E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, Moore takon Ramën. PS: Të kthejmë besimin qytetar në institucione

partia-socialisteTiranë- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI. Jonathan Moore, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan dhe ambasadori Arvizu zhvilluan një takim me dyer të mbyllura në selinë e partisë socialiste me liderin e opozitës Edi Rama.

Ambasadori Arvizu, lidhur me votimin në Kuvend për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së tha se kjo gjë nuk e ka rritur besimin tek procesi elektoral.

Ndërkohë në një prononcim të shkurtër për gazetarët kryesocialisti Edi Rama u shpreh se do të bëhet çështë e mundur që të mos ketë cënim të zgjedhjeve ndërsa u shpreh se respekton dorëheqjen e nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba.

Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh lidhur me gjendjen para elektorale, dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon e posaçërisht edhe për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të anëtarit të KQZ, dhe praktikisht, e rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje, kaq të rëndësishme për Shqipërinë, në një moment të rëndësishëm siç është ky moment për vendin edhe në kontekstin e integrimit europian dhe të zhvillimeve në rajon, të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme”,- tha Rama.

Në lidhje me pyetjen e gazetarëve nëse largimi i Bibës erdhi për shkak të Koalicionit PS-LSI, ai u shpreh  se nuk ndodhi për këtë arsye, ndërsa udeklaroi se KQZ-ja nuk duhet të jetë institucion politik.

Është krejtësisht e pavërtetë, unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën, i cili nuk vjen nga radhët e Partisë Socialiste. Nuk është propozuar prej nesh për të qenë një ushtar partie Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cenimin flagrant të integritetit moral dhe profesional të KQZ dhe të anëtarëve të KQZ,- vijoi ai.

Në adresën elektronike të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka mbërritur një e-mail i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku  kërkoheshin sqarime të hollësishme mbi situatën politike në vendin tonë.

Sekretari politik i ambasadës, Xhei Porter gjatë një takimi me studentë tha se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh për ngjarje me rëndësi. Porter theksoi se në interesin e SHBA dhe të vetë shqiptarëve mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›