KQZ: PD ka 71 deputetë, Ruçi: Gati për protesta
BLEDAR HOTI
KQZ shpall rezultatet paraprake duke nxjerrë koalicionin e PD-së me 71 mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i PS-së me 65 mandate. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, bëri mbrëmë publike rezultatet e votimit për 4703 Qendra Votimi, nga 4753 që janë gjithsej, duke nxjerrë koalicionin e PD-së fitues. Sipas rezultatit zyrtar paraprak, shënohet një pjesëmarrje në zgjedhje e 1.554.430 shtetasve ose në total 50% e numrit të përgjithshëm të tyre. Sipas tij, deri më tani koalicioni i PD-së, “Aleanca e Ndryshimit” ka 71 mandate në Kuvend, koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” ka 65 mandate, ndërsa koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim” ka 4 mandate në Kuvend. “Aleanca e Ndryshimit” e drejtuar nga Partia Demokratike ka marrë 770.089 vota ose 46.69%, ndërsa Partia Socialiste me koalicionin “Bashkimi për Ndryshimin” ka marrë 683.136 vota ose 45.36%. Kjo tregon diferencën e ngushtë mes dy koalicioneve kryesore politike. Ndërsa koalicioni “Aleanca për Integrim” ka rreth 83 mijë vota, ndërsa “Poli i Lirisë” rreth 2800 vota. “Përqindja më e lartë e votuesve është regjistruar në Qarkun e Kukësit me 59.07%, dhe më e ulëta në Qarkun e Vlorës me 39.22%”, deklaroi Olli. Ai shtoi se ky wshtw vetwm njw rezultat paraprak dhe përfundimtar.
Reagimi për deklaratat
Shpallja e rezultateve të cilësuara paraprake nga ana e zëdhënësit të KQZ-së shkakton polemika ndërmjet anëtarëve të KQZ-së. Shpallja e rezultatit, ku koalicioni i PD-së deri më tani shkonte në 71 mandate deputetësh, ka qenë një nga arsyet që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të anëtarëve të opozitës në KQZ-së, nënkryetares Dëshira Subashi dhe të Artan Lazajt. Ato i kanë hedhur poshtë në mënyrë kategorike deklaratën e zëdhënësit të KQZ-së se PD-ja së bashku me aleatët e saj i kanë siguruar 71 mandate deputetësh. “KQZ-ja nuk ka marrë asnjë vendim për të shpallur rezultate me mandate deputetësh. Ky është hapi i fundit që ne si KQZ ndërmarrim për shpalljen e mandateve. Ne po shqyrtojmë kutitë e votimit të qarkut të Lezhës në Fushë-Kuqe, kemi ende pa shqyrtuar kutitë e katër KZAZ-ve të Fierit. Pra jemi në fazat e para të shqyrtimit të rezultateve”, tha Subashi në konferencën për shtyp. Menjëherë më pas në orën 22:45 ka dalë në konferencë për shtyp edhe anëtari Artan Lazaj, i cili e ka hedhur në mënyrë kategorike poshtë se KQZ-ja ka marrë një vendim për shpalljen e rezultatit paraprak të zgjedhjeve. “U bëj thirrje politikanëve të vendit të lenë rehat anëtarët e KQZ-së të mos u bëjnë presion, por të lenë stafin e KQZ-së për të certifikuar zgjedhjet”, tha Lazaj. E gjithë kjo përplasje në KQZ ndodh në momentin kur duhet të numërohen 8 kutitë e pa numëruara nga tre KZAZ-të e Fierit, e në një kohë kur pritet që sot të mbërrijë KZAZ numër 19. Pikërisht në këtë qark pritet të përcaktohet sa deputetë do të përfitojnë PS dhe PD, ku KQZ-ja ka shpallur se janë ndarë aktualisht 8 me 7, ku një i takon LSI-së. Pikërisht këto 9 kuti votimi që janë pa numëruar në 4 KZAZ, 18, 19, 20 dhe 22 mbajnë peng deputetin e ardhshëm. Koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” e udhëhequr nga PD ka aktualisht 7 deputetë, por koalicionit të udhëhequr nga PS-ja, “Bashkimi për Ndryshimin” i duhen 35 vota të kalojë para PD-së për të rrëmbyer mandatin e nëntë. Ndërkohë që diferenca është 5 vota larg mandatit të 7 të PD-së, që i takon partisë aleate PDI-së. KQZ-ja ka marrë vendim për kutitë e katër KZAZ-ve të numërojë votat, ashtu siç bëri edhe me 6 kutitë e votimit të KZAZ 39 të Lezhës. Sot pritet të vijnë kutitë e votimit nga ana e KZAZ numër 19, më pas KQZ-ja do të vendosë posaçërisht për numërimin e fletëve të votimit të mbetura pezull.
