E Diel, 1 Nëntor 2026

KORRUPSIONI, TIA DHE LAJTHITJA E QEVERISE PD-LSI

Opozita është fajtore për korrupsionin galopant që denoncojnë testimet e Transparency International (TIA) në Shqipëri?! Se do të vinte puna që një qeveri, një pushtet të fajësonte për korrupsionin e lartë opozitën, ishte e pamendueshme. Por është një lajthitje që tregon se janë shteruar tashmë edhe gënjeshtrat, se e vërteta e korrupsionit është aq e hapur, aq ulëritëse sa mund të "përballet" vetëm me gënjeshtra të hapura dhe ulëritëse. Arrogancës të së vërtetës që shpërfill autoritetin i kundërvihet arroganca e gënjeshtrës që shpërfill të vërtetën. Kështu mund të shpjegohet reagimi i qeverisë Berisha-Meta pas bërjes publike nga TIA të lajmit të keq se Shqipëria ka zbritur 10 shkallë në listën botërore të korrupsionit, duke mbetur prapa edhe disa vendeve afrikane. Eshtë rreshtuar edhe prapa Ruandës, ku në fillim të viteve ‘90, qeveria e Sali Berishës dërgonte kallashë kontrabandë, duke ushqyer një luftë të egër civile. Por befas shohim se në Ruandën e shqyer nga lufta civile, ka më pak korrupsion, më shumë ligj dhe ndershmëri qeverisjeje se sa në Shqipërinë e NATO-s dhe që po i përvishet një pyetësori voluminoz për statusin e kandidatit të BE-së. Përse ky paradoks? Sepse në Shqipëri qeveris përsëri pushteti i Sali Berishës, që dërgonte dikur kallashë kontrabandë në Ruanda.

***
Dy janë faktorët kryesorë të korrupsionit gjithnjë e më të lartë në Shqipëri: Së pari, pushteti gjithnjë e më absolut i Kryeministrit Berisha dhe së dyti, zbythja e drejtësisë para superkorrupsionit qeveritar, për shkak të pushtetit gjithnjë e më absolut të Kryeministrit Berisha. Ky i fundit u rikthye në pushtet në vitin 2005, nën maskën e luftës kundër korrupsionit. Krejt në kundërshtim me një propagandë banale për gjoja ndryshimin e Berishës apo për mundësinë që ai të shndërrohej në një kryekalorës të luftës kundër korrupsionit, kemi paralajmëruar me kohë që një pushtet autoritarist dhe lideri i tij, jo vetëm që nuk mund të luftojnë korrupsionin, por do të prodhojnë më shumë korrupsion. Shqipëria nuk mund t‘u shpëtonte kthetrave të maksimës, që thotë se pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Sepse ai bën të heshtë ligjin. Dhe ja ku kemi faktet e trishta. Dje ishte autoritaristi Berisha në rolin e Presidentit të Republikës që, për qëllime egoiste pushteti, bëri të heshtë ligji dhe drejtësia duke toleruar për shumë vjet piramidat financiare. Rezultati? Shqiptarët u varfëruan dhe shteti shkoi në kolaps ekonomik dhe politik. Sot është po autoritaristi Berisha në rolin e Kryeministrit, që në dhunim të hapur të ligjit dhe për qëllime fitimi e pasurimi të familjes së tij politike dhe jo politike, ka bërë të heshtë ligji dhe dhjetëra institucione, gjë që çoi në tragjedinë apokaliptike të Gërdecit. Është po ky Kryeministër, që në dhunim të hapur të ligjit shqiptar, me ligje "angleze" dhe procedura tejet korruptive, ka derdhur dhe po derdh pa fund qindra milionë dollarë në rrugën Durrës-Kukës në një kohë kur Shqipëria nuk ka spitale, shkolla dhe mijëra familje janë pa shtëpi. Dhe si të gjithë sharlatanët politikë, këtë megakorrupsion skandaloz përpiqet ta maskojë me "patriotizëm". Nuk ka patriot që të mos dojë një rrugë që lidh Shqipërinë me Kosovën. Por kjo nuk do të thotë që kjo nevojë të shfrytëzohet nga pushtete të korruptuara për të abuzuar ekstremisht me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Në këtë rast patriotizmi bëhet maskë e një korrupsioni thellësisht antishqiptar. Këto superskandale dhe një korruptim deri kapilar i qeverisjes së sotme, janë shkaku kryesor i rreshtimit të turpshëm të Shqipërisë ndër vendet më të korruptuara në botë.

