E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Ngjarja në Himarë, skenar për ta shfrytëzuar

"Sado që të përpiqen, bregdeti nuk është minoritet. Shteti i tregua i dobët, duhet të kishte ndërhyrë në bllokimin e rrugës. Unë isha vetë në Himarë, jo të gjithë mbështesin Bollanon"


TIRANË- Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, vlerësoi dje ngjarjen e ndodhur në Himarë si një skenar që përnjëherë sajohet shpejt e shpejt për të shfrytëzuar rastin konkret.


Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli",- Klosi tha se "në Himarë është kjo atmosferë, ata duan me çdo kusht që një gjë sado të vogël ta bëjnë të madhe, që të evidentohet që në Himarë ka një komunitet që e quan veten minoritet, më the të thashë". Sipas tij, kjo është pjesë e politikës filo-greke dhe atyre interesave të vogla.


I pyetur mbi ngjarjet e fundit kriminale apo aksidentale të ndodhura në vendin tonë, ish-kreu i SHISH analizoi se krimi sigurisht gjen terren dhe fryhet, shfaqet më shumë atëherë kur më shumë kur situata e pjesës tjetër të jetës së njerëzve nuk është aq mirë.


Zoti Klosi, cili është vlerësimi juaj për ngjarjen e ndodhur në Himarë dhe reagimet e ardhura prej saj?


Natyrisht ndenja e parë është keqardhje për atë që ndodhi. Jeta e njeriut është më e çmuar se çdolloj gjëje tjetër. Pastaj më erdhi më keq për faktin që pati njerëz që tentuan ta shfrytëzojnë këtë ngjarje, të bëjnë politike me komente të kësaj ngjarje.


Për mua është e rëndë që ka të rinj që me përplasjen më të vogël nxjerrin edhe ndjenja "kombëtare" dhe nuk është mirë që të shkojë puna deri aty sa të acarohet situata. Ndërkohë që, më keq veprojnë ata të rriturit që i gërricin pastaj këto gjëra, që në një veprim të tillë shohin një veprim me bazë etnike.

Si e shikoni rolin e politikës shqiptare në këtë mes?


Për mua politika shqiptare mbajti një servilizëm ndaj të huajve, justifikohen, u fol për disa njerëz natyrisht, u diskutua. Si është e mundur që qeveria greke pa e marrë vesh mirë ne në Shqipëri e kishte bërë deklaratën e saj. Ndërkohë që shqiptarët nuk u hodhën fare për të bërë qoftë edhe një argument kundërshtues.


Kështu që, sido që të jetë puna duhet mbajtur një qëndrim më dinjitoz. Nuk bëjmë komente se çfarë ndodh në Shqipëri, se kanë ndodhur plot gjëra të ngjashme me shqiptarët. Këto janë gjëra edhe ndodhin, gjynah është, nuk është mirë të ndodhin, por qëndrimi duhet të jetë më dinjitoz.


Po rolin e Policisë së Shtetit në këtë ngjarje, si e vlerësoni?


Unë di që policia arrestoi disa djem, i akuzuari kryesor u dorëzua. Nuk di të them gjë për policinë, policia bëri detyrën, nuk besoj se policia ka bashkëpunuar me ta apo ka qenë tolerante me këtë punë.


Si e shikoni propozimin e bërë nga kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, për krijimin e një policie minoritare?


Më duken absurde që në policinë e Himarës të ketë edhe minoritet. Mua nuk më duket normale. Unë e di shumë mirë, të gjithë e dimë, që nuk janë minoritet, absolutisht nuk janë minoritet. Atyre u leverdis ta quajnë veten grekë, punë e atyre, unë nuk i çmoj fare.


Për disa interesa të vogla e quajnë veten grekë, është punë e tyre, por shteti ynë nuk duhet t'i pranojë këto gjëra. Këtu duhet të hynte, që të thoshte se nuk janë minoritet, as realisht nuk janë, por as me ligjet nuk mund të konsiderohen minoritet. Bregdeti nuk është minoritet. Kështu që, edhe në këtë aspekt do të doja që shteti të ishte më i vendosur.


A e shikoni normale bllokimin e rrugëve duke penguar dhe qarkullimin e pushuesve?


Normale nuk është, por ata janë të nxitur. Në Himarë është kjo atmosferë, ata duan me çdo kusht që një gjë sado të vogël ta bëjnë të madhe, që të evidentohet që në Himarë ka një komunitet që e quan veten minoritet, më the të thashë.


Është pjesë e politikës filo-greke dhe atyre interesave të vogla. Po ta shikosh, ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Tiranë, po zihen përditë. Ato janë pjesë e politikës së tyre, nuk është hera e parë që Bollano me shokë bën të tillë gjëra. Unë të thashë, nuk më pëlqen qëndrimi i shtetit, duhet të ishte më i vendosur.


Pra ju mendoni se ky është një skenar i ngritur?


Unë isha në Himarë atë ditë dhe kishte komente lloj-lloj dhe nga himarjotët vetë. Ata janë skenarë që përnjëherë sajohen shpejt e shpejt për të shfrytëzuar rastin konkret. Ndërkohë që kishte edhe himarjot të tjerë që thoshin se pse e bëjnë kaq të madhe etj., etj.

Meqenëse jemi në një çështje që ka të bëjë me rendin publik. Kohët e fundit ka pasur shumë ngjarje që lidhen me këtë gjë. Cili është vlerësimi juaj për situatën aktuale të rendit publik në vendin tonë?


Është për të ardhur keq që po ndodhin kaq shumë gjëra. Natyrisht në një aspekt them që është stina e verës, gjithmonë ka pasur gjëra më shumë, por ta shikosh vërtetë dëgjon përditë përplasje të tilla, ku pjesa më e madhe është rinia.


Për mua është një pasqyrim i situatës ekonomike, i situatës së përgjithshme, nuk është thjesht rastësi që ndodhin gjëra të tilla. Krimi sigurisht gjen terren dhe fryhet, shfaqet më shumë atëherë kur më shumë kur situata e pjesës tjetër të jetës së njerëzve nuk është aq mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›