E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria i kërkon gjykatës sekuestrimin e 33 apartamenteve të Lul Berishës



Laureta Rryçi

Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi dje gjykatës që pasuritë e Lulzim Berishës, që cilësohet si kreu i bandës së Durrësit, të kalojnë për llogari të shtetit. Madje në këtë sitë sekuestroje, sipas institucionit të akuzës, duhet të përfshihen edhe disa të afërm të tij, të cilët po shfrytëzojnë pasuritë e dhëna nga i pandehuri. Prokurorët kërkuan dje konfiskimin e pasurive të Lulzim Berishës, gruas dhe motrës së tij. Bëhet fjalë për 33 apartamente, 19 mijë metra katrorë sipërfaqe tokë dhe një makinë luksoze.
Kërkesa
Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së quajtur “Are”, me sipërfaqe prej 6000 m2, e ndodhur në N. B. Frutore Durrës, e regjistruar në zonën kadastrale numër 1574. Kjo pasuri është blerë nga i pandehuri Lulzim Berisha më datë 8 janar të vitit 2005 nga shtetasi Azem Dulla me vlerë prej njëqind mijë lekë. Po ashtu është kërkuar konfiskimi i një sipërfaqeje prej 9000 m2, po në Are, e blerë nga i pandehuri Lulzim Berisha më datë 27 dhjetor 2003 nga shtetasi Arben Gojani në vlerën prej pesëqind mijë lekë. Po në këtë zonë prokuroria kërkon konfiskimin e sipërfaqes prej 4000 m2, e blerë nga Berisha më datë 26 dhjetor 2003 nga shtetasi Bajram Sukaj, me vlerën prej njëqind mijë lekë. Kreu i bandës së Durrësit rrezikon të humbasë përfundimisht edhe një pasuri të quajtur “Ullishte”, me sipërfaqe prej 1500 m2, e ndodhur në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga bashkëshortja e tij, Valbona Berisha, më datë 23 mars të vitit 2004, nga Leonard Koka në vlerën prej një milion lekësh. Në pronësi të Berishës ndodhet një pasuri e quajtur “Truall”, e ndodhur në Lagjen 17 të qytetit të Durrësit, me një sipërfaqe prej 3300 m2. Kjo pronë është e ndarë në dy pjesë, ku njëra është me sipërfaqe prej 2494 m2, ndërsa pjesa tjetër arrin sipërfaqen prej 806 m2. Jashtë pronave të familjes Berisha, akuza i kërkon gjykatës edhe një pasuri me sipërfaqe prej 234 m2 e dokumentuar, me emrin “Kaldaja”, e cila është në emër të motrës së të pandehurit, Luljeta Berishës. Ndërsa prona e fundit e kërkuar nga akuza është një automjet i llojit fuoristradë, e tipit “BMV X5”, me targa DR 4500 D.
Akuzat
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria Për Krime te Rënda më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 78, 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.

Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani

PRECEDENTËT
Ndaj Lul Berishës janë bërë disa atentate, i fundit i të gjithëve ishte ai në lokalin “Cera una volta” në 2005, në Durrës. Lul Berisha u qëllua nga dy persona të paidentifikuar nga një distancë e afërt. Pas atentatit mbeti i plagosur njëri prej shokëve të tij në një kohë që vetë Berisha mori një plagë në krah. Polica nuk arriti të identifikojë autorët e atentatit i cili ashtu si edhe i dyti apo i pari mendohet të kishte pasur si shkak larjen e hesapeve dhe hakmarrjet personale.

Krimet

17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku. Kjo vrasje ka ndodhur pikërisht më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit, dhe mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer një tjetër vrasje. Këtë herë bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999 ata i kanë bërë pritë shtetasit Marsel Sotiri në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit dhe e kanë vrarë atë.

9 korrik 2000
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.

14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu nga ana e policisë dhe prokurorisë. Kjo organizatë akuzohet se më 14 janar të vitit 2002 i ka zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në Lagjen 3 të Durrësit.

2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra-tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005
Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit ndërkombëtar “Qemal Stafa”.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›