rezultatet paraprake te zgjedhjeve sipas kqz
“Aleanca e ndryshimit” 770.089 vota ose 46.69%
“Poli i Lirisë” 27.493 vota ose 1.82%
“Aleanca Soc.për Integrim” 83.767 vota ose 5.56%
“Bashkimi për Ndryshim” 683.136 vota ose 45.36%
“Aleanca e Ndryshimit” 71 mandate
“Aleanca Socialiste për Integrim” 4 mandate
“Bashkimi për Ndryshim” 65 mandate
Ndarja e 140 mandateve sipas qarqeve
Qarku Berat - “Aleanca e ndryshimit” 3, “Aleanca Socialiste për Integrim” 1, “Bashkimi për ndryshim” 4
Qarku Dibër - “Aleanca e ndryshimit” 4, “Bashkimi për Ndryshim” 2
Qarku Durrës - “Aleanca e ndryshimit” 7, “Aleanca Socialiste për Integrim” 1, Bashkimi për ndryshim” 5
Qarku Elbasan -”Aleanca për ndryshim” 7, “Bashkimi për ndryshim” 7
Qarku Fier - “Aleanca e Ndryshimit” 7, “Aleanca Socialiste për Integrim 1”, “Bashkimi për ndryshim” 8
Qarku Gjirokastër- “Aleanca e Ndryshimit” 2, ‘Bashkimi për ndryshim” 3
Qarku Korçë - “Aleanca e ndryshimit” 6, “Bashkimi për ndryshim” 6
Qarku Kukës - “Aleanca e ndryshimit” 3, “Bashkimi për Ndryshim” 1
Qarku Lezhë - “Aleanca e ndryshimit” 4, “Bashkimi për ndryshim” 3
Qarku Shkodër - “Aleanca e ndryshimit” 7, “Bashkimi për Ndryshim” 4
Qarku Tiranë - “Aleanca e ndryshimit” 16, “Aleanca Socialiste për Integrim” 1, “Bashkimi për Ndryshim” 15
Qarku Vlorë - “Aleanca e ndryshimit” 5, “Bashkimi për Ndryshim” 7,
Numërohen 5 kuti të Lezhës, PD nuk prodhon mandat deputeti
KQZ-së i është dashur dhjetë orë kohë për të numëruar 6 kutitë e KZAZ-së numër 39 të Lezhës, të cilat ishin konstetuar nga ana e komisionerëve të PS-së. KQZ-ja, e kthyer në formën e një GNV-ve dhe KZAZ-je ka nisur procesin e numërimit të votave për këto 6 kuti votimi. Në numërimin e këtyre votave rezultoi se PD-ja nuk kishte 2400 votat e duhura, për të rrëmbyer mandatin PS-së, pasi nuk kishte mundësi që të realizohej një gjë e tillë. Në hapjen e kutisë së parë, zelli i 7 anëtarëve ka qenë i dukshëm për të numëruar fletët e votimit, por pas saj ka rënë dhe interesi për të vazhduar me to. Barra më e madhe e procesit të numërimit të këtyre 6 kutive i ka rënë nënkryetares Dëshira Subashi, e cila ka drejtuar këtë seancë maratonë numërimi, pasi kryekomisioneri Ristani nuk ka qenë prezent. Tejzgjatja e procesit të numërimit për pesë qendrat e votimit ka detyruar nënkryetaren e KQZ-së, Dëshira Subashi, të ndërpresë procesin e numërimit të votave, duke lënë që kutia e QV-së 0903 të numërohet sot në ora 09:00. Ndërsa është mbyllur votimi për pesë QV-të e tjera rezulton që koalicioni i PD-së të ketë në total 1784 vota, ndërsa koalicioni i PS-së me 788 vota gjithsej. Kjo diferencë nuk e bën të mundur që PD-ja të marrë me koalicionin e saj mandatin e pestë të deputetit, pasi nevojiteshin 2400 vota, ku ka mbetur pa u numëruar një kuti votimi, e cila mund të ketë gjithsej 600 votues. Pra PD do të ketë 4 deputetë ndërsa PS-ja do të ketë 3 gjithsej. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, kontestoi numërimin e kutisë së votimit 0902, pasi rezultonte që në listën e zgjedhësve nuk kishte firma dhe as dokument identifikimi të atyre që kanë votuar në këtë Qendër. Sot KQZ-ja pritet të nisë numërimin e kutive të votimit për qendrën e fundit të mbetur me numër 0903.
