E Shtunë, 31 Tetor 2026

KPJ, Bokshi: Vetëm me forcë mund të rivendosemi në veri

Kosova vetëm me forcë mund te rivendos autoritetin e vet në veri të Mitrovicë. Ajo, përveç se e ka të vështirë të arrijë konsensusin nacional para dialogut, edhe sikur të arrihej prapë nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje për atë pjesë të vendit. Kështu mendon Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), pas një studimi të bërë për gjendjen në veri, i cili negociatat politike me Serbinë i sheh si të pashmangshme.
 

"Nëse ka ndonjë mundësi që Kosova të rivendos vetën atje atëherë është përdorimi i forcës, jo dëbimi i qytetarëve atje. Përdorimi i forcës, zgjidhje tjetër nuk ka, por kjo është përjashtuar dhe tashmë e kemi çarmatosur veten", tha Drejtori ekzekutiv i KPJ-së.
 

Për KPJ-në, Kosova është humbëse në të gjitha mënyrat për faktin se është e pabarabartë në këtë raport. Drejtori ekzekutiv i KPJ-së, Alban Bokshi, ka thënë se Serbia vitet e fundit ka investuar 200 milionë euro në atë pjesë, në infrastrukturë, shëndetësi, ekonomi, duke e vendosur kështu veten si autoritetin e vetëm faktik ekonomik, ndërsa qeveria e Kosovës nuk ka ndikim në atë pjesë.
 

"Beogradi është faktor në veri të Kosovës. Beogradi është faktor sa i përket rregullimit të problemit të veriut dhe prandaj edhe po kërkon negociata politike. Negociatat janë të pashmangshme dhe nëse shkohet në këtë formë siç po duket që po shkohet, atëherë do të kemi një rirregullim të brendshëm të Kosovës, që do ta prek edhe Kushtetutën e Kosovës edhe kufijtë e jashtëm të Kosovës dhe që nuk garanton sërish që kjo do të jetë zgjidhje finale", ka thënë ai.
 

Bokshi thotë se Serbia është autoritet faktik në veri, përderisa ne jemi jashtë, ndërsa ndërkombëtarët hezitojnë ta zgjedhin këtë çështje. Por, sipas tij, nëse Kosova dëshiron të rivendoset në veri atëherë duhet të përdorë forcën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›