E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Protestat e Himarës rrëzuan shtetin

Republikani Sabri Godo deklaroi dje se nëse qytetarët bllokojnë rrugët nacionale të vendit, bie shteti, nuk ka më shtet


"Shteti të tregojë se ekziston si shtet, duhet ta fillojë punën me procedimin e atyre që bllokuan rrugën"


TIRANË- "Shteti shqiptar duhet të tregojë se ekziston si shtet dhe duhet ta fillojë punën me procedimin e atyre që bllokuan rrugën. Nëse bllokojnë rrugët nacionale, bie shteti, nuk ka më shtet". Ky është vlerësimi i dhënë nga Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Himarë.


Në një prononcim televiziv, politikani i njohur kritikoi punën e bërë nga shteti shqiptar për të qetësuar situatën dhe për të bërë të mundur normalizimin e ngjarjes.


"Ndërhyrja në Himarë pas 13 orësh. 13 orë, mijëra njerëz vuajtën vapën e fortë të gushtit, u mbyllën në makinat e tyre pa pasur asnjë rrugë. Si mund të ndodhë kjo? Do të thotë që kemi një shtet që toleron atje ku nuk duhet, dhe kjo duhet të marrë fund. Duhet ta dijë mirë cilido çdo shqiptar se po bllokove rrugën, pas një orë shkon në burg", -deklaroi Godo.


Krahas kësaj, politikani i vjetër shqiptar vlerësoi se ngjarja e ndodhur në Himarë ishte një skemë e parapërgatitur mirë dhe që priste një incident sado të vogël për t'u hedhur në opinion për një synim final.


"Kemi parë një skemë përgatitur me kohë me synimin final për shpalljen zonë minoritare të zonës së Himarës dhe autonomi qeverisje për të. Këto deklarata janë bërë me kohë nga Bollano dhe të tjerët, është përgatitur në një farë mënyrë opinioni, pritej vetëm një incident, një incident mund të vijë në çdo kohë", -vlerësoi ish-kreu i Partisë Republikane.

Mbi këtë ngjarje Godo fajëson kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, për të cilët thotë se çdo ortodoks që ndodhet në Shqipëri e llogarisin si një minoritar.


Nga ana tjetër, historiani i njohur thotë se ne nuk kemi ndonjë problem për të zgjidhur ndërmjet mes nesh. "Të gjitha këto janë krijuar tani me nxitje dhe me ndërhyrje që vijnë më tepër nga jashtë.


Del kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe bën thirrje ekstreme për polici minoritare në Himarë, duke qenë se këta janë më pak se 2% e popullsisë, as u takon të jenë dhe kurrkush nuk mund të thotë se minoritarëve nuk u është dhënë vend në administratën shqiptare, në polici dhe kudo",- kritikoi qëndrimin e Dules, Sabri Godo.


Nga ana tjetër, Presidenti i Nderit i Partisë Republikane deklaroi se çdo njëri ka të drejtë të flasë gjuhën që dëshiron dhe midis popullit tanë nuk ka racizëm. Krahas kësaj, ai deklaroi se nuk kuptohet që përse duhet të bëjë deklarata dhe të mobilizohet qeveria greke për konfliktin që ngjan mes dy shtetasve shqiptare dhe për më tepër e çon këtë në strukturat evropiane.


"Kur dihet se nëse do të flasim për probleme të mirëfillta etnike duhet të shohim ato që kanë ndodhur me emigracionin tonë atje, me krimet e përbindshme. Këto janë akte dhunë, akte krimi të mirëfillta etnike, jo kjo që ndodhi në Himarë", -theksoi Godo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›