KQZ: Jo referendumit të LSI për Kushtetutën
Komisioni qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e LSI-së për organizimin e një referendumi popullor kundër ndryshimeve më të fundit kushtetuese. Kërkesa është hedhur poshtë me 8 vota kundër dhe 1 pro nga anëtari i LSI-së. KQZ mendon se kërkesa për referendum lidhur me këtë çështje është e pabazuar në Kushtetutë.
LSI mori iniciativën për të realizuar një referendum popullor në lidhje me ndryshimet kushtetuese të cilat u miratuan me votat e maxhorancës dhe të socialistëve më 21 prill të këtij viti. Iniciativa u përkrah dhe nga analistë të cilët formuan Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Në një interevistë të bërë disa ditë më përë në revistën MAPO, kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata është shprehur se LSI nuk njeh kushtetutën prandaj kërkon një gjë të tillë. Më poshtë është intervista e plotë e Çlirim Gjatës lidhur me këtë çështje
Gjata: Referendumi? LSI të lexojë Kushtetutën Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata vlerëson se ndryshimi i sistemit zgjedhor do të sjellë rezultate konkrete në zgjedhjet e ardhshme, vetëm nëse forcat politike do të kenë vullnet që ta zbatojnë atë deri në fund. Ndërkohë, përsa i përket nismës së LSI-së për referendum popullor, Gjata shprehet se ajo është një kërkesë e motivuar politikisht dhe e pabazuar në Kushtetutë.
Në amendimet e reja të Kushtetutës, institucioni i KQZ-së u suprimua. Në vështrimin tuaj, si kryetar i KQZ dhe jurist, sa mendoni se do të ishte ky një hap i duhur?
Fillimisht, do të doja të korrektonim termin suprimim sepse duket sikur Komisioni nuk është më, sikur është shkarkuar dhe ngjan më një parti të nxjerrë jashtë ligjit. Jo për ndonjë kompleks, por nuk dua të kujtoj disa histori të vjetra me institucionet. Në fakt, institucioni ynë nuk ka pësuar asgjë nga këto, thjesht nuk parashikohet më si i tillë në Kushtetutë, pra nuk kemi më një institucion kushtetues, por një institucion administrativ të parashikuar nga ligji, që është Kodi Zgjedhor. Ne funksionojmë në bazë të këtij Kodi, si subjekt dhe objekt i ligjit në fjalë. Kjo nuk paraqet asnjë problem në ushtrimin e funksionit tonë në organizimin dhe menaxhimin e proceseve zgjedhore të çdo lloji. Shfuqizimi nga Kushtetuta i Kapitullit të Dymbëdhjetë nuk përbën boshllëk kushtetues dhe ligjor. Zgjedhjet janë zhvilluar edhe kur komisioni, jo vetëm që nuk ishte kushtetues, por ishte edhe i përkohshëm. Qenia ose jo në Kushtetutë, nuk përben një conditio për mirëfunksionim, përkundrazi, mendoj se është zgjidhur një ngërç tetë vjeçar në raportet midis politikës, për ndërtimin e institucionit. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se kemi më pak apo më shumë kompetenca sa kishim më parë, në lidhje me drejtimin e proceseve zgjedhore. Në mbyllje të shpjegimit tim, në lidhje më ketë ndryshim, do të thosha se hap i duhur ishte për aq sa mbylli një konflikt të kotë, ndërsa për të tjerat vetëm sa i ka thjeshtëzuar gjërat sepse afërmendsh, nuk ka pse të ndryshohet më Kushtetuta për të ndryshuar numrin e anëtareve të komisionit.
Në një pamje krahasuese me praktikën ndërkombëtare, sa e konsideroni këtë praktikë të re, si të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë?
