Gjinushi: Rama s’i fitoi zgjedhjet, duhet të largohet
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, gjatë një interviste te “News 24” adresoi dje akuza ndaj PS dhe kryetarit të saj, Edi Ramës, se nuk menaxhoi si duhet koalicionin, duke u munduar të ndajë pushtetin dhe jo të luftojë kundërshtarin politik. Gjinushi shprehet se Rama i ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit dhe duhet të japë dorëheqjen nga kreu i PS sipas statutit.
Zoti Gjinushi, pas këtij rezultati çfarë duhet të bëjë zoti Rama, zoti Berisha dhe kryetarët e partive të tjera parlamentare?
Duhet të them se ka nga ata në PS që jo vetëm nuk e mundën Berishën, por larguan nga Parlamemti PSD. Për këtë mund të mburren siç u mburrën dhe në 2005, që nuk mundëm Salën, por mundëm Nanon. Berisha duhet të largohet sepse ka humbur standardet e zgjedhjeve, për të cilat premtoi standarde më të mira të zgjedhjeve në Shqipëri. Rama patjetër që nuk i ka fituar zgjedhjet dhe duhet të konsiderojë qëndrimin e vet kur të dalë rezultati final i zgjedhjeve.
Pra duhet të largohet nga kreu i PS-së?
Duhet zbatuar statuti i PS-së, që ata vetë e kanë miratuar. Meta duhet të japë dorëheqjen sepse nuk përmbushi premtimin se do merrte 35 deputetë në këto zgjedhje. Meta duhet të pranojë gabimin e madh që çoi në humbjen e PS në dy zgjedhje rresht.
Po ju, duhet të ikni apo të rrini?
Unë e kam mbledhur mendjen dhe në parti i kam përcaktuar pozicionet, që do bëhen publike pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Sa e qëndrueshme është një qeveri me 71 vota?
Zgjedhjet edhe nëse i fitonte opozita, dhe këtë opinion unë e kam shprehur edhe më parë, nuk do të ishte asnjëherë e qëndrueshme. Zgjedhjet e fituara edhe me një votë më shumë, me 71 mandate nuk mund të jenë të qëndrueshme sspse kur të vijë koha e miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar, nuk ke ku i gjen. Eliminimi i partive të vogla vështirëson gjetjen e zgjidhjeve, kur kërkohen vota dhe vendi kalon në krizë. Berisha në opozitë di vetëm të bllokojë, kurse ne të majtët kemi dhënë konsensus kur ka qenë puna për ligje të tilla që kërkonin shumicë të cilësuar.
Si mund të arrihet stabiliteti?
Ne duhet të kthehemi në një normalitet. Ne duhet të flasim në emër të politikës së re dhe e majta e ka frymën më pozitive. Atëherë fitohen zgjedhjet me hir apo me pahir, siç i bën Saliu zgjedhjet dhe pastaj e kthen vendin në normalitet. Duhet të rikthesh pavarësinë e institucioneve, bën reformën në drejtësi, bën një reformë zgjedhore si në Evropë, ku gara të jetë e ndershme, sepse kur gara është e pandershme, fitojnë të paaftët dhe eliminohen të aftët.
Nëse bashkëpunimi do ishte më real dhe më i drejtë dhe fryma e bashkëpunimit do ishte e sinqertë dhe jo me frikën se aleati po të heq një mandat, ne do të kishim të paktën 80 mandate sot në Kuvend.
Sa sistemi zgjedhor ndihmoi në përçarjen e të majtës dhe në humbjen e saj?
Sistemi spanjoll është diskutuar në fillim bashkërisht. Ne kemi thënë vërejtjet tona. Megjithatë një parti mund të imponojë një sistem dhe këtë e bëri PS si një parti e madhe. Por pas këtij imponimi duhet të ulesh në tavolinë dhe thua se do zbatoj këtë sistem dhe do bashkëpunoj me të gjithë aleatët. Mund të hynte dhe LSI më vete në zgjedhje, por s’kishte pse hynte si kundërshtare. Në këtë mënyrë formatoheshin koalicionet, ashtu siç do të kërkonin subjektet, por do të hynim si aleatë dhe jo si kundërshtarë. Ky sistem kërkonte një bashkëpunim duke dëmtuar sa më pak njëri-tjetrin në qarqe të caktuara dhe fitorja do të ishte e sigurtë. Kjo nuk u bë dhe këtu filloi përplasja e fortë e PS-LSI. Prandaj ne kemi qenë të detyruar të mbajmë anë, sepse LSI filloi akuza në terma Rama-Berisha etj. Kurse ne vazhduam dhe kërkuam që sistemi të modifikohej dhe vazhduam negociatat. Kur sistemi u modifikua ishte shumë e mundshme të hynim bashkë. Nëse LSI do të kishte hyrë bashkë do të kishte të paktën 8 mandate sot, dhe e gjithë e majta do kishte 80 mandate. PS-LSI bënë të njëjtat gabime si në zgjedhjet e 2005. Në këto kushte, kur LSI dilte më vete, rekomandimi ishte që PS të maksimalizonte votat e saj me aleatët dhe efekti LSI të jetë sa më i dobët. Kur e majta është me dy pjesë dhe e djathta është një trup, atëherë po nuk qe diferenca mbi 5%, fiton kundërshtari. Sot që ne jemi në diferencën 4-5% rrimë dhe themi që jemi si grupime 70 me 70.
