E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, 6400 lekë kostoja totale për rivlerësimin e provimeve



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit vendos taksa mbi maturantët, për korrigjimin e gabimeve në vlerësimin e testeve, të bëra nga vlerësuesit e tyre. Kështu, gabimet e mundshme në vlerësimin e testeve të Maturës, të bëra nga korrigjuesit e testeve, do të mund të ndreqen vetëm nëse maturantët do të paguajnë tarifat e përcaktuara nga MASH-i. Për rrjedhojë, rivlerësimi i testit të çdo provimi, do të ketë një kosto financiare për maturantët, që do kërkojnë ta bëjnë një aplikim të tillë.
Tarifat
Vetëm për të kërkuar fotokopjen e testit të provimit, maturantët duhet të paguajnë 400 lekë, ndërsa nëse vërejnë gabime në korrigjim dhe kërkojnë rivlerësim, duhet të paguajnë dhe 1200 lekë të tjera. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, për të kërkuar rivlerësimin e njërit prej katër provimeve të Maturës, maturantët duhet të nxjerrin nga xhepi 1600 lekë. Edhe më e madhe bëhet kostoja e rivlerësimit të testeve për ata maturantë, të cilët do kërkojnë që kjo procedurë të kryhet për katër provimet. Në këtë rast, kostoja financiare që duhet të paguajnë maturantët është plot 6400 lekë. Në rastin më të mirë, kur maturantët pas rivlerësimit të testit do të marrin një notë më të lartë se e para, shpenzimi i lekëve për këtë proces do të ishte i vlefshëm. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ndodh edhe e kundërta, që maturantët edhe pas rivlerësimit të marrin po atë notë që kanë pasur në fillim. Pikërisht për këtë arsye, secili prej maturantëve që do kërkojë rivlerësim të testit të provimit, duhet të jetë mëse i bindur për mënyrën se si i është përgjigjur pyetjeve duke u bazuar edhe në testin e zgjidhur të provimit, që do të publikohet pas përfundimit të çdo provimi.
Rivlerësimi
Drejtoria e Politikave Parauniversitare në Ministrinë e Arsimit bën të ditur se, këtë vit, do t’i jepet më shumë përparësi ankimimit të rezultateve nga maturantët. Duke marrë shkas nga situata e krijuar nga viti i kaluar, ku ankimimet e maturantëve për rezultatet e provimeve në pjesën më të madhe përfunduan në koshin e plehrave të çdo shkolle, pritet që këtë vit MASH-i të marrë masa konkrete për rishikimin e testit nga maturantët. Sipas rregullores së vjetshme të Maturës Shtetërore, çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar me rezultatet përkatëse të vlerësimit. “E drejta e nxënësve për të kërkuar rivlerësim, pra, mbetet përsëri që ai mund të marri fotokopjen e testit të vet, por mbasi ta shohë atë mund të kërkojë dhe rivlerësim. Kjo nuk është një mëshirë për maturantin që kërkon rivlerësimin, është rivlerësim dhe nxënësi mund të marri po atë notë”,- sqaron drejtori i Politikave Parauniversitare në MASH, Fatmir Vejsiu. Rivlerësimi i tezave të provimeve do të bëhet nga komisione të posaçme që do të ngrihen pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA).

Procedura dhe afatet për depozitimin e kërkesës së ankimimit
Katër ditë kohë në dispozicion pas përfundimit të çdo provimi do të kenë maturantët për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të provimit, kundrejt pagesës prej 400 lekësh. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij. Për këtë, brenda katër ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së tarifës së përcaktuar. KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i përcjell ato së bashku me mandat-arkëtimet në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH), pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore (DAR/ZA), brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit. KMSH-ja pranë DAR/ZA-së shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat-arkëtimet përkatëse, brenda shtatë ditëve nga shpallja e rezultateve. Pas kësaj, AVA ngre grupet e vlerësimit të testeve, me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi do të bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen. Rezultatet e rivlerësimit dërgohen nga AVA zyrtarisht pranë KMSH-së së DAR/ZA-së me një afat nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të provimit dhe konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. KMSH-të, nëpërmjet KSHMSH-së njofton për rezultatin e rivlerësimit çdo nxënës që ka kërkuar rivlerësim testi.

