E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Miqësorja, start i mirë për eliminatoret e Euro 2012



TIRANË - Trajneri i Kombëtares, Josip Kuze ka pranuar se atmosfera në ekip është pozitive para nisjes së fushatës kualifikuese të Euro 2012. Kroati mendon se skuadra do të japë rezultat pozitiv në miqësoren me Uzbekistatin të mërkurën, por edhe te dy ndeshjet e para të eliminatoreve. Trajner i Kombëtares Josip Kuze, gjatë deklaratës së tij tha se, "duhet të tregohemi realistë për momentin dhe më pas të mendojmë sa pikë do të marrim. Kërkojmë fitoren në miqësoren me Uzbekistanin, ndërsa në ndeshjet kualifikuese duhet të marrim një rezultat të mirë me Rumaninë, natyrisht të mundim Luksemburgun, më pas të shohim për skuadrat e tjera ku do të jetë një tjetër situatë. Sa për ndeshjet brenda do të nisemi për t’i fituar të gjitha." Në ekip ka lojtarë të rinj dhe sipas Josip Kuze dhe Lorik Canës në çdo moment mund të afrohen të tjerë. Loriku, i cili në këtë ndeshje do të mbajë shiritin e kapitenit mendon se ky grup i afruar kohët e fundit do të ketë momentin e tij kulmor. Nga ana e tij, kapiten i kombëtares, Lorik Cana tha se, “ky grup të rinjsh mund të arrijë atë që dha brezi i 2003-2004 pasi nuk po e nisim nga zero pasi kemi kohë që po punojmë bashkë. Shqipëria do të luajë të mërkurën në Durrës në ora 20:30 ndaj Uzbekistanit miqësoren e fundit, një përballje përcaktuese për konfigurimin e grupit që do të nisë kualifikueset e Euro 2012.

Pratrick Evra përplasje me Federatën
Franceze të Futbollit, për Botërorin 2010
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra nuk i rezistoi sulmit ndaj anëtarëve të Federatës së Futbollit të Francës (FFF) derisa kundërshtoi vendimin për dënimin e anëtarëve të ekipit që ishin pjesë e aventurës dëshpëruese në Kampionatin botëror. Evra është njëri prej pesë futbollistëve që janë ftuar për një seancë dëgjimore nga FFF më 17 gusht, pas suspendimit të gjithë 23 futbollistëve për ndeshjen miqësore të kësaj jave kundër Norvegjisë. Franca nuk regjistroi asnjë fitore gjatë kampanjës së Kampionatit botëror në Afrikën e Jugut, por solli shumë tregime rreth sjelljes së tyre jashtë fushës dhe mosmarrëveshjeve brenda ekipit.
Deklarata
Sulmuesi Nikolas Anelka u kthye në shtëpi nga Botërori, pasi kishte fyer tranjerin Raymond Domenech gjatë humbjes nga Meksika, vendim që rezultoi me bojkotin e futbollistëve të udhëhequr nga kapiteni Evra. “Jam i befasuar, sepse kisha përshtypje se të gjithë duan të kalojnë faqen e Kampionatit botëror”, tha Evra për të përditshmen franceze Le Figaro. “Ne duhet të mendojmë për të ardhmen. Pse ne të sanksionohemi më tepër se të tjerët?” - shtoi ai. Ish-mbrojtësi i Francës dhe fitues i Kampionatit botëror 1998, Lilian Thuram, ishte i ashpër në kritikat e tij ndaj Evrës duke theksuar se mbrojtësi i Manchester Unitedit nuk duhet të lejohet të luajë përsëri për tringjyrëshit.
Kundërpërgjigja
Evra është kundërpërgjigjur. “Nëse ecni rrugës me libra të robërisë dhe mbani syze dhe kapelë, nuk do të thotë se jeni Malcolm X. Lilian mendon se është trajneri i ri, presidenti i FFF-së dhe president i Francës. Ai e ka fyer emrin tim, pa e ditur se çka ka ndodh. Ajo që kemi bërë në Afrikën e Jugut, ishte serioze. Por, pse duhet të hidhet benzinë aty ku ka zjarr?” - reagoi Evra. Franca takohet me Norvegjinë të mërkurën, në ndeshjen e parë nën drejtimin e selektorit të ri, Laurent Blanc. Ish-qendërmbrojtësi francez ka përzgjedhur një ekip të udhëhequr nga mungesat e befasishme të Botërorit, duke përfshirë sulmuesin Karim Benzema dhe mesfushorin Samir Nasri. Ndërsa, pavarësisht sanksioneve, Evra është shprehur i gatshëm të kthehet në ekip pas fillimit të kampanjës kualifikuese për Euro 2012, më vonë këtë vit. “Nuk mund ta shoh të ardhmen time pa ekipin e Francës”, theksoi ai. Lista e pesë futbollistëve të ftuar nga FFF-ja janë: Evra, Anelka, Eric Abidal, Franck Ribery dhe Jeremy Toulalan.

