Kryeministri Berisha: Ky ështe censusi i parë që shqiptarët realizuan në liri të plotë dhe ne kushtet më optimale nga të gjithë censuset e mëparshëm

- Këtë 10 vjeçar, shqiptarët janë një komb kryesisht urban dhe kjo është shume premtuese.
- Regjistrimi dëshmon se në 10 vjet, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në te gjitha kohërat.
Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave tek rezultatet paraprake të censusit, duke i vlerësuar ato si zhvillimi aktual më i rëndësishëm. Kryeministri e cilësoi këtë proces regjistrimi, si të parin të realizuar në liri dhe ne kushtet më optimale, se të gjitha proceset e tjera të regjistrimit, të realizuara në Shqipëri.
Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë falënderimet për të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë proces të rëndësishëm për vendin, si dhe të gjithë regjistruesit për punën e shkëlqyer, në përmbushjen me sukses të misionit të tyre. Kryeministri falënderoi me mirënjohje, në emër të qeverisë shqiptare Komisionin Evropian, qeverinë suedeze dhe qeverinë zvicerane, me financimin e të cilëve u mundësua ky census.
Kryeministri u shpreh se të dhënat paraprake të censusit kanë një tregues jashtëzakonisht pozitiv, pasi për herë të parë në këtë census në Shqipëri, popullata e qyteteve dominion mbi zonat rurale. “Lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë kombe të cilat të lira ndërtojnë prosperitetin, mëkëmbjen dhe të ardhmen. Rendimenti i tyre ekonomik është shumë here më i madh.”, tha kryeministri.
Duke theksuar se ky proces shndërrimi madhor ka sjelle dy apo trefishimin e qyteteve të mëdha, kryeministri bëri të ditur se Bashkia e Kamzës sipas këtij censusi renditet e gjashta në Shqipëri për frymë popullate. “Këtë 10 vjeçar shqiptarët janë një komb kryesisht urban dhe kjo është shumë premtuese. Ky është një proces që u realizua sigurisht me shpejtësi, por u realizua ne liri. Unë i kuptoj të gjitha zhurmat dhe kritikat, por zhvillim më të madh se ky, në rrafshin social nuk ka. Duhet te theksojmë se ky proces shndërrimi madhor ka sjelle dy apo trefishimin e qyteteve të mëdha. Bashkia e Kamzës sipas këtij censusi renditet e gjashta në Shqipëri për frymë popullate. Para saj janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani.”
Kryeministri vlerësoi si një zhvillim tjetër pozitiv, ritmet e shtimit të popullatës, të cilat mbeten të kënaqshme, megjithë një tendence të lehtë në rënie që vihet re. Lidhur me këtë, kryeministri u shpreh se qeveria është e gatshme që, në se do të jetë e nevojshme do të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike ne interesin kombëtar. “Zhvillimi tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është se akoma janë të mira ritmet e shtimit të popullatës. Ka një tendencë në rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike në interes kombëtar.” tha kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje, ndër të tjera, se regjistrimi ka një tregues tjetër shume të rëndësishëm dhe shume te veçantë, i cili është ëhsët rritja e sipërfaqeve të ndërtura këto 10 vjet. “Në 10 vjet, dëshmon regjistrimi, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në te gjitha kohërat. Pra një rritje e sipërfaqes së ndërtimit në 10 vjet me 38 % krahasuar me sipërfaqen e ndërtimit të të gjitha kohërave është e jashtëzakonshme.” tha kryeministri. Kryeministri e cilësoi këtë fakt si dëshmi të eficensës së konvertimit të energjive të këtij vendi dhe te këtij kombi ne mirësi materiale.
Kryeministri bëri të ditur se të gjitha këto, janë disa të dhëna paraprake, pasi të dhënat përfundimtare Instituti i ka në përpunim e sipër dhe do ti bë të njohura gradualisht, pas përpunimit elektronik.
Lidhur me këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:
“Zhvillimi më i rëndësishëm është rezultatet e censusit. Ky ishte censusi i parë që shqiptarët realizuan në liri të plotë dhe në kushtet më optimale nga të gjithë censuset e mëparshëm, të cilat kanë patur në treguesit e vet, lirinë, në periudhën e mbretërisë, por kushtet tmerrësisht të vështira të realizimit; u manipuluan gjerësisht gjatë diktaturës sipas oreksit të diktatorit; censusi i vitit 2001 pati defekte nga më seriozet, ku faktohet në mënyrë të padiskutueshme se u përdor regjistri i gjendjes civile në shumë rrethe.
Ky është censusi i parë i vërtetë modern i shqiptarëve, ndaj dhe unë gjej rastin të shpreh falënderimin më të përzemërt të qeverisë shqiptare për të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në këtë proces faktimi të qenies, të banesës dhe treguesve të tjerë; të falënderoj të gjithë regjistruesit për punën e shkëlqyer që kanë bërë, duke trokitur derë më derë, duke përmbushur me përgjegjësi të plotë detyrën e tyre. Dëshiroj të falënderoj Institutin e Statistikës, Komitetin dhe Kryetarin e Komitetit të ngarkuar për realizmin e tij që udhëhoqën një proces shumë të rëndësishëm, një proces plotësisht të suksesshëm.