Janë bërë gabime taktike në këtë mes?
Këtë taktikë duhet të ndiqte PS-ja. Këtu është gabimi i PS. Meqë e nisëm historinë, edhe në 2001 edhe në 2005 disa në PS, duke filluar që nga kryetarët nuk bëjnë llogari si do fitohen zgjedhjet, por bëjnë llogari si do ndahet pushteti, nuk bëjnë llogari si do mundet kundërshtari por si do eliminojmë aleatët. Në 2001 u shpikën të pavarurit, u shpik Dushku vetëm e vetëm si të reduktohen qendrën, si të reduktojmë PSD që të kemi maxhorancën në qeverisjen e vet. Pra sëmnudja për të fituar me maxhorancë absolute vetëm është motivi kryesor që dhe në 2001, ku për pak desh i humbëm zgjedhjet dhe pse ishim me 16% përpara dhe në 2005 kur u humbën zgjedhjet.
Zoti Gjinushi, do të mbroni votën e kutive të mbetura të votimit ashtu siç tha zoti Ruçi në konferencën për shtyp?
Socialistët duhet të mbrojnë votën e tyre, sepse ne s’kemi se ç’të mbrojmë sepse neve na e rropën votën tonë, sepse kërkuan të fitonin të vetëm dhe krenarë. Vota duhet mbrojtur sepse shumica nuk ka fituar sepse nuk ka fituar as ligjërisht, as moralisht dhe as politikisht. Për mua sistemi proporcional rajonal është më lehtësisht i manipulueshëm. Sepse formon katër qarqe ku je humbës i thellë dhe ia le kundërshtarit, katër ku je në favor i mban dhe godet në 2-3 qarqe ku diferenca është më e vogël. Konkretisht Berisha ka goditur Tiranën dhe Durrësin. Janë shtuar mbi 100 mijë vota në mënyrë krejtësisht të panatyrshme, pra rritja e pjesëmarrjes në zgjedhje në këto dy qarqe është mbi 30 për qind, Tirana 36 për qind. Kur të numërohen do shohim se janë shtuar shumë zonat e Kamzës, Paskuqan etj.
Sa legjitime mund të konsiderohen këto zgjedhje?
Në tërësi këto zgjedhje nuk mund të legjitimojnë qeverisje afatgjatë, për faktin se mbi të gjitha Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje për të fituar shqiptarët dhe jo partitë. Pse? Sepse sot kërkohen zgjedhje me standarte si vend i NATO-s. Nëse këto zgjedhje do të legjitimohen, atëherë do thonë që NATO i ka vendet anëtare të saj si Afrika. Gjej një vend të NATO-s që bën zgjedhje si në Afrikë? Gjen një vend që kërkon të marrë statusin e BE-së dhe bën zgjedhje të këtyre standarteve? Prandaj nëse themi se do të fitojë Shqipëria, duhet ti bëjmë zgjedhjet me standarte. Nëse në 2005 ne humbëm, të paktën u bënë zgjedhje të pranueshme dhe pas atyre u firmos menjëherë MSA-ja në 2005. Prandaj kushti nuk janë përcaktime të tilla si “zgjedhje të qeta”, “u shpreh vullneti”, etj. Duhen zgjedhje që të certifikojnë ecurinë e mëtejshme integruese të vendit.
Berisha: Kam marrë mijëra sms urimi
Kryeministri Sali Berisha falenderoi dje në një konferencë për shtyp qytetarët që e kanë uruar për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i qeverisë tha se gjatë këtyre ditëve ka marrë mijëra sms urimi, por në pamundësi për t’i falënderuar në mënyrë individuale, improvizoi një konferencë për shtyp vetëm për këtë temë, madje duke mos pranuar as pyetje. “Pasi kam lexuar një për një dhe me shumë mirënjohje e respekt çdo mesazh, në pamundësi për t’iu përgjigjur me mesazh e sms gjithësecilit, edhe një herë i shpreh atyre falënderimin më të përzemërt dhe i uroj gëzime, suksese dhe mbarësi atyre dhe familjeve të tyre. Urimi që ata kanë formuluar për mua është një inkurajim dhe obligim i madh, por edhe një energji e vërtetë në projektet e ardhshme për këtë vend”, tha Berisha. Ndërkohë mesditën e djeshme, kreu i qeverisë u pa së bashku me bashkëshorten dhe mbesat në Qendrën Tregtare Univers, teksa bënte shopping, megjithëse në Tiranë ekziston një klimë e nxehtë politike, teksa ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare.