E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOMPENSIMI Afati, 1500 pronarë rrezikojnë paratë

Nuk respektuan afatin ligjor për të aplikuar dhe nuk do të mund të marrin këstin e parë të kompensimit mëse 240 subjekte, që kanë afërsisht 1500 pronarë përfitues.

FONDI 15 MILIONE USD/ Më shumë se 1500 pronarë rrezikojnë të mos marrin paratë e kompensimit për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje. Një ditë para mbylljes së afatit për aplikim në Agjencinë e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave, nga 350 subjekte gjithsej, kanë aplikuar për të marrë paratë vetëm 110 prej tyre. Kreu i AKKP, Cefa: “Do propozojmë heqjen e afatit të aplikimit”. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, inspekton zyrat e agjencisë: "Po shikojmë mundësinë e rritjes së fondit të
kompensimit. Në shtator nis ndarja e parave edhe për ish-pronarët"

Shkelën afatin, rrezikojnë kompensimin 1500 pronarë

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nisi procesin e aplikimit të 350 subjekteve me 2065 përfitues për të ndarë fondin prej 15 milionë dollarësh, por krerët e AKKP-së janë gjendur para një fakti të cilin nuk e prisnin. Në një 1 muaj afat ligjor për të bërë aplikimin, vetëm 110 subjekte e bënë atë, ndërsa të tjerët, për shkaqe që ende nuk janë analizuar, nuk kanë aplikuar ende. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, tha për gazetën se nuk do të ketë shtyrje afati, çka nënkupton se pronarët që janë prekur nga legalizimet nuk do të mund ta marrin tani këstin e parë të kompensimit në masën 21.8 për qind. Në këtë mënyrë, 240 subjektet ende nuk dihet se kur mund t'i marrin paratë e tyre. "Deri tani kemi pasur 110 aplikues nga 350 gjithsej. Nuk e kuptojmë këtë shifër të ulët, kur kemi bërë një fushatë thirrjesh që të vijnë për të aplikuar", - tha Cefa. Megjithatë, kreu i AKKP-së tha se fondi për pronarët që nuk kanë aplikuar, nuk do të digjet. "Do të vijojmë të shpërndajmë këstin e parë për pronarët që kanë aplikuar, ndërsa për të tjerët të shohim në shtator kur të analizojmë këtë çështje", - shtoi Cefa. Sipas kreut të AKKP-së, do të kërkohet në Këshillin e Ministrave që të bëhet një amendim i vendimit të Qeverisë. Ky vendim kishte parashikuar një afat prej 30 ditësh aplikimi dhe 45 ditësh shqyrtimi të kërkesave. Përderisa këto 240 subjekte që kanë afërisht 1500 pronarë përfitues nuk kanë aplikuar ende, atëherë ata nuk do të mund të marrin kompensim. "Do të kërkojmë mundësisht që të hiqet afati fare, e të jetë një procedurë e hapur. Kur ta shohë vetë të përshtatshme subjekti, le të aplikojë. Fondi për ta nuk digjet, pasi e ka fituar me vendim. Këto subjekte nuk e humbasin të drejtën e kompensimit", - tha më tej Cefa. Ai shtoi se në muajin shtator do të ketë një analizë të kësaj situatë. Por sipas Cefës, mendohet të ketë disa shkaqe. Sipas tij, për një pronë të caktuar, në të shumtën e rasteve ka më shumë se 1 përfitues. Sipas vendimit kërkohet që të veprohet me prokurë të posaçme, çka nënkupton që veprimi të kryhet në dakortësi të të gjithë përfituesve të pronës. "Mund të ketë përfitues apo trashëgimtarë, që janë jashtë vendimit dhe nuk kanë mundur dot të mblidhen së bashku", - sqaron një moment kreu i AKKP-së.
Përfituesit
Numri i individëve përfitues nga Fondi për Shpronësimet arrin në 2065, ndërsa ai i Pasurive të Paluajtshme që preken nga procesi i legalizimeve, është 345. Pas procesit të dorëzimit të kërkesave, do të nisë edhe faza e dytë, që është shqyrtimi i tyre brenda 45 ditëve dhe më pas miratimi nga kreu i AKKP-së i një vendimi ku përfshihet lista e subjekteve përfituese dhe numri përkatës i llogarisë, ku ata do të tërheqin lekët. Në datën 11 gusht përfundon afati 1 mujor i aplikimeve për pronarët e prekura nga legalizimet, e më pas do të nisë shpërndarja e parave për ta. Sipas Cefës, janë bërë përllogaritjet dhe 2 mijë përfituesit e listës do të marrin këstin e parë në masën 21.8 për qind të shumës që ata duhet të përfitojnë si kompensim. Pas kësaj date, AKKP-ja ka një afat prej 45 ditësh për të bërë verifikimin e gjeneraliteteve të aplikuesve dhe më pas nis shpërndarja e këstit të parë. "Nuk është e thënë që AKKP-ja të konsumojë të gjithë afatin prej 45 ditësh për verifikim. Kësti i parë paraprak për subjektet do të jetë 21.8 për qind e vlerës totale, e parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave", - është shprehur Cefa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›