Të dhënat paraprake të censusit kanë një tregues jashtëzakonisht pozitiv. Për herë të parë në këtë census, në Shqipëri popullata e qyteteve dominion mbi zonat rurale. Ne, për shumë arsye të njohura kemi qenë një vend kryesisht rural, ndonëse në qytetet tona llamburitnin dritat, kur të tjerët ishin akullnajë, por sërish historia ishte njerkë me ne dhe në rast se ne mbetem një komb rural, një zonë kryesisht rurale, ne mbetem të tillë për tu vetëmbrojtur për të siguruar ekzistencën, se nuk ka patur tokë më të lakmuar se ky bri perëndimor i Gadishullit të Ballkanit, pra toka jonë, ndaj edhe shqiptarët bënë gjithçka që të ruajnë ekzistencën e tyre, por lëvizja e madhe drejt urbanizimit të këtyre viteve është oguri më i bardhë për të ardhmen e kombit. Kombet urbane janë kombe të cilat të lira ndërtojnë prosperitetin, mëkëmbjen dhe të ardhmen. Rendimenti i tyre ekonomik është shumë herë më i madh. U gëzova shumë kur pashë rezultatet e këtij regjistrimi, i cili dëshmon se aktualisht 53.7 % e shqiptarëve jetojnë në zona urbane, 46. 3 % e tyre jetojnë ne zona rurale. Këtu marrin një përgjigje të gjithë ata, të cilët kanë qenë agresivë në qëndrimet e tyre ndaj lëvizjes së lirë dhe procesit të urbanizimit të kombit. Ky është procesi më i shpejtë që një komb mund të ketë patur ndonjëherë. Unë po ju jap vetëm një te dhënë, në vitin ‘79 në qytet jetonin gjithsej 800 mije shqiptare dhe rreth më shumë se dyfishi i tyre jetonte ne fshat. Në vitin ‘89 në qytet jetonin serish rreth mbi 1 milion qytetarë shqiptarë, me pak se në fshat. Ne vitin 2001 përsëri së paku 25 % e shqiptareve ishin më shumë në fshat. Këtë dhjetëvjeçar ka ndodhur kapërcimi i madh. Këtë 10 vjeçar shqiptarët janë një komb kryesisht urban dhe kjo është shumë premtuese. Ky është një proces që u realizua sigurisht me shpejtësi, por u realizua në liri. Unë i kuptoj të gjitha zhurmat dhe kritikat, por zhvillim më të madh se ky në rrafshin social nuk ka. Duhet te theksojmë se ky proces shndërrimi madhor ka sjelle dy apo trefishimin e qyteteve të mëdha. Bashkia e Kamzës sipas këtij censusi renditet e gjashta në Shqipëri për frymë popullate. Para saj janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani. Një qytet i tëri i ri, pra qendrat përreth Tiranës, që të gjitha grupohen në vendbanimet me mbi 10 mijë banorë. Pra, një Shqipëri me këtë census faktohet komb urban. Nga ana tjetër njerëzit kanë bërë ndërtimet. Në asnjë qytet, në asnjë vend nuk kanë ndërtuar Bidon ville. Kudo ekzistojnë Bidon ville, por jo, në qytet tona. Kanë ndërtuar shtëpi, njëkatëshe, dykatëshe, trekatëshe, pra rrisin katet. Pasioni i shqiptareve për të patur një shtëpi të mirë është një nga pasionet më të bukura të tyre. Natyrisht çdo lëvizje e tillë e madhe demografike është e pashmangshme që krijon problemet e veta, por zhvillimi madh i qyteteve si lokomotiva të zhvillimit superon të gjitha pasojat. Dhe ky është zhvillimi më pozitiv.
Zhvillimi tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është se akoma janë të mira ritmet e shtimit të popullatës. Ka një tendencë në rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike ne interes kombëtar, të cilat janë faktuar si eficente, por nuk është rasti ende dhe nuk kemi pse ti vëmë ne rendin e ditës, aktualisht.
Në regjistrim nuk morën pjesë gjithsej vetëm 1,04 % që është devijacioni më minimal në regjistrim, në një kohë moderne. Por është i evidentuar çdo refuzim, e theksoj këtë, sepse është trokitur ne çdo derë dhe ky është regjistrim në liri, por shmangja është më minimalja se në çdo vend tjetër.
Regjistrimi ka një tregues tjetër shumë të rëndësishëm dhe shumë te veçantë. Në 10 vjet, dëshmon regjistrimi, shqiptarët kanë ndërtuar banesa rreth 38 % më shumë se në te gjitha kohërat. Pra një rritje e sipërfaqes së ndërtimit në 10 vjet me 38 % krahasuar me sipërfaqen e ndërtimit të të gjitha kohërave është e jashtëzakonshme. Dhe kjo është dëshmia e eficenes së konvertimit të energjive të këtij vendi dhe te këtij kombi në mirësi materiale. 38 % me shumë banesa se sa në regjistrimin e viti 2001. Këto janë disa të dhëna paraprake sepse të dhënat përfundimtare Instituti i ka në përpunim e sipër dhe do ti bëjë të njohura dora dorës, pas përpunimit elektronik.
Duke përfunduar dua tu lexoj edhe njëherë 10 bashkitë më të mëdha të vendit, të cilat janë:
Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Kamza, Fieri, Korça, Kashari, Paskuqani, Berati, Lushnja, pra realitete inekzistente.
Nuk keni qene ju në Paskuqan ku unë bëja zborin dhe tani ju duket çudi. Atje ishin kodrat ku merrnin pozicionet e armikut dhe nuk kishte asgjë tjetër, veçse kodra me shkurre. E dhashë këtë shembull se atëherë e kishim terrenin e betejave fantazmagorike.
Duhet te falënderojmë me shume mirënjohje Komisionin Evropian. Ky census është i realizuar me financimin bujar të KE te qeverisë suedeze dhe te qeverise zvicerane. Unë u jam shumë mirënjohës dhe në emër te qeverisë i falënderoj për këtë mbështetje dhe kam kënaqësinë që ne rast se diku,diku, censuset kane dështuar, në Shqipëri është realizuar në mënyrën me serioze.
21/12/2011