PD-Bashki, përplasje për Liqenin artificial

Tiranë, deputetët e djathtë kanë akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës se do ndërtojë pallate në zonën e liqenit
TIRANË- Partia Demokratike dhe Bashkia e Tiranës u përfshinë në një tjetër debat akuzash dhe kundër-akuzash, këtë herë për një sipërfaqe tek Liqeni Artificial.
Sipas deputetit demokrat Florion Mima: "U12-07 është kodi i një sipërfaqeje të parashikuar për t'u betonuar nga Bashkia e Tiranës, e cila shtrihet në afërsi të Kodrave të Liqenit Artificial, kopshtit zoologjik dhe parkut të lodrave të akuadromit.
Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t'u betonuar prej 130 mijë m2". Ai shpjegoi se nga 90% e sipërfaqes për ndërtim i është akorduar njerëzve të afërt me kryebashkiakun Rama dhe vetëm 10% për firma që nuk kanë lidhje me të.
"Në emër të deputetëve të Tiranës i bëj thirrje kryeministrit që është njëherazi edhe kryetar i KRRTRSH-së të marrë masa urgjente për ta shndërruar këtë zonë nga një zonë me intensitetit të lartë ndërtimi në një zonë rekreacioni në harmoni edhe me pjesën tjetër të zonës", -theksoi Mima.
Menjëherë pas kësaj reagoi Bashkia e Tiranës, e cila akuzoi deputetin Mima për shpifje. "Të gjithë e kanë marrë vesh se në dritën e fakteve dhe të dëshmive të pakundërshtueshme të dështimit qeverisës e të korrupsionit qeveritar, pushteti i sotëm mundohet të fshihet pas tymit të shpifjeve bajate për Bashkinë e Tiranës.
Kushdo që shëtit sot në Parkun e ripërtërirë të Liqenit të Tiranës e prek fare lehtë vizionin e Bashkisë së Tiranës, i cili është i ndryshëm si dita me natën, me vizionin e qeverisë që preket po lehtësisht, duke u ngjitur përmes gropave të rrugës kombëtare në Parkun e Malit të Dajtit",- tha zëdhënësi i bashkisë, Florion Serjani.