KPS fillon diskutimet për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit dhe Integrimit 2013-2020
“Shqipëria - vend i zhvilluar, Shqipëria - vend i integruar, kjo është detyra jonë, ky është objektivi ynë, kjo është ëndrra jonë.”
“Gjithçka është në funksion të integrimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe strategjia do të adresojë të gjithë problematikën e Planit të Veprimit, të gjithë problematikën strategjike të raporteve të Komisionit Europian.”
“Opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv.”
Kryeministri Berisha thirri sot, mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, e cila vendosi nisjen e procesit të hartimit të Strategjisë së re të Zhvillimit 2013-2020. Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha parashtroi disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet Komiteti në hartimin e strategjisë: Shqipëria - vend i zhvilluar, Shqipëria - vend i integruar, Shqipëria dixhitale, qeverisja e hapur.
“Strategjia - u shpreh Kryeministri - do të përcaktojë dijen si shtyllën më kryesore të zhvillimit të këtij vendi, të parashikojë të gjitha reformat e domosdoshme në mënyrë që në bazë të zhvillimit, lokomotivë e saj të jetë dija.
Kryeministri kërkoi që në hartimin e Strategjisë të përfshihet edhe Plani i Veprimit për 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, i rishqyrtuar nga Ministria e Integrimit së bashku me Komisionin Parlamentar të Integrimit, që kryesohet nga opozita dhe që ka tani mbështetjen e spektrit politik shqiptar.
“Procesi, - tha Kryeministri - njohu një ngadalësi për disa shkaqe që tashmë janë universalisht të njohura. Fakt është se opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv.”
Si metodën më efikase për hartimin e saj, Kryeministri vlerësoi atë të përfshirjes së të gjitha institucioneve, të konsultimit më të gjerë me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe përthithjes së mendimeve më të avancuara.
Në parashtrimin e tij lidhur me objektivat e strategjisë 2013-2020, Kryeministri tha:
“Së pari, dëshiroj, t’ju përshëndes dhe siç jeni në dijeni, kjo mbledhje e Komitetit të Planifikimit Strategjik thirret për të vendosur për hartimin e strategjisë së re të zhvillimit e integrimit të vendit deri në vitin 2020 (në fakt, mirë do të ishte të kishte përfshirë edhe vitin 2023, por kaq janë caktuar afatet).
Sistemi i planifikimit të integruar filloi zbatimin e tij në vitin 2005, pas një mbështetje të fuqishme të partnerëve tanë dhe angazhimit e përkushtimit të një grupi, jo të madh në numër, punonjësish në Këshillin e Ministrave që shërbeu si Sekretariat Teknik i këtij Komiteti, që punoi me përkushtim të madh dhe ia doli të kristalizojë e konsolidojë dora-dorës këtë sistem, si një nga zhvillimet më të rëndësishme në fushën e vizionit dhe të programimit të qeverisë shqiptare.
Ideja fillestare ishte strategjia e përmbushjes së objektivave të mijëvjeçarit. Meqenëse ato ishin edhe objektivat më të rëndësishme, në rrafshin ndërkombëtar, që shtroheshin para Shqipërisë. Por, ndërkohë, Shqipëria bëri përparime të ndjeshme në afrimin me Bashkimin Europian. Ajo firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, gjë që bëri të domosdoshme që aksi i strategjisë të zhvendosej i tëri drejt zhvillimit dhe integrimit. Ndaj në vitin 2008, pas një debati shumë të gjerë që ministritë e agjencitë respektive bënë me publikun e shoqërinë civile, u hartua Strategjia Kombëtare për Zhvillim e Integrim. Strategji, e cila, në tërësinë e vet, ka shërbyer si program i qeverisë, në përpjekjet e saj, për zhvillimin e vendit dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Strategjia 2013-2020 do të ketë si objektiva madhore: Shqipëria - vend i zhvilluar, Shqipëria - vend i integruar në BE. Pra, e tërë Strategjia duhet të ketë si bosht shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar, por të një zhvillimi të qëndrueshëm jeshil. Përcaktimi ynë është përfundimtar, nuk ka asgjë më të rëndësishme se në ndërtimin e kësaj ndërtese të shmangim çdo gabim, që do të paguajnë më pas gjeneratat që vijnë. Në konkretizimin e kësaj Strategjie, duhet të bëjmë gjithçka që në epiqendër të këtij procesi zhvillimi të jetë zhvillimi i qëndrueshëm jeshil. Ne i kemi potencialet. Ne jemi një ndër vendet me potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme, jemi ndër vendet me biodiversitet të pashembullt në Europë dhe që kemi vullnetin për të ndërmarrë programin më të fuqishëm të pyllëzimit për sipërfaqe dhe për capita, që është ndërmarrë ndonjëherë në Europë dhe që do të jetë program pyllëzimi me drurë frutorë. Ne do të bëjmë gjithçka, të mbajmë në kontrollin më të plotë çdo hap të zhvillimit tonë, në standardet më të mira mjedisore që ekzistojnë.