Ka disa modele, ndër të cilët do të përmendja atë austriak, ku administrata zgjedhore është e parashikuar në Kushtetutën e këtij vendi, siç e kishim edhe ne deri para ndryshimeve, por shumë më thjeshtë, maxhoranca parlamentare ka maxhorancën në administratën zgjedhore. Pastaj, ka modele nga më të ndryshmet; administrata paraqitet tërësisht civile, ose tërësisht me propozime partiake, apo me kolegj elektoral, si në SHBA, e deri atje sa në disa vende fqinje nuk ka administratë të lartë zgjedhore, por procesi administrohet nga Ministritë përkatëse të Brendshme nëpërmjet një sektori të caktuar me këtë detyrë. Them administrojnë, sepse merren vetëm me probleme të bazës materiale apo të publikimit të rezultateve të shpallura brenda një kuadri tepër transparent. Mendoj se modeli duhet përzgjedhur në përputhje të plotë me specifikat tona. Dhe këto specifika kanë të bëjnë me nivelin dhe klimën e besimit reciprok mes palëve në proces, besim ky përcaktues në shkallën e vullnetit politik, për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe sikur të zgjidhet modeli më i mirë e të krijohen kushtet më optimale, pa besim, nuk ka zgjedhje, dhe përsëri do të jemi para shansit të humbur. Ndaj nuk mjafton vetëm kompromisi në momentin e hartimit të ligjit në Parlament, i cili mund të gjendet për shumë arsye pragmatike të politikes, ligji duhet të jetë i tillë dhe institucionet zgjedhore duhen ndërtuar në mënyre të tillë, që të mos japin shkak në cenimin e besimit të palëve në proces dhe administratë. Kemi rastin të realizojmë, sidomos pas thjeshtëzimit të sistemit zgjedhor në Kushtetutë, një reformë me produkt afatgjatë dhe jo reformë për reformë, pra të mos i kthehemi ligjit çdo dy vjet. Kjo kërkon përveç konsensusit, edhe shkallë të lartë profesionalizmi.
Në mungesë të KQZ-së në Kushtetutë, si mendoni se do të ndërtohej më mirë institucioni dhe administrata zgjedhore dhe ndryshimet, a mund të prekin mandatet tuaja si anëtarë?
Nuk e shoh si problematike këtë gjë edhe për faktin që Komisioni nuk është kushtetues sepse institucionet e zbatojnë dhe interpretojnë vetë, si ligjin, ashtu edhe Kushtetutën, në mënyrë direkte dhe të pavarur. Në këto kushte, sido që të ndërtohet, apo edhe emërtohet Komisioni dhe administrata zgjedhore, mbetet një problem formal, ndërkohë që substancial është fakti se si do të jenë kompetencat që do të ketë ky institucion, sidomos në raport me palët në proces, të cilat aktualisht lënë për të dëshiruar (nuk mund të mos e citoj këtë). Mund të sugjeroj që ndërtimi i institucionit më të lartë zgjedhor të mos kufizohej vetëm në Kodin Zgjedhor, por të miratohej një ligj i posaçëm për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo do ta kompletonte reformën zgjedhore në të gjitha drejtimet. Për sa i takon administratës zgjedhore, nuk do të resht së thëni se ajo, së pari, duhet shkurtuar. Është provuar në zgjedhjet e fundit lokale, apo dhe në proceset e pjesshme këto kohë, që një administratë e tillë kaq e fryrë jo vetëm nuk solli pozitivitet, por përkundrazi është një nga faktorët kryesorë që ka dëmtuar standardet e procesit. Së dyti, administrata zgjedhore duhet të kontrollohet jo vetëm si hierarki, por edhe me ndërfutjen e elementëve të administratës civile pa eliminuar totalisht kontrollin e palëve mbi procesin. Gjithashtu, kjo duhet shoqëruar me masa për përgatitjen e lartë profesionale të kësaj administrate dhe sidomos më penalitete të rënda për ata që shkelin ligjin dhe dëmtojnë procesin. Sistemi i ri zgjedhor krijon apriori kushte për këto masa. Mbetet çështje e vullnetit politik në sanksionimin e tyre në ligj. Për sa u takon mandateve tona si anëtarë, do të jepja ketë sqarim personal: Mandati nuk përbën qëllim më vete, është thjesht një afat kohor, brenda të cilit ushtrohet një funksion i caktuar. Nëse do të kishim një ndërprerje të mandatit pa asnjë shkak ligjor, kjo do të përbënte abuzim. Në rastin tonë, kemi një ndryshim të ligjit ose një shfuqizim total të ligjit dhe i ligjit themeltar, siç është Kushtetuta. Pra, gjërat duhen ndërtuar nga e para dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me mandatet. Do të ishte absurde që të mos realizohej reforma zgjedhore për shkak të mandateve.
Besoni se sistemi i ri zgjedhor do të shmangë përfundimisht “Dushkun” dhe a mendoni se sistemi i ri i përcaktuar në Kushtetutë, është i përshtatshëm për kushtet e vendit?
