dakoli, tek sqaron se në Ballkan ekzistojnë disa fabrika të tjera, si ato në Kroaci, Serbi, Greqi e Bullgari - në këtë të fundit po ndërtohet një fabrikë e dytë. Knauf prodhon materiale ndërtimi për ambientet e brendshme të godinave, qofshin këto ambiente pune apo banimi. "Prodhojmë që nga muret ndarëse, tavanet varëse, dyshemetë e thata," rrëfen Dakoli, "por kemi edhe sektorin e prodhimit të suvave njështresore po me bazë gipsin, që japin një sipërfaqe shumë të lëmuar. Kjo formë është tre herë më e shpejtë, se sa ndërtimi tradicional, e me kosto të njëjtë me të," shton ajo.
Sistemet e thata të ndërtimit me bazë gipsin janë zhvilluar shumë gjatë 40 viteve të fundit, si një teknologji moderne ndërtimi apo ristrukturimi e rinovimi ambientesh të brendshme. Nga ana tjetër, montimi i quajtur "i thatë" i këtyre materialeve dhe elementeve të gatshme paraqet një mënyrë ndërtimi e cila është ekonomike dhe realizohet në një kohë relativisht të shkurtër.
"Vetëm në vitin 2007 Knauf ka realizuar një xhiro totale vjetore, në shkallë botërore, prej 5 miliard eurosh," thotë Dakoli, tek shpjegon se Knauf Tirana është rritur me ritme të shpejta në tregun shqiptar, sidomos vitet e fundit. "Në Shqipëri ne kemi një rritje prej 30 përqind në vitin 2008 krahasuar me vitin 2007, ndërsa vetëm për 3-mujorin e parë të vitit 2009 kemi një rritje prej 10 përqind të shitjeve të produkteve tona," megjithë vështirësitë që shkaktoi kriza botërore, vazhdon ajo. "Krahasuar me vendet fqinje, ne në Shqipëri kemi një rritje shumë më të madhe se filialet e tjera atje gjatë kësaj periudhe," thotë Dakoli. Për të theksuar zgjerimin gradual të aktivitetit të kësaj kompanie në Shqipëri këto vitet e fundit, ajo shpjegon se edhe në vitin 2006, vit kur sektori i ndërtimit në Shqipëri pësoi një rënie të ndjeshme për shkak të bllokimit të ndërtimeve në Tiranë, rritja e shitjeve të materialeve të Knauf Tirana pësoi një rritje prej 40 përqind, krahasuar me një vit më parë. "Kemi krijuar një rrjet shitjeje në të gjithë vendin, me mbi 100 pika të tilla, të shpërndara pothuaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë," thotë Dakoli.
"Është hera e parë që marrim pjesë në një panair të këtyre përmasave të mëdha, por marrim pjesë rregullisht në ato rajonale që organizohen nëpër qytetet e mëdha," thotë Dakoli, tek shpjegon se ajo që mungon në Shqipëri është organizimi i një panairi të vërtetë të fushës së ndërtimeve, si dhe në vendet e tjera. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar në zgjerimin e ngadaltë, por të sigurt, të biznesit të tyre në Shqipëri.
...