Të dhënat dhe, në fund të fundit, e tërë përpjekja jonë për zhvillim, tek qytetari i thjeshtë konvertohet në të ardhura dhe këto janë të rëndësishme, por, mbi të gjitha, konvertohet në një gjendje sociale optimale, konvertohet në zgjatje të jetës së qytetarit. Ku jemi ne me këto tregues? Indikatorët e përcaktuar për vlerësimin e mirëqenies sociale, duke e përdorur këtë term në mënyrë arbitrare, tregojnë se ne lëmë mbrapa aktualisht më shumë se 110 vend të botës, në qoftë se marrim si të vlerësuara 180 vende, sepse, nëse shtojmë edhe vende të tjera, është edhe më i lartë numri i vendeve që lëmë mbrapa. Të dhënat tregojnë se në indeksin GINI, ne sërish jemi në një fashë të pranueshme, jemi jo tamam, por jo larg vendeve me indeks të mirë në indeksin e shpërndarjes së të ardhurave. Ato tregojnë se në të gjitha kombet e vendeve ish komuniste, vdekshmëria tek të rriturit 50 deri 64 vjeç, tek shqiptarët është më e ulëta. Dhe ky është një nga studimet më serioze të kryera ndonjëherë në të gjitha kohërat, që përfshin një periudhë 40 vjeçare, i botuar vitin e kaluar. Sipas studimit të vdekshmërisë në 40 vite, shqiptarët janë më mirë me këtë tregues, se çdo vend tjetër ish komunist. Por janë më mirë kombet perëndimore, të cilat ishin të lira e nuk provuan perden e hekurt. Po ta lexoni, ky studim është shumë interesant. Ai tregon se Portugalia, e cila u çlirua e fundit, ndër këto kombe, nga diktatura, e ka më të lartë këtë tregues. Natyrisht, e ka më mirë sesa ne, por edhe ne jemi afër në këtë renditje. Me vdekshmërinë ka lidhje direkt edhe jetëgjatësia. Sërish, edhe në këtë tregues, ne nuk hymë tek jetëgjatësisë më të larta në botë, por kemi treguesit ndër më të lartët. Me disa nga vendet e zhvilluara të planetit, ne na ndajnë në jetëgjatësi, 2 ose tre muaj. Këtë vit, për herë të parë, ne zbresim në vdekshmërinë foshnjore një shifrore dhe kemi një nga treguesi më të mirë përsa i përket vdekshmërisë së nënave. Një tregues ky, shumë sensitiv i kulturës dhe përkujdesjes. Edhe në këtë tregues, ne lëmë mbrapa jo një, por, absolutisht, shumë vende të zhvilluara.
Unë u ndala në këtë paraqitje të shkurtër, thjesht për të theksuar se ne kemi një bazë shumë të fuqishme ekonomike, sociale, të gjithanshme për të hartuar një strategji me objektiva ndër më ambiciozët. Në rrafshin strategjik, gjithmonë je i detyruar të mendosh të pamendueshmen, të imagjinosh të paimagjinueshmen, në rast se do që të kristalizosh një vizion frymëzues. Kjo duhet të jetë strategjia që ne duhet të hartojmë. Ne kemi vendosur këtu një strategji, së cilës në tërësi i jemi përmbajtur, por edhe është tejkaluar nga zhvillimet, sepse i tillë ishte niveli dhe e tillë ishte pamja jonë drejt horizontit 5 vjet më parë. Tani, në një horizont të ri, ne kemi një pamje krejtësisht tjetër.