Si administrator i procesit zgjedhor mund të them se pak më intrigon çështja e sistemit. Më shumë, kuptohet, më interesojnë zgjidhjet teknike të problemeve, siç janë ato të administratës zgjedhore, listave të zgjedhësve, procedurave të votimit e të numërimit dhe shpallja e rezultateve apo edhe mënyra e administrimit të procesit ankimor, që është mjaft problematik në vetvete. Sistemi zgjedhor është një problem i kompromisit politik, zgjidhet ky fillimisht dhe më pas hyjnë në lojë teknicienët për zbërthimin e tij. Mendoj se, më në fund, kemi diçka të nisur mbarë në shumë komponentë sepse u zgjidh problemi i sistemit në Kushtetutë, pra që në themel dhe jo më arnime, shtesa apo plotësime. U zgjodh një sistem më i thjeshtë për implementim, nga çka qenë deri më tani dhe siç u pa, konsensusi ka qenë shumë i gjerë, gjë që jep një bazë të fortë besimi. Tani i mbetet hartimit të Kodit Zgjedhor se si do të realizohet ky sistem me anë të procesit zgjedhor. Komisioni nuk ndërhyri në debatin për sistemin, duke e konsideruar si një çështje që i përket politikës ta vendosë nëpërmjet Parlamentit dhe ku administrata nuk mund të ndërhyjë. Megjithatë, ajo çfarë do të veçoja unë në ketë diskutim, është fakti se sistemi zgjedhor nuk është problematik në vetvete. Për defektet zgjedhore, nuk është faji i sistemit, por i atyre që e zbatojnë atë. Nuk ka sisteme të përsosura, si gjithçka në këtë botë, d.m.th., çdo sistemi mund t’i gjesh të meta dhe pozitivitete, pastaj është edhe çështje interpretimi. Përsa i takon fenomenit “Dushk” nuk ishte sistemi ai që e prodhoi, por vullneti politik i partive në proces për interesa pragmatiste. Kjo filloi që në vitin 2001 dhe nuk pati vullnet të rregullohej më pas. Edhe në sistemin e ri, nëse politika do të niset nga interesa të ngushta si në rastin e Dushkut, do të gjejë kleçka për të krijuar makinacione elektorale. Ndërsa ajo ku ne mund të japim kontribut, si ekspertë, vetëm nëse kemi një ftesë nga Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore, është zgjidhja e problemeve teknike të procesit në Kod, duke kombinuar procedurat e reja që kondicionon sistemi i ri me përvojën tonë. Mendoj se ky bashkëpunim do të ishte i dobishëm.
Ka një debat të gjerë politik tani në Tiranë, për mundësinë e mbajtjes së një referendumi për kundërshtimin e amendimeve kushtetuese. Sa është realisht i mundur një referendum i tillë nga pikëpamja kushtetuese? A ka një kosto të përafërt se sa kushton një referendum i tillë, apo një palë zgjedhje?
Do të dëshiroja mirëkuptimin tuaj për këtë çështje. Nuk mund të shprehem, për sa kohë në KQZ nuk ka asgjë zyrtare, asnjë kërkesë të tillë që ne të veprojmë si institucion. Institucioni nuk mund të ecë me teorinë e gurit në ujë. Nëse do të kemi diçka konkrete, do të jemi plotësisht të hapur për publikun, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Kam përshtypjen se jemi ndër institucionet më transparentë përballë publikut dhe medias. Për të gjitha problemet që shtroni, mund të bisedojmë kur të kemi diçka për të shqyrtuar në Komision. Unë do të sugjeroja që sa herë ndërmerren veprime të tilla, nga kushdo, të lexohet dhe studiohet mirë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, përpara se t’i drejtohen institucionit në fjalë. Nuk mund të vish në institucion i motivuar politikisht apo mbi bazën e të drejtave morale, sepse pastaj nuk është faji i institucionit për vendimin që do të marrë. Është si një padi, që një avokat ia drejton gjykatës. Avokati duhet ta mendojë dhe shqyrtojë me shumë kujdes çështjen, para se t’i drejtohet gjykatës. Nëse padia nuk do të bazohet në ligj, nuk e ka fajin gjykata që e rrëzon, por avokati, mendoj unë.