Topi dhe Withers, apel për rolin e gruas në shoqëri
Presidenti Bamir Topi vlerësoi angazhimin e grave në politikë, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Gjatë ceremonisë së diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në Programin e NDI-së, "Zhvillimi i Liderëve të Rinj në Politikë - Gratë në Advokim", kreu i shtetit kërkoi që përfaqësimi i grave si në politikë, ashtu edhe në institucione të tjera shtetërore, të jetë më i lartë. Topi kërkoi që gratë të mos privohen nga politika, të mos krijohen hapësira për t‘u bërë pjesë e strukturave të larta në mënyrë artificiale, pasi kjo ju takon. Ambasadori amerikan, John Withers, vlerësoi rritjen e numrit të grave në politikë. "Kërkoj nga gratë që të mos kënaqen me këtë nivel, po të kenë gjithnjë ambicie dhe kërkesa në një shoqëri të barabartë. Mbështetja dhe puna juaj bashkë me aktorët e tjerë të shoqërisë, mund të sjellë ndryshim të thellë. Unë jam i bindur se ju do ta bëni këtë ndryshim", u shpreh Withers. Sakaq, kreu i shtetit, Bamir Topi, kritikoi edhe dhunën e ushtruar ndaj dy zonjave të verbra para Kryeministrisë. Topi foli me gjuhë të ashpër, duke dënuar heshtjen e institucioneve dhe sipas tij "është e papranueshme që asnjë zë nga zonjat të mos prononcohet për ngjarjen e dhunimit të dy grave". Ai ju kërkoi të gjitha strukturave përgjegjëse të shtetit që të angazhohen për të reaguar në mënyrën e duhur ndaj kësaj ngjarjeje. Në vlerësimin e Topit, pjesëmarrja e gruas në shoqëri, në institucione, duhet të jetë një proces natyral dhe një proces jetik për shoqërinë tonë. "Unë që flas, sigurisht sot vi këtu jo vetëm me dëshirën që pjesëmarrja e grave në të gjitha institucionet të jetë e pranishme", tha Presidenti Topi. Në lidhje me pjesëmarrjen e grave në institucionet e larta shtetërore, Topi kujtoi se ka emëruar në institucione kyçe si prokurori, Gjykatë të Lartë dhe KLD, mjaft zonja të cilat dëshmojnë se dinë të punojnë dhe janë të afta t‘i drejtojnë këto institucione me ndershmëri. Presidenti kërkoi nga zonjat të mos humbin natyralitetin edhe pse politika zhvillohet në një ambient të ashpër, ku ndonjëherë ka edhe bërryla.