Kuvendi, asnjë votë kundër për integrimin në BE
Me asnjë votë kundër Parlamenti miratoi dje projektrezolutën për aplikimin në BE si vend kandidat. Me 91 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët miratuan projektrezolutën e Komisionit të Jashtëm, i cili i lë detyrë qeverisë që të gjejë një kohë të përshtatshme për të bërë aplikimin. Rezoluta kërkon më shumë impenjim për thellimin e punës. “Rithekson vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet e Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian, duke vënë në themel dhe në funksion të kësaj pune angazhimin e partive politike parlamentare për vazhdueshmëri të dialogut konstruktiv. Deklaron përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi”, - thuhet në rezolutën e miratuar me konsensus në Parlament. Gjithsesi, disa deputetë të opozitës kërkuan që të votohej varianti i miratuar në Komisionin e Integrimit, ku kërkohej afat konkret nga ana e qeverisë. Një pjesë e këtyre deputetëve nuk morën pjesë në votim, konkretisht 28 prej tyre. Gjithsesi, rezoluta saktëson se “inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që në momentin e përshtatshëm, në konsultim me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e negociatave”.