KQZ: Fletët do digjen brenda gushtit
BLEDAR HOTI
Brenda muajit gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë vendimin për asgjësimin e fletëve të votimit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, në një prononcim për “Alsat Tv” theksoi se afrimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale të do të detyrojë KQZ-së që zbrazë ato kuti votimi brenda së cilës ndodhen fletët e votimit të 28 qershorit 2009. Afatin e muajit gusht, Ristani e ka lidhur me nxjerrjen e dekretit të mundshëm, që do të dalë nga ana e kreut të shtetit, Bamir Topi, për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor. “Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, përgatitja për të cilat fillon 9 muaj përpara, që do të thotë se diku nga gushti i këtij viti do të dalë dekreti i presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, neve do të na duhet të fillojmë përgatitjet dhe do të jetë besoj afati i fundit për ta mbyllur këtë problem. Një pjesë e përgatitjeve është edhe pastrimi dhe lirimi i kutive”, deklaroi Ristani. Pavarësisht kërkesës permanente të opozitës për transparencën e zgjedhjeve si dhe mosdjegies së fletëve të votimit, KQZ-ja duhet ta ndërmarrë këtë vendim për zbrazur të mbi 4 mijë kutitë, pasi ato duhet të përdoren për zgjedhjet e ardhshme. Ristani deklaron se “për zgjedhjet e ardhshme vendore do të përdoren te njëjtat kuti dhe se ato duhet të jenë funksionale gati 9 muaj para mbajtjes së procesit”. Ligji parashikon djegien e fletëvotimeve. Ky veprim mund të ishte realizuar kohë më parë, por kreu i KQZ-së thekson se procesi është shtyrë për shkak të debatit politik, por edhe hapësirave që krijon ligji. Dy ditë më parë, gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Ristani bëri publike arsyen pse nuk pranuan të zbatonin detyrimin ligjor për asgjësimin e fletëve të votimit dhe dërgimin në Arkivin e Shtetit të materialeve të tjera zgjedhore. “Nuk ka një afat të shprehur në ligj për këtë punë, nuk ka afat kohor. Sigurisht ka qenë në vëmendjen e KQZ, për ta realizuar edhe këtë pikë të ligjit dhe për hir të së vërtetës, thjesht me iniciativë të komisionit, duke qenë se debati politik nisi për këtë proces, menduam se është përgjegjësi e jona, të mos e realizonim atë, në mënyrë që të mos i hidhnim benzinë zjarrit, duke qenë se edhe ligji nuk kishte afate kohore të përcaktuara. Por është thjesht iniciativa jonë, pasi u ndodhëm në këto kushte”, tha kryekomisioneri Ristani. PS kërkon transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Opozita kërkon hapjen e kutive të votimit, por një gjë e tillë është kontestuar nga ana e maxhorancës, pasi e cilëson si antikushtetuese.