Rishikimi i testit në shifra
6400 lekë është kostoja totale për rivlerësimin e katër provimeve të Maturës
400 lekë duhet të paguajnë maturantët për të kërkuar fotokopjen e testit të provimit
1200 lekë duhet të paguajnë maturantët për të korrigjuar gabimet e bëra në vlerësimin e testit
1600 lekë është tarifa totale që duhet të paguajë një maturantë vetëm për rivlerësimin e një testi

Afatet e rivlerësimit të testit
4 ditë kohë në dispozicion pas çdo provimi do të kenë maturantët për të dorëzuar kërkesën e ankimimit
5 ditë nga shpallja e rezultateve të çdo provimi, shkollat dërgojnë në drejtoritë arsimore kërkesat
7 ditë pas shpalljes së rezultateve të provimeve, drejtoritë arsimore kalojnë kërkesat në AVA
15-30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve AVA u dërgon drejtorive arsimore rezultatet e rivlerësimit

Provimi i Letërsisë, 35 mijë maturantë në testim më 2 qershor

Afro 35 mijë maturantë në shkallë vendi do t’i nënshshtrohen provimit të parë të detyruar të Maturës, Letërsia, më datën 2 qershor. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), bëjnë të ditur se testi i Letërsisë, hartimi i të cilit do të përfundojë brenda kësaj jave, do të fotokopjohet për rreth 35 mijë kopje. Fillimisht kopjet e testit do të shpërndahen në drejtoritë arsimore rajonale e më pas në gjimnazet përkatëse, ditën e zhvillimit të provimit. Provimi i Letërsisë do të zgjas 2 orë e 30 minuta dhe pas përfundimit të provimit, testet e të gjithë maturantëve do të depozitohen pranë AVA-s. Pas provimit të Letërsisë, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyruar të Maturës, Matematika, që do të zhvillohet më datën 11 qershor. Në datën 10 korrik do të zhvillohen dy provimet e fundit të Maturës Shtetërore, që janë ata të lëndëve me zgjedhje. Fill pas përfundimit të provimeve të Maturës, specialistët e arsimit do të nisin llogaritjen e pikëve të çdo maturanti. Ashtu siç është përcaktuar tashmë, llogaritja e pikëve do të bëhet mbi bazën e pikëve të marra në secilin prej katër provimeve të Maturës, si dhe mesatares së shkollës së mesme.

Urdhri i ri

Qeveria bllokon pagesën për ndihmën ekonomike dhe invalidët

Ministria e Punës nxjerr urdhrin për të nxitur pajisjen me kartë identiteti

Përcaktohen procedurat e reja për të aplikuar për shërbimet sociale

Qeveria bllokon pagesat mujore për përfituesit e ndihmës ekonomike, shërbimit të papunësisë dhe personat me aftësi të kufizuar, që nuk kanë kartë identiteti ose pasaportë. Nëpërmjet një urdhri të posaçëm, të nxjerrë dje nga Ministria e Punës, urdhërohet mospagimi i ndihmës ekonomike dhe të invalidit, nëse përfituesit nuk paraqiten me kartë identiteti ose pasaportë. Sipas urdhrit të fundit, të nxjerrë nga Ministria e Punës, personat që marrin ndihmë ekonomike, pagesë papunësie, dhe invalidët nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për të përfituar këtë ndihmë, nëse nuk janë të pajisur me pasaportë ose letërnjoftim.
Urdhri
Urdhri i Ministrisë së Punës ka përcaktuar edhe procedurat që duhet të ndjekin personat, që duan të aplikojnë për përfitimet e mësipërme gjatë muajit qershor. Kështu, sipas këtij urdhri, kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk posedojnë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat me aftësi të kufizuara që nuk posedojnë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk posedojnë pasaportë, për ta përfituar pagesën duhet të depozitojnë pranë zyrave rajonale dhe vendore të punësimit fotokopjen e kartës së identitetit.
Shpërndarja
Urdhri është firmosur nga Ministri i Punës, Viktor Gumi me qëllim nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, si dhe bazuar në Kushtetutën e Republikës, Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave “Për pajisjen për herë të parë me letërnjoftime të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Tashmë ky urdhër është shpërndarë në të gjitha strukturat në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe çdo njësie vendore, dhe kërkohet zbatimi korrekt i tyre. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punës, inspektorët rajonalë janë udhëzuar të raportojnë në mënyrë periodike pranë kabinetit të Ministrit të Punës, mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, të cilët janë përfitues nga mbështetja me të ardhura nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe pagesës së papunësisë.

Pas incidentit, të verbrit dalin sërish në protestë

Shoqata e të Verbërve ka kërkuar sërish reagimin e institucioneve qeveritare në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj grave të moshuara që protestuan para Kryeministrisë, rreth një javë më parë. Në një protestë paqësore, të organizuar paraditen e djeshme në sheshin “Skëndërbej”, të verbrit ftuan të gjithë qytetarët, për t’iu bashkuar të drejtave që ata kërkojnë, në protestën e radhës që është mbajtur në orën 18.00, po të ditës së djeshme. Ndërkohë, Shoqata e të Verbërve ka përshëndetur presidentin Bamir Topi, pasi sipas tyre, ai është i vetmi, që ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar mbi gratë e verbra.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›