PD miraton rezolutën e KQZ-së: Zgjedhjet më të lira që nga ‘90
Pavarësisht kërkesës së opozitës për transparencën për zgjedhjet e qershorit, maxhoranca nuk ka ngurruar mbrëmë që të votojë rezolutën për punën e KQZ-së, duke e cilësuar punën e këtij institucioni si më të arrirën dhe më transparenten. Pa opozitën në sallë, maxhoranca ka votuar me 71 vota rezolutën për raportin vjetor të KQZ-së, ku viti 2009 përkoi me zgjedhjet parlamentare. “Kuvendi i Shqipërisë konstaton se: - Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mirat, më të drejtat dhe më të lirat që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90, dhe ato përmbushën shumicën e angazhimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj OSBE-së. Komisioni Qendror Zgjedhor në realizimin e zgjedhjeve të 2009-ës ka pasur rolin e tij të dukshëm dhe determimant për to. Pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, KQZ-ja i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet e 2009-ës me profesionalizëm, si dhe ndërmori një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor. U realizua një pasqyrim i balancuar i aktiviteteve të të gjitha subjekteve në media, në përputhje me përcaktimet e bëra në Kodin Zgjedhor”, thuhet në rezolutën e miratuar mbrëmë. Gjithashtu në këtë rezolutë të paraqitur për votim nga ana e Komisionit të Ligjeve, theksohet se procesi zgjedhor i qershorit shënoi hap cilësor në rritjen e transparencës, jo vetëm për sa i përket rolit të aktorëve politikë në to, por edhe pasqyrimit të procesit të numërimit nëpërmjet kamerave dhe sistemit ‘online’ të lidhjes me KQZ-në”. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e administroi me profesionalizëm dhe sukses procesin, duke realizuar njëkohësisht dhe vendosjen e standardeve të reja të transparencës zgjedhore në Shqipëri. Shpallja e vazhdueshme e rezultateve paraprake nga KQZ-ja rriti transparencën e procesit dhe një burim i besueshëm informacioni. Apelimet gjatë periudhës parazgjedhore dhe asaj pas zgjedhore u shqyrtuan nga KQZ-ja, në mënyrë profesionale dhe të drejtë, duke u dhënë atyre zgjidhje efektive. Deputetët e Kuvendit, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, janë shpallur me konsensusin e plotë të të gjithë anëtarëve të KQZ-së”, thekson rezoluta.