E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish kolona të gjata në Merdare

Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikë-kalimin kufitar Kosovë-Serbi, në Merdare, sërish janë krijuar kolona dhe pritje të gjata si pasojë neglizhencës së autoriteteve serbe.
 

Departamenti i Policisë Kufitare, përmes një komunikate për media, ka informuar se sot në pikë-kalimin kufitar Merdare, ka filluar krijimi i kolonave dhe pritjeve të gjata, si në hyrje për në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në dalje për në Serbi.
 

"Pritjet janë duke u bërë me orë të tëra nga të dyja anët, edhe pse nga Kosova për në Serbi, në territorin tonë kolonat janë të gjata diku nga 200-300 metra, me pritje që zgjasin me nga 2-3 orë, ndërsa në hyrje sipas qytetarëve po ashtu kolonat janë të gjata dhe pritet me orë të tëra", thuhet në komunikatë.
 

Sipas policisë, në bazë të informacioneve, jo zyrtare të pranuara nga qytetarët, e gjithë kjo pritje bëhet nga puna e ngadalshme, neglizhenca dhe mungesa e përgjegjësisë së autoriteteve serbe.
 

Ata thonë se nga ana e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht, me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolonat dhe pritjet janë duke u shkaktuar nga autoritetet serbe.
 

Policia e Kosovës sugjeron të gjithë qytetarët që mundësisht të shfrytëzojnë pikë-kalimet tjera kufitare, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kolona të krijuara në këtë pikë-kalim kufitar. Policia njofton se në pikë-kalimet e tjera kufitare qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht, pa pritje të gjata.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›