kutite e lezhes
Rezultatet për 5 kutitë e numëruara
Koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”, PD
1784 vota
Koalcioni “Bashkimi për Ndryshim”, PS
788 vota
Mbetet pa u numëruar kutia e pesë e votimit Qv 09003
Diferenca prej 996 votash, nuk i jep PD-së mandat të pestë deputeti
Për marrjen e këtij mandati nevojiteshin që koalicioni i PD-së të ishte 2400 vota para koalicionit të PS-së
Ruçi: Berisha, tërhiqu ose protesta
ADI SHKEMBI
Berisha të tërhiqet, nëse nuk do të ballafaqohet me shqiptarët në rrugë. Partia Socialiste ka reaguar mbrëmë menjëherë pasi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shpalli rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku nxirrte PD-në dhe koalicionin e saj fitues me 71 mandate dhe PS-në dhe koalicionin e saj me 65 mandate. Kryetari i Asamblesë Kombëtare në PS, Gramoz Ruçi, tha gjatë një komunikimi se Kryeministri Berisha duhet të tërhiqet nga manipulimi i votave dhe provokimi i opozitës, nëse sipas tij, nuk do që të përballet me protestat e popullit. “Unë i them kryeministrit në detyrë, mos e merr qetësinë dhe durimin e forcës më të madhe politike në Shqipëri, siç është Partia Socialiste, për dobësi, sepse ne vërtetë jemi këtu për të mbrojtur në radhë të parë imazhin e Shqipërisë në këtë proces zgjedhor, por njëherësh jemi të vendosur që të mbrojmë çdo votë që populli ka futur në kutinë e votimit më 28 qershor, pa lëshuar asnjë milimetër në një rrugë ku Sali Berisha duhet të tërhiqet një orë e më parë, nëse ai nuk do që të ballafaqohet me popullin dhe shqiptarët në rrugë”, u shpreh dje Ruçi. Sipas zyrtarit të lartë të Partisë Socialiste, zgjedhjet e 28 qershorit kanë nxjerrë Partinë Demokratike me 70 deputetë. Në të njëjtën kohë ai tha se PS pretendon një mandat në qarkun e Beratit, i cili u mbyll me katër mandate për këtë forcë, tre për PD-në dhe një për LSI-në. “Nuk ka asnjë rezultat paraprak që i jep Sali Berishës 71 mandate, sikundër deklaroi në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit kukulla e tij në krye të KQZ, por ka vetëm një rezultat paraprak, që i jep Kryeministrit në detyrë vetëm 70 mandate. Ndërkohë që ende mbetet për t’u parë se çfarë ka thënë populli i Beratit, kur ne i kemi të gjitha faktet që na bëjnë të besojmë se rezultati paraprak në këtë Qark i jep subjektit tonë politik mandatin e 5-të, pra edhe një mandat më shumë. Ashtu si kundër mbetet për t’u parë akoma, ç’është bërë me kutitë e tjera në Tiranë, apo gjetkë në gjithë territorin e vendit”, u shpreh më tej Ruçi. “Por, duke u kthyer te deklarata provokuese dhe destabilizuese e Kryetarit të KQZ, unë në emër të Partisë Socialiste, i bëj apel Sali Berishës: hiq dorë nga ideja se mund t’i imponohesh popullit shqiptar si Kryeministër, duke organizuar horra, që nga ata që nxjerr nga burgjet për të terrorizuar zgjedhësit shqiptarë në fshatrat e Shqipërisë me fuoristrada dhe armë, e deri tek ata që i nxjerr nëpër pode e nëpër televizione, me kostum apo kravata, si ky Kryetari karagjoz në ditën e sotme”, theksoi më tej kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Ruçi theksoi mbrëmë se ende nuk janë mbyllur të gjitha kutitë e votimit të 28 qershorit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të flasë me rezultate paraprake, por të presë përfundimin e procesit të numërimit të votave dhe më pas të miratojë procesverbalet përfundimtare. Reagimi i Partisë Socialiste erdhi pasi përfaqësuesit e kësaj force në KQZ, e konsideruan si të paligjshëm nxjerrjen e mandateve nga ky institucion, ndërkohë që ende s’ka vendim.