E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: PDK 32.4%, LDK 24.67%, VV 12.55%

Nga Faton Ismajli më 24 janar 2011 në ora 08:33

(E plotësuar) Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), të hënën ka publikuar rezultatet preliminare në nivel vendi për zgjedhjet e 12 dhjetorit, sipas të cilave PDK ka fituar 32.40 për qind, apo 215 mijë e 932 vota, LDK 24.67 për qind, apo 164 mijë e 426 vota, Lëvizja Vetëvendosje 12.55 për qind, apo 83 mijë e 609 vota, AAK 11.9 për qind, apo 73 mijë e 901 vota, AKR 7.22 për qind, apo 48 mijë e 145 vota, FER 2.15 për qind, apo 14 mijë e 311 vota dhe LDD 2.13 për qind, apo 14 mijë e 199 vota. Dalja e përgjithshme në nivel vendi, sipas KQZ ka qenë 47 për qind.

Në rezultatet preliminare sipas kryetares së KQZ-së Valdete Daka, nuk përfshihen rezultatet që janë përjashtuar me vendimin e KQZ-së më herët.

Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar edhe rezultatet preliminare të rivotimit të djeshëm në komunën e Mitrovicës, sipas të cilave, PDK-ja ka marrë ku 47.47 për qind, LDK 22.3, Vetëvendosje 11.5, AAK 6.3, AKR 6, FER 1.4 dhe LDD 0.2, ndërkaq dalja e përgjithshme e votuesve ka qenë 26.8 për qind.

Kryetarja Daka ka thënë se votat e kandidatëve do të publikohen përnjëherë me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërkaq certifikimi i tyre do të bëhet pas përfundimit të afateve ligjore që kanë të bëjnë me ankesat e mundshme për rivotimin në komunën e Mitrovicës.

“Pas përfundimit të këtyre afateve ligjore ne duhet të presim që të bëhet numërimi i votave me kusht dhe pasi që të bëhet numërimi i këtyre votave dhe votave me postë, pas kësaj do të jemi të gatshëm të bëjmë certifikimin e rezultateve. KQZ-ja e bën certifikimin e rezultateve”, ka thënë Daka.

Sa u përket parregullsive gjatë këtij procesi, Daka ka thënë se nuk ka informacione tjera, përveç atyre parregullsive që janë evidentuar, për të cilat edhe kanë marrë vendim PZAP-i dhe Gjykata Supereme.

“Parregullsitë që janë vërejtur dhe janë evidentuar dhe në bazë të të cilave edhe Paneli Zgjedhor dhe Gjykata Supreme kanë marrë vendimet e tyre, janë ato të cilat janë shënuar zyrtarisht dhe për çka ne kemi informacione”, ka thënë ajo.

Edhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim të dielën mbrëma ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në nivel vendi nga 90 për qind të vendvotimeve, pa rezultatin e votave me kusht sipas të cilit, PDK ka fituar 30.85 për qind, LDK 26.37 për qind, Lëvizja Vetëvendosje 13.30 për qind, AAK 10.51 për qind, AKR 8.20 për qind, FER 2.63 për qind, LDD 2.23 për qind, ndërsa partitë tjera 6.13 për qind.

U kryen zgjedhjet

PDK fitoi bindshëm në Mitrovicë, të dielën, në zgjedhjet e përsëritura. Kjo shënon përmbylljen e një procesi zgjedhor të nisur para pesë javësh. Sipas rezultateve të Demokracisë në Veprim partia e Hashim Thaçit mori 47.18 për qind të votave. Zgjedhjet u cilësuan përgjithësisht të rregullta, por pjesëmarrja në votime ishte e vogël.

Dy orë pas mbylljes së vendvotimeve, simpatizantët e PDK’së kanë filluar vallen me tupana, duke konfirmuar fitoren e Partisë së Hashim Thaçit.

Për dallim prej 12 dhjetorit, kësaj here PDK ka marrë 47.18 për qind, duke e lënë pas LDK’në me 22.69 për qind, Vetëvendosjen me 11.55, AAK’në, 6.32 dhe FER’in me 6.04 për qind.

