Kryeministri Berisha priti në një takim Presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë, zotin Jorg Ziercke
- Ziercke: Unë jam shumë i impresionuar si me standardet shumë të larta të prodhimit të dokumenteve të identitetit ashtu edhe me standardet e larta të sigurisë së tyre
Kryeministri Berisha priti sot në një takim presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë zotin Jorg Ziercke dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen zotit Ziercke, i shprehu falenderimet dhe mirënjohjen që ndihmën shumë të vyer që policia gjermane i ka dhënë policisë shqiptare dhe agjencive të mbrojtjes së ligjit në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar. Gjithashtu kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe për mbështetjen bujare që në tërë vitet e demokracisë, Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë shqiptare, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbëjnë përparësi madhore dhe në këtë aspekt kryeministri e njohu zotin Ziercke me të gjitha hapat dhe reformat e thella të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare po punon me vendosmërinë në kuadër të përmbushjes së kritereve dhe standarteve të kërkuara për liberalizimin e vizave, duke arritur standarde të vendeve më të zhvilluara në fushën e sigurisë së kufijve dhe të sigurisë së dokumenteve të identitetit, është bërë i mundur funksionimi i një sistemi modern të kontrollit kufitar, të lidhur me regjistrin e gjendje civile, me sistemin e analizës së informacionit kriminal, si dhe të lidhur në kohë reale me të bazën e të dhënave të Interpolit.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar me të gjitha vendet e BE. Gjithashtu kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte fakti që në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, në Berlin së shpejti do të shkojë një oficer kontakti shqiptar, i cili do të japë një kontribut të mëtejshëm në forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy vendeve.
Presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë zoti Jorg Ziercke e falënderoi kryeministrin Berisha për mikëpritjen dhe u shpreh se gjatë kësaj vizite në Shqipëri kishte mbetur jashtëzakonisht i impresionuar dhe me përshtypjet më të mira nga standartet teknike dhe profesionaliteti i policisë shqiptare, duke nënvizuar se në këtë drejtim Shqipëria është një vend në rrugë shumë të mbarë. Gjithashtu presidenti i policisë federale Kriminale të Gjermanisë zoti Jorg Ziercke u shpreh se ishte mbresëlënëse siguria e kufijve si dhe qendra ku është vendosur sistemi MEMEX, si dhe qendra e personalizimit të të dhënave të dokumenteve të identitetit, të cilat zoti Ziercke, kishte patur rastin t’i vizitonte. “Unë jam shumë i impresionuar si me standardet shumë të larta të prodhimit të dokumenteve të identitetit ashtu edhe me standardet e larta të sigurisë së tyre” tha ia.
Zoti Ziercke u shpreh se policia shqiptare do të ketë mbështetjen e plotë të Policisë Federale Gjermane, se në kohët në vazhdim do të ketë një shkëmbim intensiv ekspertësh, si dhe janë në hartim dhe në organizim projekte të përbashkëta mjaft të rëndësishme. Veçanërisht, zoti Ziercke u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e krimit kibernetik dhe në fushën e pastrimit të parave përmes elektronikës. Në fund të takimit zoti Ziercke u shpreh se po largohet nga Shqipëria me mbresat më pozitive, të cilat do t’i pasqyronte edhe në raportin e tij mbi vizitën në Shqipëri.
30/03/2010