KOMENT – Propozimi i Trump për të pastruar Gazën nga palestinezët trondit vendet arabe

GAZA/AMAN, 27 janar /ATSH-DPA/ – Ideja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dërgimin e të mbijetuarve palestinezë nga atdheu i tyre, në zonën e shkatërrimit të Rripit të Gazës, për në vendet e tjera arabe u kundërshtua ashpër nga pjesa më e madhe e rajonit.
Trump u kishte thënë gazetarëve se Egjipti dhe Jordania duhet të marrin palestinezët nga Gaza, një zgjidhje kjo që mund të jetë e përkohshme ose afatgjatë.
Propozimi ngriti shqetësime mes palestinezëve se mund të çojë në një spastrim etnik të popullsisë së Gazës prej rreth dy milionë banorësh dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi se çdo përpjekje e tillë do të përfaqësonte “një shkelje të hapur të vijave të kuqe”.
”Populli ynë do të qëndrojë i palëkundur dhe nuk do të largohet nga atdheu i tij”, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit në Ramallah, në Bregun Perëndimor.
Autoriteti islamik i Hamasit në Rripin e Gazës gjithashtu i hodhi poshtë planet dhe tha se Trump duhet të ndalojë së bëri propozime që kundërshtojnë të drejtat e popullit palestinez.
Egjipti dhe Jordania u bashkuan në dënimin e sugjerimit të Trump.
Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman al-Safadi deklaroi se vendi i tij ishte rreptësisht kundër zhvendosjes së detyruar të palestinezëve.
“Refuzimi ynë i zhvendosjes është i vendosur dhe nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Egjipti përsëriti gjithashtu se është kundër shkeljes së të drejtave të palestinezëve duke zhvendosur apo nxitur zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre, qoftë përkohësisht apo afatgjatë.
“Egjipti vazhdon të mbështesë qëndrueshmërinë e popullit palestinez në tokën e tyre dhe mënyrën se si ata mbajnë të drejtat e tyre legjitime në atdheun e tyre”, tha një deklaratë e Ministrisë së Jashtme, duke hedhur poshtë çdo vendbanim dhe aneksim të tokës palestineze dhe zhvendosjen dhe çrrënjosjen e popullit të saj.
Politikanët e ekstremit të djathtë në Izrael, si ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ish-ministri i Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, ishin ndër të paktët që mirëpritën propozimin e Trump.
Smotrich ka mbështetur në të kaluarën një zgjerim të kufijve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Duke folur me gazetarët në bordin e ”Air Force One”, të shtunën, Trump tha se Rripi i Gazës ishte “fjalë për fjalë një vend i shkatërruar”.
“Pothuajse gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin atje, kështu që unë do të preferoja të përfshihem me disa nga kombet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku ata mund të jetojnë në paqe”, tha ai.
“Ju e dini që gjatë shekujve ka pasur shumë, shumë konflikte. Dhe nuk e di, diçka duhet të ndodhë më”, tha Trump.
Zyrtarët shëndetësorë në brezin bregdetar të kontrolluar nga Hamasi kanë regjistruar më shumë se 47 000 vdekje në Gaza që nga fillimi i luftës, me më shumë se gjysma që besohet të jenë gra dhe fëmijë./ a.jor.