Alonso: Kam 50% mundësi për titullin
Pushimet kanë filluar për Fernando Alonson, tani që skuderitë e Formula 1 janë në periudhën e pauzës verore. Piloti spanjoll i Ferrarit shpreson që të çlodhet dhe të qetësohet, edhe pse ka pranuar për uebsajtin zyrtar të skuderisë së Maranelos, se nuk e ka aspak të lehtë që të mos mendojë për kampionatin: "Nuk është e mundur që ta zbrazësh mendjen tërësisht gjatë këtyre dy javëve që janë pushimet. Shpresoj që të relaksohem, por jam i vetëdijshëm që të paktën një herë në ditë, sikurse edhe vetëm për dhjetë minuta, do të mendoj vetëm për garën e radhës, që do të zhvillohet në Belgjikë". Një kompromis ky që dy herë kampioni i botës është i bindur se e ndan edhe më pjesën tjetër të skuadrës "kokëkuqe": "Mendoj se kjo do të jetë e vlefshme për të gjithë gjatë periudhës së pushimeve. Pas disa garave të pafat, gjithmonë kemi treguar se jemi në gjendje të korrigjojmë situatën dhe ta kthejmë atë në favorin tonë, - ka vazhduar Alonso. - Makina është përmirësuar së tepërmi dhe kjo na bën akoma dhe më shumë optimistë, duke shtuar besimin për sukses tek të gjithë. Në Spa, F10-a do të ketë disi risi dhe shpresojmë që të ketë edhe përmirësime të mëtejshme gjatë pjesës finale të sezonit. Por edhe rivalët tanë do të kenë përmirësuar dhe modifikuar mjaft gjëra në makinat e tyre, kështu që ne duhet të jemi më të shpejtë dhe më të guximshëm". Piloti spanjoll i Ferrarit ka komentuar gjithashtu edhe situatën aktuale në Botërorin e Formula 1: "E kemi parë që, vetëm në dy pista normale, e kemi rregulluar shumë situatën tonë në klasifikimin e përgjithshëm dhe në betejën për titullin kampion. Unë jam i bindur që në fazën finale të kampionatit, në dy ose tre garat e ardhshme do t'i afrohemi edhe më shumë kryesimit. Në fakt ka një distancë mjaft të vogël midis një numri të konsiderueshëm pilotësh që luftojnë për titullin, por mendoj që ne jemi kampionë të mëdhenj dhe mund ta ndryshojmë rezultatin pozitivisht. Mundësitë e mia për të fituar titullin? Mund të them se kam 50 për qind mundësi...".