Strategjia duhet të përcaktojë rrugët e zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimit të saj. Drejtim më themelor është e do të mbetet Shqipëria dixhitale, qeverisja e hapur. Ky duhet të jetë një nga drejtimet më kryesore të strategjisë dhe e përpjekjes sonë për vitet që vijnë. Objektivat e kësaj nisme shumë të rëndësishme, e ndërmarrë vitin e kaluar, nga Presidenti Barack Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff, ku ne u anëtarësuam, duhet të jenë një frymëzim dhe objektiva konkrete të strategjisë sonë dhe t’i avancojmë ato. Shqipëria - vend i zhvilluar, Shqipëria - vend i integruar, kjo është detyra jonë, ky është objektivi ynë, kjo është ëndrra jonë. Shqipëria e bazuar mbi dijet, ekonomia shqiptare e bazuar mbi dijet, si kusht themelor për zhvillimin, si kusht themelor që kjo ekonomi të rrisë eficencën e saj, si kusht themelor që të krijojmë më shumë vlera. Ndaj edhe strategjia do të përcaktojë dijen si shtyllën më kryesore të zhvillimit të këtij vendi, të parashikojë të gjitha reformat e domosdoshme në mënyrë që në bazë të zhvillimit, lokomotivë e saj të jetë dija.
Zonja e zotërinj,
Këto ditë, Ministria e Integrimit së bashku me opozitën kanë hartuar një Plan të ri Veprimi për 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, në rrugën e integrimit europian, i cili është edhe qëllimi dhe projekti më madhor i këtij kombi dhe i këtij vendi. Kur themi zhvillim nënkuptojmë një vend që do të integrohet si vend i zhvilluar, me dinjitet në Bashkimin Europian. Gjithçka është në funksion të integrimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe strategjia do të adresojë të gjithë problematikën e Planit të Veprimit, të gjithë problematikën strategjike të raporteve të Komisionit Europian. Procesi njohu një ngadalësi për disa shkaqe që tashmë janë universalisht të njohura. Fakt është se opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Mbi këtë angazhim, Ministria e Integrimit së bashku me Komisionin Parlamentar të Integrimit, që kryesohet nga opozita, rishqyrtoi edhe një herë Planin e Veprimit. Ky Plan, që ka tani mbështetje totale të spektrit politik shqiptar, duhet të përfshihet e të mbahet thellësisht parasysh në hartimin e Strategjisë ’13-’20 (do ishte më mirë të thonim ’20-’23, sepse nuk i ka ndodhur asnjë njeriu që të vazhdojë një punë të lënë më mbrapa, kështu që 23 është caktuar një afat, mund të shkojë edhe më gjatë). Këto janë disa nga shtyllat kryesore ku do të bazohet hartimi i strategjisë.
Si në çdo gjë, rëndësi esenciale ka metoda dhe metoda që do të përdorim në hartimin e saj do të jetë ajo e konsultimit më të gjerë të mundshëm, do të jetë ajo e përthithjes së mendimeve më të avancuara. Strategjia do të jetë një dokument i gjallë vetëm në rast se ajo mishëron sintezën mendimin më të avancuar e më të gjerë. Ndaj kjo kërkon një punë intensive, konsulta të shumta, për të gjithë problematikën që do të trajtohet. Konsulta me shoqërinë civile, e cila është një kontribuuese madhe e strategjisë ekzistuese dhe ka një potencial shumë të rëndësishëm dhe mundësi të madhe kontribuuese në hartimin e strategjisë 2013-2020. Në hartimin e kësaj strategjie duhet të ketë konsulta intensive me botën akademike shqiptare, konsulta intensive me grupet e interesit. Hartimi i saj në asnjë rast nuk mund të jetë produkt vetëm i zyrave tona. Zyrat tona kanë detyrën të bëjnë sintezën e kësaj konsulte të gjerë, të këtij procesi që synon të mbledhë, të sintetizojë e konkretizojë në këtë dokument mendimin më të avancuar, më të mençur, më vizionar që ekziston në shoqërinë tonë. Strategjia do të hartohet nga të gjitha institucionet e këtij vendi, për problematikën përkatëse. Sekretariati teknik, që ka edhe peshë shumë të rëndësishme, ka detyrën ligjore të monitorojë të gjithë procesin, të informojë kryetarin e Komitetit dhe, sipas rastit, Komitetin, mbi ecurinë dhe respektimin e kritereve dhe metodës së përcaktuar për hartimin e saj.”
21/12/2011