Demokracia në Veprim ka dhënë mbrëmë edhe rezultatet e përgjithshme, bazuar në 90 për qind të votave dhe me margjinë të gabimit 1-3 për qind. Sipas saj, PDK udhëheq me 30. 85 për qind të votave, LDK ka 26.37 për qind, Vetëvendosje 13, 30, AAK 10. 51, AKR 8.2, FER 2,63 dhe LDD 2. 20 për qind.

Në këtë rezultat nuk janë përshirë votat me kusht, që, sipas Demokracisë në Veprim, janë një numër mjaft i madh i votave.

Një orë pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror Zgjedhor publikoi të dhënat preliminare për pjesëmarrjen e qytetarëve në rivotim.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, tha se të dielën në Mitrovicë votuan 23 mijë e 238 qytetarë ose 26.76 për qind.

Krahasuar me numrin e votuesve të 12 dhjetorit, që ishin 32 mijë e 215 qytetarë ose 37.10 për qind, diferenca është 11 për qind më pak.

“Edhe pse kemi një numër jo shumë të madh të votuesve, ne mendojmë që, për shkak korrektësisë dhe saktësisë, rezultatet preliminare do t’i shpallim të hënën në ora 10:00”, ka thënë Daka.

Pak minuta pas publikimit të pjesëmarrjes së votuesve nga ana e KQZ’së, në Mitrovicë kanë mbajtur konferencë zyrtarë të PDK’së. Rasim Veseli e ka shpallë fitoren e Partisë së Hashim Thaçit. Konfirmoi se PDK prinë me rreth 50 për qind të votave të krejt mitrovicasve.

Pas kësaj, kandidati për deputet i PDK’së, Bekim Haxhiu – Kamishi, u ka prirë tupanxhinjve, duke vallëzuar bashkë me zyrtarët e tjerë në Sheshin e qytetit.

Festa ka vazhduar nëpër rrugët e Mitrovicës, ku është ndriçuar disa herë qielli nga fishekzjarrët e hedhur nga simpatizantët e PDK’së.

Gëzim nuk ka pasur në asnjë parti tjetër.

LDK, AAK, Vetëvendosje dhe AKR kanë heshtur. Nuk kanë mbajtur as konferenca për shtyp për të komunikuar rezultatet e nxjerra nga komisionarët e tyre.

Krejt partitë politike dhe vëzhguesit, që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, mund të parashtrojnë ankesa në PZAP në afat prej 72 orësh prej kohës së mbylljes së votimeve .

Ndryshe, KQZ ka vendosur t’i japë rezultatet preliminare për Mitrovicë gjatë ditës së sotme, ku do të dihet edhe përqindja e votave të partive në nivel nacional.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të presë përfundimin e krejt ankesave për procesin zgjedhor dhe vendimet për to, para se të ulet për të nxjerrë dhe certifikuar rezultatin final të zgjedhjeve të para nacionale në Shtetin e pavarur.

Përgjegjësit për procesin zgjedhor në Kosovë besojnë se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve pritet të bëhet në javën e parë të muajit shkurt. Kjo do t’u hapë rrugë negociatave në mes të partive politike për krijimin e Qeverisë së re të koalicionit. Deputetë e rinj duhet të mblidhen në seancën e parë më së largu 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve, që zgjatën 40 ditë.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuci, ka thënë se rivotimi në Mitrovicë ka qenë i panevojshëm, për faktin se nuk ka pasur fakte për manipulime të votave.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Supreme ka qenë i ndikuar nga politika, por partia e tij që të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Supreme e ka bazuar në ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka denoncuar procesin zgjedhor në këtë komunë për shkak të mosfunksionimit të llampave ultraviolete. Ankesa të tilla të natyrës teknike ka pasur në shumicën e komunave në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Ankesa e Vetëvendosjes ishte refuzuar dy herë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por Gjykata Supreme nuk është tërhequr nga vendimi dhe ka urdhëruar KQZ’së që të organizojë rivotim në shumicën e qendrave në Mitrovicë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›