E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOPSHTI I VISHNJEVE Çehovi vjen në skenën teatrore

Teatri i Metropolit do të sjellë në skenë dramaturgjinë ruse
Sezoni artistik në Teatrin e Metropolit do të sjellë në skenë veprën teatrore Kopshti i Vishnjeve nga Anton Çehov. Vepra e shkruar nga autori i madh rus do të hapë siparin e shfaqjeve për Teatrin e Metropolit në ditët e para të muajit prill. Në skenë ajo do të vendoset nga vetë drejtori i këtij teatri regjisori Kiço Londo, i cili ka në fokusin e tij si regjisor shumë aktorë të rinj, dhe këtë ai e pohon edhe vetë kur thotë se Teatri i Metropolit do ti kushtojë shumë rëndësi të rinjve, që ata të jenë pjesë e skenës teatrore. Edhe në këtë vepër regjisori Londo ka afruar shumë aktorë të rinj, të talentuar të cilët janë protagonistë në këtë dramë të një autori të madh rus. Regjisori Londo ka disa ditë, që po zhvillon provat në ambientet e këtij teatri dhe në ditët e para të muajit prill pjesa do të ngjitet në skenën teatrore. Por si projekt i këtij teatri u shfaq për dy ditë me radhë në skenën e Akademisë së Arteve dhe vepra teatrore George Danden. Një shfaqje, e cila u vu në skenë nga regjisori francez Franc Helmer, i cili në kastën e aktorëve kishte emra shqiptarë dhe francezë. Shfaqja erdhi në dy gjuhë për publikun në shqip dhe në frëngjisht, i cili pa një ndër kryeveprat e Molierit. Por i ftuar në inaugurimin e Teatrit të Metropolit është dhe një prej personaliteteve më të njohura të artit botëror. Ion Caramitru, regjisori, aktori dhe drejtori i Teatrit të Bukureshtit, i njohur në shumë skena evropiane, mendohet të jetë në ditët e para të hajes së këtij teatri. Teatri i Metropolit ka ardhur në jetën kulturore, vetëm një vit më parë dhe tani prezantohet me synime dhe ambicie të reja.
Ky ambient gjithashtu do të funksionoj si një mini-kinema, ku do të shfaqen filma, dokumentarë si dhe filmime të shfaqjeve teatrale shqiptare dhe të huaja. Ambientet dhe sallat e Teatrit të Metropolit do të vihen, gjithashtu, në dispozicion të studentëve të viteve të fundit të Akademisë së Arteve, të cilët duan të realizojnë diplomat e tyre. Vepra Kopshti i Vishnjeve, e cila vjen me regji të Kiço Londos, ka si as/ regjisore Adelina Muçën, përkthyer nga Besi Londo dhe skenografia nga Berinda Kokona, muzika nga Shostakovic. Aktoret në shfaqje janë: Eni Jani-Ljubova Andrejevna, Alban Krasniqi-Gajevi, Loredana Gjeci-Varja, Roland Saro-Trofimovi, Bledar Jasha, Adriana Tolka Sharlot, Devis Muka-Llopahini, Esela Pysqyli-Anja, Genti Decka-Hepiodovi, Orjana Cama-Dunjasha, Valon Pallaska-Firsi, Marvin Tafaj-Pishcik, Ledjan Papagjoni-kalimtari. Kopshti i Vishnjeve do të jetë për publikun nga data 2 prill deri në datën 3 maj, duke filluar nga enjtja deri të dielën në orën 21 në skenën e Teatrit të Metropolit.             
 ****************************************
Çfarë sjell vepra teatrore e Çehovit:
Thelbi i shfaqjes është një parabolë, sepse ne sot nuk jemi në gjendje tu japim përgjigje pyetjeve të dikurshme, që janë bërë aktuale. Si ti shpëtojmë librat dhe bibliotekat? Çtë bëjmë me teatrin dhe sallat? Ka shumë Kopshte vishnjesh, që bëhemi gati ti presim, çfarë të bëjmë kur pronarët e rinj arrijnë. Të tërhiqemi apo të bëjmë aleancë me ta, ti luftojmë fitimtarët e shekullit, që sapo ka filluar. Sot jemi në një beteje vlerash. Vetëm kryeveprat lejojnë tiu afrohemi problemeve që rikthehen. Shfaqja në mënyrë simbolike paraqet kompleksin e kopshtit,që ka të bëjë me gjymtimin psikologjik dhe shpirtëror që i krijohet njeriut kur humb gjënë më të mirë të vetes apo të jetës: një pronë, një pasion, një profesion, një ëndërr. Me humbjen e kopshtit, pronarët e vjetër humbin ëndrrën, prejardhjen, identitetin që nuk janë çështje materiale por psikologjike, botëkuptimore. Edhe jeta e njerëzve të artit nuk ka kuptim pa dedikimin ndaj profesioneve tona. A duhet të mësojmë deri në fund mençurinë e të harruarit nga ato, e heqjes dore, apo përkundrazi të vazhdojmë deri në fund? Kur shohim njerëz të artit, që kanë hequr dorë nga iluzionet e kaluara dhe janë bërë pasanik, duke u marrë me tjetër gjë, këmbëngulja jonë mund të duket e dyshimtë, por kultura nuk është ideologji, që i iku mosha apo koha dhe të merresh me të në kohëra të vështira, kur ajo perëndon përkohësisht është të kesh shijen e fisnikërisë së dështimit, të cilën japonezët e quanin virtyti numër një të heroit. Njerëzit e teatrit që besojnë ende në fuqinë e skenës, duken si mbretër të ringjallur që kanë qenë të eliminuar nga partizanët e të dobishmes, të cilët i presin kokën pemëve. Megjithatë ata harrojnë se teatri me tepër se një art është një qëndrim i njeriut përballë jetës. Ky qëndrim është i shenjtë. Secili është  mbret me vete, ndonëse drita sallash fiken përgjithmonë dhe spektatorët janë gjithnjë e më të rrallë. Teatri është një Kopsht Vishnjesh. Një kopsht vishnjesh i besueshëm.   

Last Updated on Monday, 30 March 2009 22:50

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›