V E N D I M PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR KËRKIMIN, GJETJEN DHE IDENTIFIKIMIN E PERSONAVE TË EKZEKUTUAR GJATË VITEVE TË REGJIMIT KOMUNIST
V E N D I M
PëR
KRIJIMIN E TASK-FORCëS PëR KëRKIMIN, GJETJEN DHE IDENTIFIKIMIN E PERSONAVE Të EKZEKUTUAR GJATë VITEVE Të REGJIMIT KOMUNIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, e cila të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe të ketë në përbërje këta anëtarë:
a) Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave;
b) Drejtorin e Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror ;
c) Drejtorin e Arkivës së Ministrisë së Brendshme;
ç) Drejtorin e Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes;
d) Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
dh) Nëndrejtorin e Përgjithshëm i Burgjeve;
e) Nëndrejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore;
ë) Kryetarin e Institutit të të Përndjekurve Politikë.
2. Në mbledhjet e Task-Forcës, ftohen të marrin pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj.
3. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje:
a) Një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë;
b) Një përfaqësues nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e Brendshme;
c) Një përfaqësues nga Policia e Shtetit.
4. Task-Forca ka si qëllim kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Për realizimin e këtij qëllimi, ajo bashkërendon punën për:
a) identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit;
b) identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve;
c) gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre.
5. Task-Forca mblidhet me kërkesë të kryetarit të saj. Mbledhjet zhvillohen në mjediset e Ministrisë së Brendshme.
6. Kryetari i Task-Forcës raporton me shkrim, pas çdo mbledhjeje, pranë Kryeministrit, lidhur me ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura. Kryetari i Task-Forcës, me kërkesë të Kryeministrit, raporton pranë Kryeministrit edhe për çështje të veçanta.
7. Anëtari i Task- Forcës kryen këto detyra:
a) harton planet e masave, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon;
b) bashkërendon të gjitha veprimtaritë me institucionet e tjera;
c) raporton periodikisht, pranë kryetarit të Task-Forcës, lidhur me ecurinë dhe rezultatet e arritura nga institucioni që përfaqëson.
8. Institucionet e përmendura në pikën 3, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dërgojnë pranë kryetarit të Task-Forcës emrat e përfaqësuesve të institucioneve të tyre.
9. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit dhe anëtarët e Task-Forcës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
24/02/2010