***

Por shkak tjetër është edhe kapja e prokurorisë dhe e drejtësisë nga një pushtet përherë e më ligjthyes, përherë e më arrogant. Dështimi i prokurorisë për të respektuar afatet e hetimit të superskandalit të Rrëshen-Kalimashit, gjë që çoi edhe në pezullimin nga gjykata të çështjes për Lulzim Bashën, nuk duket të jetë rrjedhojë e një gabimi apo padijeje nga ana e prokurorëve. Eshtë më shumë një lënie koshiente që çështja të rrëshqiste në një "gabim procedural", sepse kështu e kërkonin interesat e pushtetit berishist, që nuk dëshironte të përballej me ligjin. Për zbythje të drejtësisë para presionit të politikës flasin edhe të gjithë akrobacitë procedurale që po bëhen sot në Pallatin e Drejtësisë për të shmangur nga përgjegjësia direkte për krimin e Gërdecit, bashkëpunëtorin më të afërt të Berishës (përjashtuar djalin e këtij të fundit) në këtë tragjedi, ministrin Fatmir Mediu. Për shkak të presioneve të jashtëzakonshme mbi gjykatat, pallati i pushtetit të drejtësisë është shndërruar në një cirk, ku procedurat sfidojnë ligjin dhe gënjeshtrat të vërtetën. Nuk është vetëm korrupsioni i jashtëzakonshëm, por edhe kapja e drejtësisë nga një pushtet i korruptuar që kërkon t‘i shpëtojë me çdo kusht drejtësisë, shkaku që TIA e klasifikon shumë poshtë Shqipërinë për sa i takon korruptimit dhe luftës kundër korrupsionit. Dhe është qesharake të dëgjosh Berishën të betohet se do të bëjë gjithçka për të luftuar korrupsionin. Eshtë krejt e kundërta. Sepse pushteti i tij, qeverisja e tij, janë tashmë korrupsioni vetë. Qeverisjet e Berishës kanë hyrë prej kohësh në një luftë ekzistenciale me ligjin dhe drejtësinë. Këtë rreth vicioz për integrimin po bën sikur nuk e kupton Ilir Meta ose bën sikur nuk ka kohë ta kuptojë, sepse është "shumë i zënë" me punët e integrimit. Por, alternativat janë përjashtuese: ose drejtësia dhe ligji do të kapen e nënshtrohen dhe pushteti i Berishës (tashmë edhe i Ilir Metës) do të jetëgjatësohet në kurriz të drejtësisë, ose drejtësia do të ndëshkojë korrupsionin e këtij pushteti dhe Berisha duhet të lërë karrigen. Kjo nevojë jetike për të kapur drejtësinë shpjegon edhe skenarë të tillë politikë për organizimin pa ligj të Konferencës Kombëtare Gjyqësore, për kapjen tiranike të gjykatave me "demokraci" anarkike gjykatësish të komandueshëm nga pushteti. Kryeministri premton se do të bëjë gjithçka për luftën kundër korrupsionit? Gjithçka, gjithçka? Kjo do të thotë të bëjë të pamundurën. Dhe e pamundura për Berishën është të largojë kthetrat e veshura me doreza gjykatësish dhe prokurorësh nga drejtësia. Të mos lajthisë aq sa të tentojë të maskojë, sikundër po ndodh, korrupsionin e qeverisë qendrore me korrupsionin e qeverisë lokale, sepse korrupsioni nuk mund të shërbejë si gjethe fiku për korrupsionin. Njëherazi, të mos marrë nën sqetull si ministra (një akt politik tejet shantazhist mbi drejtësinë, që edhe denoncon një gangrenizim imoral tepër alarmues të qeverisjes) njerëz si Mediu dhe Basha që janë koka e dy prej kryekorrupsioneve më të mëdha në historinë e tranzicionit shqiptar. Por kaq nuk është gjithçka. Të rrëfejë gatishmëri, si të gjithë kryeministrat dhe zyrtarët e lartë të Perëndimit, për të dëshmuar para drejtësisë (ai dhe të afërt të tij politikë dhe jo politikë) për këto superskandale që e kanë implikuar tashmë publikisht. Pra, të shkelmojë atë traditë të urryer nënshtrimi që ka rrënjosur në këtë shtet dhe që ka rrudhur guximin e prokurorëve, se po more në pyetje Berishën dhe njerëz të tij ke marrë në pyetje Zotin e shtetit. Sepse prej këtej buron edhe vërdallosja e prokurorisë në nivele komunash dhe mungesa e ndëshkimit të korrupsionit të madh ministror e kryeministror në majat e pushtetit, që është një tjetër shkak i korrupsionit në Shqipëri i kritikuar edhe nga TIA. Madje, edhe kur ka pasur ndonjë rast të ndëshkimit për korrupsion të ndonjë zëvendësministri, ai është nxjerrë shumë shpejt nga hekurat për t‘u caktuar në një tjetër post publik, si në rastin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Një i sapo dënuar për korrupsion zgjidhet nga "biznesi" për të drejtuar punët e biznesit? Uh, kjo hata "demokratike" para së cilës zbythet për turp edhe Ministria e Ekonomisë, mund të ndodhë vetëm në kushtet e një qeverisjeje që është korruptuar moralisht deri në palcë! Dhe kur qeveria i vendos tavan drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, nuk ka më shtet ligjor, nuk ka më barazi para ligjit. Në shtete të tilla të tipit oriental, Kryeministri apo ministri pasurohen skizofrenisht "me ligj", ndërsa i varfri që vjedh një bukë, pabuksi që është i tillë për shkak të pasurimit "me ligj" dhe përrallor të njerëzve me pushtet, përfundon në qeli. Kjo pabarazi skandaloze dhe poshtëruese e qytetarëve para ligjit, është shkaku i megakorrupsionit shqiptar të denoncuar nga TIA. Dhe a mund të integrohet në Europë, në familjen e shteteve ku sundon ligji, një shtet ku kryekorrupsioni mbetet privilegj i pandëshkueshëm i qeveritarëve? Harrojeni!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›