Berhami një hap larg skuadrës së Romës në Serinë A
Mesfushori i Uest Ham, kosovari Valon Behrami, është shumë afër transferimit të tij në skuadrën e madhe italiane, Roma. “Romanët” ka kohë që kanë shprehur interesimin për t’i marrë shërbimet e mesfushorit Behrami. Babai i Valonit, Ragip Behrami, ka thënë se është afër të arrihet marrëveshja me drejtuesit e Romës, që Behrami në edicionin e ri të luajë në “Olimpico”. Sipas Ragipit, Valoni dëshiron të transferohet në Romë. “Është e vërtetë se Roma po kërkon Valonin. Negociatat janë duke zhvilluar intensivisht dhe së shpejti mund të arrihet marrëveshja që Valoni të kalojë në ekipin e Romës”, ka thënë babai i Valon Behramit, Ragipi. “Dëshira e Valonit është të bëhet pjesë e Romës. Transferimi është duke ngecur për çmimin e transferimit, por besoj se gjithçka do të rregullohet shumë shpejt, në mënyrë që Valoni të ‘fluturojë’ drejt Romës”, tha Ragip Behrami. Ai tha se tranjeri i Uest Ham, Avram Grant dëshiron që Behramin ta mbajë në ekip. “Avram Grant dëshiron që Valonin ta mbajë në skuadër. Ai llogarit në shërbimet e Valonit. Megjithatë, dëshira e Valonit është të kalojë në radhët e Romës. Por, e ardhmja e Valonit zyrtarisht do të dihet brenda pak ditësh”, ka theksuar Ragip Behrami. Kujtojmë se Valon Behrami ka kontratë më Ëest Hamin deri në vitin 2012/2013, por ai mund të transferohet në Romë për shumën pesë milionë euro.

Trepça fiton Superkupën në futboll përballë Lirisë së Prizerenit
Pas titullit të kampionit futbollistët e Trepçës u bënë fitues edhe të superkupës së Kosovës pasi në vazhdime mposhtën Lirinë e Prizrenit me rezultat 2:0. Në kohën e rregullt ndeshja përfundoi pa gola. Minutat e parë të ndeshjes i takuan skuadrës mitrovicase e cila dukej më e vendosur për të arritur rezultat të favorshëm, ndonëse rastin e parë për gol e patën prizrenasit në minutën 7, kur pas veprimit të Skerajt, topi erdhi te Buqaj, i cili ishte në pozitë të mirë dhe gjuan me kohë, por portieri i Trepçës Sadiku e dëboi topin me këmbë. Më pas shohim edhe një mundësi të prizrenasve kur pas topit të harkuar nga këndi, Shkupolli, i cili u paraqit në rol mbrojtës ishte shumë afër ta mposhtë portierin e vet. Edhe pse e kishte topin më shumë në pronës dhe sulmoi diçka më shumë në këtë pjesë, rasti e parë serioz për gol Trepça e pati në minutën 35, kur Florent Sejdiu kaloi mjeshtërisht dy mbrojtës të Lirisë dhe gjuan bukur, por portieri i Lirisë Memaj ishte në vendin e duhur duke e dëbuar topin në fushë. Në minutën 44, pas harkimit të Skerajt, Karahoda ishte në pozitë të mirë, por gjuan jashtë portës. Vazhdimi i lojës pothuaj në tërësi i takoi futbollistëve të Lirisë, të cilët dukej se janë më të përgatitur fizikishë e që ishte e kuptueshme pas prizrenasit gjatë përgatitjeve nuk kanë pasur telashe me çfarë janë ballafaquar “xehetarët”. Kjo megjithatë nuk solli rezultat pasi sulmuesit e Lirisë sikur nuk dinin se çka dëshirojnë, duke qenë tejet pasiv në sulm e veçmas qendërsulmuesi Karahoda, i cili nuk paraqiste fare rrezik për mbrojtjen e Trepçës. Mitrovicasit më rrallë sulmonin, duke u munduar që ta shfrytëzojnë ndonjë gabim te rivalit. Kështu në minutën 50, Osmani gjuan si duhet, por edhe kësaj radhe portieri Memaj nuk u befasua. Në anën e kundër gjuan furishëm Çarkaxhiu, por mbi tërthorëse. Në minutën 81 Agron Skeraj gjuan furishëm por në momentin e fundit portieri i ri i Trepçës Burim Sadiku e preku topin aq sa ta dëboi mbi tërthorëse. Rastin e fundit në pjesën e rregullt të ndeshjes e pati Elvis Osmani në minutën 83, por nuk e shfrytëzoi topin e pranuar nga Sejdiu pasi u ngatërrua me të edhe pse ishte afër portës ë Lirisë. Trofeun e Superkupës kapitenit të Trepçës Elvis Osmanit ia dorëzoi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›